MENU
klinika

Vendimi

Kosova detyron lokalet që të shërbejnë ujë nga çezma

12.07.2022 - 11:51

Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin që detyron lokalet e gastronomisë që t’u shërbejnë klientëve ujë nga çezma në rast se furnizohen nga ujësjellësi publik.

Ministri i Shëndetësisë, Dr. Rifat Latifi prezantoi para kabinetit qeveritar standardet për cilësinë e ujit për konsum për të mbrojtur shëndetin e njerëzve.

“Me qëllim që të vendosim standardet normative për cilësinë e ujit të destinuar për konsum njerëzor, propozoj aprovimin e vendimit që në rastet kur objektet e gastronomisë furnizohen nga ujësjellësi publik, pronari i biznesit nuk mund t’i ndalojë klientët të shërbehen me ujë rubineti,” tha Latifi.

Në rastet kur bizneset nuk furnizohen nga ujësjellësi publik, duhet të zbatojnë planin e monitorimit të cilësisë së ujit dhe të pajisen me certifikatën e cilësisë së ujit nga Instituti i Shëndetit Publik në Kosovë. Propozimi i ministrit Latifi u miratua.

“Vendim i qëlluar. Megjithëse për dikë mund të duket vendim i vogël, ka një ndikim direkt në xhepin e qytetarit,” thanë disa qytetarë për Euronews Albania.

“Nuk ka qenë diçka e re për ne pasi kemi shërbyer gjithmonë ujë. Uji është i pijshëm, gjithmonë e kemi shërbyer. Është shumë e thjeshtë, shpenzimet janë minimale,” tha për Euronews Albania menaxheri i një lokali, Fanol Duli.