MENU
klinika

Tenis

Historike në Wimbledon çifti finalist i femrave

08.07.2022 - 11:35

Tenitsja tuniziane Ons Jabeur dhe ajo kazake Elena Rybakina janë dy finalistet e grand slam të Wimbledon për femra, finale që do të luhet ditën e shtunë në fushat me bar të Londrës.

Kjo është hera e parë për të dyja tenistet që shkojnë në finalen e një turneu të madh. E veçantë kualifikimi i Ons Jabeur, numri 3 në botë, që bëhet tenistja e parë afrikane që shkon në finalen e një grand slam. Historike për të dhe këtë sport.

Ajo mundi 2-1 (6-2, 3-6, 6-2) rivalen gjermane Tatjana Maria, numri 103 në botë, një emër surprizë. Përballë saj në finale do të jetë kazakja Elena Rybakina, e cila deri në vitin 2018 luante për Rusinë. Ajo mposhti 2-0 në gjysmëfinalen tjetër (6-3, 6-3) rumunen Simona Halep, që ishte favoritja kryesore mes katër gjysmëfinalisteve (e ka fituar këtë turne në vitin 2019).

Gjithsesi, fusha tregoi të kundërtën, me Rybakina (numri 17 në botë) më të karikuar dhe superiore në fushë, duke e merituar fitoren. Ajo është gjithashtu tenistja e parë nga Kazakistani që arrin në finalen e një grand slam.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN