U nda nga jeta në moshën 90-vjeçare prof. Ferdinand Leka, gjuhëtar, përkthyes i mirënjohur dhe emër i shquar i mendimit shqip.
Prof. Ferdinand Leka lindi në Shkodër më 18 prill, 1930. Në qytetin e lindjes kreu gjimnazin e pasi shërbeu disa vjet si nëpunës, ndoqi studimet në degën e gjuhës e të letërsisë ruse në Universitetin e Tiranës, ku u diplomua më 1960, me rezultate të larta. Po atë vit, filloi punën në sektorin e terminologjisë të Institutit të Historisë e të Gjuhësisë.
Prof. Leka ka qenë një nga 87 pjesëmarrësit në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, të vitit 1972.
Në fushën e terminologjisë, ai ka dhënë kontribut në hartimin e fjalorëve terminologjikë shumëgjuhësh, që përmbajnë me dhjetëra mijëra terma. Në vitet 1975-1980 u përfshi në grupin e hartuesve të “Fjalorit të gjuhës së sotme shqipe”
Së bashku me poliglotin Zef Simoni, hartuan një fjalor italisht-shqip me rreth 50 mijë fjalë (botimi i parë 1986 dhe disa ribotime të plotësuara e të përmirësuara).
Në fushën e gjuhësisë prof. Leka ka dhënë ndihmesë me vlerë edhe duke redaktuar e përgatitur për botim vepra të tilla, si studimi “Neologjizmat e K. Kristoforidhit”, i hartuar nga Kolë Ashta; “Fonetika” e Kostaq Cipos (botim i Akademisë së Shkencave); “Fjalor arbërisht – shqip” i Kolë Kamsit (botim i Universitetit të Shkodrës)
Prof. Leka shquhet si një gjuhëtar me prirje letrare dhe interesa të gjera në këtë fushë, që i ka shfaqur jo vetëm në përkthimet e disa veprave madhore të letërsisë së huaj, por edhe në shkrime studimore.
Prej viteve ’90 i kushtoi vëmendje të veçantë studimit letrar të krijimtarisë së Gjergj Fishtës, duke përmbledhur në disa shkrime meditimet dhe vëzhgimet shumëvjeçare rreth veprës letrare e kulturore, të pashembullt, të Gjergj Fishtës.
Gjatë këtij 50-vjetori të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, profesori ishte duke shkruar kujtimet mbi këtë ngjarje madhore për gjuhën shqipe.
Prof. Ferdinad Leka është autor i veprave studimore, si “Fjalori i Ri Kompakt Italisht-Shqip dhe Shqip-Italisht”, “Ushtrime përgatitore për një italishte me themel”, “Fjalori themelor Italisht-Shqip (Dizionario Fondamentale Italiano-Albaneze”)”, “Fjalori i Termave të Letërsisë”, “Antologji e Historisë së Kohës së Vjetër, Qytetërimet e Lashta, Lindja e Lashtë, Greqia, Roma, Ilirët” etj. Përkthimeve si: “Faik Konica” “Shqipëria, Kopshti Shkëmbor i Europës Juglindore”, titulli i origjinalit “The Rock garden of Southeast Europe”, “Histori e Kishës, Zhvillimi i Jetës së Kishës nga rreshajet deri në ditët tona”, Michel Lemonnier, “Botëkuptimi i Dostojevskit”, Nikolai Berdjajev, “Zanafilla dhe kuptimi i komunizmit Rus”, Nikollaj Berdajev, “Jezusi i Nazaretit”, Joseph Ratzinger (pjesa e dytë nga hyrja në Jerusalem deri te ngjallja), Henry Barraud, “Për të kuptuar muzikën e sotme” etj.