Nëse marrëveshja Themelore me Kishën Ortodokse Serbe do të nënshkruhet javën e ardhshme, Milo Gjukanoviç do të kërkojë zyrtarisht rrëzimin e qeverisë. Këtë e ka bërë të ditur vetë presidenti malazez në një intervistë për N1. Ai theksoi po se interesat shtetërore të Malit të Zi nuk ishin të mbrojtura sa duhet në tekstin e asaj kontrate.
Sipas Gjukanoviç, marrëveshja në fjalë përmban pjesë të cilat “falsifikojnë historinë e Malit të Zi”.
Presidenti malazez tha po ashtu se beson se Kushtetuta dhe ligjet e Malit të Zi janë shkelur në disa pika të tekstit të Marrëveshjes Themelore. Sipas tij, marrëveshja do të ishte e pranueshme për nënshkrim nëse nuk do të kishte interpretime të historisë.
Gjukanoviç ka paralajmëruar edhe një datë se kur mund të bjerë qeveria e kryeministrit Abazoviç, duke caktuar të dielën si ditën për të vepruar.
“Abazoviç vendosi krejt papritur të riformulojë prioritetet e agjendës së qeverisë, në mënyrë që në vend të përmbushjes së kapitujve 23 dhe 24 të negociatave, të vinte në plan të parë nënshkrimin e kontratave për çështje me interes të përbashkët për Qeverinë e Malit të Zi dhe Kishën Serbe. Ai vendosi të mos pranojë një proces më gjithëpërfshirës para se qeveria të marrë një vendim. Gjithçka që është bërë në atë plan është bërë shumë ngathët”, tha ai.
Gjukanoviç theksoi po ashtu se qëllimi i tij është që t’u dalë në krah njerëzve të Malit të Zi.
“Unë nuk jam as antiserb e as antikroat, unë jam malazez, një njeri që ka ndjenjat më të mira për të gjithë ata që jetojnë në Mal të Zi dhe për të gjithë nga mjedisi ynë. Prandaj nuk më shkon mendja të shmang Beogradin.”
I pyetur nëse do të kandidojë sërish për president të Malit të Zi në zgjedhjet e vitit 2023, ai përgjigjet se nuk ka vendosur ende për këtë, por shton se privatisht është gjithmonë më afër të qenit jashtë politikës, pasi siç thotë ai, kur dikush shpenzon kaq shumë kohë për disa punë të vështira, pastaj lodhet.