Romani nis me një vetëvrasje. Linda B., nuk ka “qenë asnjë ditë në liri”. Ajo ishte thjesht… një vajzë e penguar, e ndaluar, e përgjuar, e hetuar deri dhe në vetëvrasje… Ndërsa personazhi tjetër që i afrohet atij kryesor, dramaturgu dhe shkrimtari Rudian Stefa, do të ndërmarrë një hetim përkundër ngjarjes. Ai do të përpiqet ta “rijetojë” tashmë jetën e saj, për të zbuluar margaritarin e një dashurie të mohuar, të një trupi marrë peng, një shpirti që nuk gjen qetësi në të gjallë… Një dashuri që rritet brenda irealitetit të vet.
Pengjet, brengat në kërkim të ndjenjave që u vranë dhe dashuritë e ndaluara. Ismail Kadare, pikërisht në romanin si një metaforë e vetmimit të Orfeut, e titullon thjesht, por me ç’barrë të rëndë: “E penguara” – Euridika e tij e penguar quhet Linda B., si zonjusha B. e Migjenit. Kjo tablo e errët është njëherësh, klimtha e shpirtit të shkrimtarit, e vajzës që u privua nga jeta dhe gjithë shoqërisë.
Romani “Një vajzë në mërgim” (Elegji për Linda B.), përkthyer në gjuhën perse nga Mahmoud Gudarzi dhe botuar nga shtëpia botuese “Chetrang”, vjen edhe për lexuesin iranian. Kështu bën të ditur agjencia iraniane e lajmeve “Mehr”. Në fakt, ky nuk është romani i parë që përkthehet e botohet në Iran; e njëjta shtëpi, ka botuar më parë, romanin tjetër të Ismail Kadaresë “Drita e hënës”, sjellë në gjuhën perse nga i njëjti përkthyes.
Agjencia e lajmeve “Mehr”, vijon më tej, se Ismail Kadare, autori i këtij libri, ka lindur në vitin 1936 në Shqipëri dhe është një nga shkrimtarët e njohur të këtij vendi. Ai u largua nga Shqipëria në fillim të viteve 1990, për t’u strehuar në Francë. Kadare u bë anëtar i Akademisë Franceze të Shkencave Morale dhe Politike në vitin 1996 dhe më pas, mori titullin “Legion d’ Honneur”.
Romani i tij i parë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, u botua në vitin 1961. Më vonë, botoi rreth 20 novela dhe disa libra me poezi. Shkrimtari shqiptar është një nga kandidatët për çmimin “Nobel” në letërsi, çdo vit.
Ky roman i Ismail Kadaresë, synon të zbulojë sekretin e vetëvrasjes së Linda B, një vajze të re shqiptare që jetoi gjatë sundimit të Enver Hoxhës, diktatorit të këtij vendi dhe u internua me familjen e saj, në një fshat jashtë Tiranës.
Ndërsa një personazh i quajtur Rodian Stefa, një dramaturg nga Tirana, për Lindën është njeriu që simbolizon kulturën dhe artin në mërgim. Dramaturgu, nuk e ka takuar kurrë Lindën, por firmos një libër për të dhe pasi dëgjon lajmin për vetëvrasjen e saj, përpiqet të kuptojë rolin e tij në zanafillën e kësaj tragjedie…
Kadareja e shkroi romanin “Një vajzë në mërgim”, në 13 kapituj, midis viteve 2008 – 2009, si një homazh të gjitha të rejave shqiptare që lindën, u rritën dhe kaluan rininë në internim – përfundon prezantimi i letërsisë shqipe.