Është shumë e vështirë të arsyetosh sot përballë tymnajave të lëshuara prej politikanëve dhe sidomos ushtrisë së fanatikëve, vënë menjëherë në shërbim për të mbrojtur “t’adhuruarit” e tyre. Nëse Berisha do të thotë se ndaj tij ka paragjykime dhe keqkuptime nga DASH-i dhe administrata e Mbretërisë së Bashkuar sa i përket shpalljes “non grata”, do të dalë sakaq një aradhë e tërë njerëzish nga rrjetet sociale, qoftë edhe me formimi të mira, të cilët kanë gjetur justifikime dhe do të përpiqen ‘të mbysin’ gjithçka ndryshe, që lidhet kundër liderit. Nëse kryeministri Edi Rama do mbajë një qëndrim dhe përqesh dikë me cinizmin e tij është e gjithë shpura e tij, që e përcjell në të gjithë qelizat këtë direktivë. Ajo kthehet normë dhe pakkush mundet në administratën e tij të mendojë ndryshe. Në sferën publike është shumë më keq akoma. Nëse një mendim i ri, ide apo parashikim logjik përcjell një qëndrim ngaku artikuluesi ose kumtuesi publik do që ta shohë shoqëria do ketë me doemos pas vete një njësi të tërë njerëzish me emër e figurë dhe më shumë pa figurëe identiti, që do të godasin dhe do të fyejnë. E gjithë kjo bëhet më së miri përmes Fanatikëve. Ku përveç atyre të sportit, që tashmë shpalosin rëndom deri ide politike, është një armatë e tërë që vigjëlon pas ekranit të PC-së apo pas deklaratave në TV për çdo gjë të re dhe që janë gati në mënyrat më novatore të komunikimit sesi të mund ta hedhin baltë. Shkrimtari i njohur hebre Amos Oz e përshkoi idenë e tij lidhur me këtë argument tek “Si të kurosh një fanatik”, ku shkroi se: “mjafton të lexosh gazetën ose të shikosh lajmet në televizion, për të shpjeguar lehtësinë me të cilën njerëzit bëhen fanatikisht antifanatikë, antifundamentalistë, me të cilin ndërmarrin një kryqëzatë antixhihad”.
Këtë gjëndje që jo pak herë bëhet edhe terror dixhital tashmë e ka në shpinë çdo person publik dhe në jo pak raste ushqehet nga të frustruar apo njerëz që duan të bëjnë udhë drejt caqeve të pamerituara. Jo pak herë shumë njerëz e ndjejnë terrorin dixhital të armatës së fanatikëve, që duket se ka një bekim të qartë përmes politikës. Mjafton që njerëz të politikës të targetojnë kundërshtarët e tyre dhe pastaj e gjithë shpura, si me sustë përdor të njëjtën narrativë. Kujtojmë këtu epitetet dhe neologjizmat e Berishës ndaj pasardhësit të tij Basha, që u bënë menjëherë armë dhe pjesë e sintaksës politike të gjithë njerëzve që e ndjekin liderin e sotëm të rikthyer të PD-së.
Në fakt, Shqipëria po e ndjen realisht peshën e fanatikëve por edhe agresivitetin e tyre dhe jo pak herë pushtetin që krijojnë akuzat dhe pështjellimet e tyre, madje edhe sesi krijohen stereotipe të dhimbshme. Mjaftoi pak vite më parë që ish-kryeministri socialist Fatos Nano të përqeshte publikisht ministrat dhe funksionarët e tij Musa Ulqini dhe Anastas Angjeli, që stigma banale të mos i ndahej atyre për vite e vite me rradhë, e jo vetëm brenda familjes së tyre politike por edhe nga kundërshtarët. Kjo kuptohet përmes edhe armatës së fanatikëve.
Liria e shprehjes konsiderohet si armë nga fanatikët por edhe si mënyrë për të nxjerrë mllefin ndaj personazheve publike, ngjarjeve, por edhe fenomeneve të caktuara. Fanatikët, ata që identifikohen, nuk dëgjojnë dhe nuk e respektojnë të kundërtën vetëm janë në sulm, kurse ata që janë disi më të fshehur futen lirisht deri në gjërat private. Një pjesë që indirekt nxjerr dhe frustrimet por më të rrezikshëm janë ata që identifikojnë problemet personale dhe ia mveshin sulmit ndaj një personazhi. Ata sulmojnë me çdo mjet, me një fjalor që lë shumë për të dëshiruar jo për varfërinë e leksikut por për leksikun e ndyrë, e duken gati me një dëshirë vrastare për të prishur gjithçka. Ndërkohë stereotipet që kanë ngritur e ngrenë liderat në parlamant u jep një dozë sigurie dhe nëse ndokush prej tyre ka edhe pak më shumë kulturë ose ka referencë këto i vendos në drejtimin më të gabuar. Institucionet heshtin kurse është e pamundur që të dëgjosh nga AMA apo nga Komiteti i Helsinkit që të ketë përballje serioze me këto fyerje. Sa i përket organizmave të gazetarëve ato janë gati inekzistente në këto raste përballë edhe vetë shqetësimeve të tyre, kur vetë gazetarët kacafyten me njëri-tjetrin. Kjo pjesë e parë, përmes mediave sociale, shërben si stacion për shumë nga fanatikët që të fitojnë një status dhe të shërbejnë në statuse të tjera më të avancuara. Është gjithnjë e më shqetësuese kur përplas një argument më të sofistikuar sepse turma e fanatikëve është gati të vendosë të gjithë arsealin e vet kundër teje, që vjen edhe si pasojë e tru-shplarjes që imponohet mbi fanatikët. Të pahonepshëm një masë jo e pakët e tyre, që nuk e fshehin identitetin dhe janë gati të bëjnë gjithçka.
