MENU
klinika

Çelja e negociatave

Joe Biden: Përshëndesim hapin e rëndësishëm drejt integrimit në BE të Shqipërisë dhe RMV

19.07.2022 - 16:13

Presidenti amerikan Joe Biden ka reaguar pas çeljes së negociatave me BE. Ai ka përshëndetur vendimin e Komisionit Europian për të hapur negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Biden në një reagim të shpërndarë nga ambasadorja amerikane në vendin tonë shprehet se “në një moment kur Rusia ka shkatërruar paqen në Evropë, është më e rëndësishme se kurrë të mbështesim aspiratën për një Evropë të plotë, të lirë dhe në paqe”.

Mesazhi:

Shtetet e Bashkuara mirëpresin hapat e rëndësishëm që Bashkimi Evropian po ndërmerr për të çuar përpara integrimin e Ballkanit Perëndimor në komunitetin euroatlantik duke hapur bisedimet e pranimit në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Në një moment kur Rusia ka shkatërruar paqen në Evropë, është më e rëndësishme se kurrë të mbështesim aspiratën për një Evropë të plotë, të lirë dhe në paqe. Një Ballkan Perëndimor demokratik, i sigurt dhe i begatë mbetet thelbësor për këtë vizion. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të jenë një partner i fortë dhe i besueshëm ndërsa ato vende punojnë për të mbrojtur të drejtat e njeriut, për të forcuar reformat demokratike dhe për të mbështetur sundimin e ligjit. Hapat që BE, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë ndërmarrë ditët e fundit duhet të frymëzojnë të gjithë aspirantët e BE-së në rajon për të rritur angazhimin e tyre për forcimin e demokracive të tyre.