Trishtimi shtohet kur sheh njerëzit e rinj të PS dhe PD, por edhe të LSI-së dhe mënyrën sesi artikulojnë ose errësirën e madhe që kanë para syve…Nëse Diktatura e dikurshme e Proletariatit kishte të përcaktuar norma dhe një moral, ku shumë mundoheshin të ishin korrekt prej frikës së pasojës, sot kjo nuk ekziston: Duhet të presësh sulme nga kushdo dhe për çdo gjë! Urrejtja më e madhe është tek njeriu që u thotë diçka ndryshe ose artikulon, provon me fakte dhe është në gjëndje të vërtetojë diçka. Ndaj, fanatikët e sotëm, një pjesë thjesht njerëz kallp që kërkojnë pak identitet, përbën një nga shqetësimet më të mëdha për punonjësit dhe njerëzit që kërkojnë të vërtetën. Ndoshta forcimi i demokracisë, funksionimi i institucioneve të pavarura, si të tilla mund të arrijë të vendosë disa norma, por edhe do t’u vendosë frerin kinse fanatikëve, që politika i mban dhe i ruan ende si armë e fshehur.
“Problemi themelor i shekullit XXI ka për të qenë fanatizmi. Fanatizmi ka të bëjë me faktin që jemi vazhdimisht dhe plotësisht të bindur se e kemi për detyrë të ndryshojmë tjetrin. Fanatiku është përherë vetëmohues: dëshiron të të ndryshojë edhe kur ti vetë nuk ke dëshirë. Dhe, po nuk të ndryshoi, të vret; të vret për të të bërë mirë, ngaqë të do…”!!!-, shkruan Amos Oz.
Zgjidhja nuk gjendet te fanatizmi, por te perceptimi i dobisë së kompromisit. Besoj se që nga koha e Enriko Berlinguerit dhe të shumëpërmendurit “Kompromos historic”, nuk kam dëgjuar kurrë tjetërkënd që të mos ketë frikë të shpërfaqë një koncept, i cili, në Greqi, (por edhe në Izrael, edhe në dhjetra vende e qytetërim të tjera), tingëllon pothuajse si sakrilegj, shkruan Anteos Hrisostomidhis, një nga gazetar i njohur grek, që e bëri Amos të flas për temën e tij lidhur me Fanatizmin.
“Kompromisi është jetë. E kundërta e kompromisit është fanatizëm dhe vdekje. Kompromis do të thotë të gjesh një zgjidhje, e cila nuk ka për të bërë asnjërën palë të lumtur, por do t’u japë mundësinë të dy palëve të jetojnë”…,do shkruante Os.
Nëse për botën tashmë problem është terrorizmi, lufta në Ukrainë, mbijetesa ndaj epidemive, etj., tashmë për ekspertët e komunikimit një problem pa zgjidhje është roli i fanatikut dhe anathema e tij ndaj çdo gjëje të re. Figura të shquara e kanë identifikuar fanatizmin si një sindromë kulturore, apo edhe një psikopatologji të thellë, që mund të na mundësojë të shpjegojmë rritjen e supozuar të dhunës mbikombëtare, cilësoi tek “Fanaticism: A brief history of the concept”, studiuesi Alberto Toscano. Që i shtoi argumentit të vet historik edhe përcaktimin e dy publicistëve të njohur Fernando Savater dhe Alain Finkielkraut, të cilët (në “El Pais” dhe “Libération”, respektivisht) kanë njohur shfaqjen e një subjekti të ri global në protestat dhe polemika kundër karikaturave të Muhamedit të botuara në Danimarkë – që e etiketuan si “fanatiku pa kufij” .
Ka ardhur koha të mendohet për këtë ngarendje të frikshme të këtyre njerëzve përballë nesh por edhe ata që në rrjetet sociale e kanë kthyer çdo gjë në informalitet të frikshëm të palogjikës dhe fyerjes. Ai duket se të ndjek dhe të përqesh kudo, paçka se nuk kurajën e nuk e provon dot veten asnjëherë. Fanatiku i çdo lloji nuk merr parasysh fyerjen por logjikon thjesht për cilësinë dhe masën e helmit që derdh dhe sa arrin ta mposhtë njeriun. Të ndryshmin. Fanatiku, duke mos u njohur, është i sigurt, por pa ditur askurrë peshën për dëmin e krijuar, që e bën me fletë. Militantët e partive, më pak ata fetarë e besimtarë, që aktivizohen në raste specifike por që nuk bien më poshtë, shtuar me homofobët e moralistët e kanë bërë njeriun e thjeshtë dhe intelektualin e sotëm shqiptar të druhet dhe njerëzit publikë të jenë gjithnjë e më të stepur. Fatkeqësisht, demokracia shqiptare e ushqen fanatikun, pa ditur se humbësi më i madh është vetë shoqëria…e mbi të gjitha vendi ynë dhe tradita e pakët që nuk po krijon dot në demokraci. (Homo Albanicus)