MENU
klinika

Akuzat

Kryebashkiakja e Dimalit në SPAK/ Padit Juliana Memën

29.07.2022 - 10:17

Një tjetër përfaqësuese e pushtetit lokal ka përfunduar në dyert e SPAK. Kësaj radhe bëhet fjalë për kryetaren e Bashkisë së Dimalit, e cila është mundur nga një familje që e ka kallëzuar për shkatërrim të pronës. Historia në fakt daton dy vite më parë, kur çifti i bashkëshortëve nga Dimali iu drejtuan Prokurorisë së Beratit për të hetuar dhe verifikuar pretendimet e tyre, pretendim që gjykata e rrethit e ka çmuar të saktë dhe të bazuar në ligj.

Por në lidhje me emrin e kryebashkiakes së re të Dimalit, kjo nuk është rasti i parë që vjen në dyert e SPAK. Ajo u kallëzua më herët nga banorët e Lumasit, të cilët, përveç firmës që iu “shkatërroi” lumin e tyre, ata paditën edhe Memën.

123 banorët e këtij fshati kërkuan ndjekje penale për shtetasin Pëllumb Salillari, të cilin e akuzuan për disa vepra penale, vepra që ia faturuan edhe kryebashkiakes. Ky kallëzim ende nuk dihet nëse ka nisur të shqyrtohet në Prokurorinë e Posaçme.

BETEJA PËR PRONËN

Pas një beteje që zgjati plot 2 vite me procese gjyqësore të pafundme, Petrit Baho më në fund do të gëzojë pronën e tij, pasi e fitoi çështjen ndaj kryebashkiakes së Dimalit, Juljana Memaj, të cilën e paditi për shkatërrim prone. Gjykata e Beratit e përcolli në SPAK vendimin për të hetuar zyrtaren Memaj për “Shpërdorim detyre” dhe “Falsifikim dokumentesh”.

Bashkëshortët Baho nga fshati Poshnje tregojnë se kalvari i padrejtësive dhe përpjekjeve nisi 2 vite më parë, kur Bashkia Dimal iu mori pronën e tyre, të cilën bashkëshortët thonë se e disponojnë me certifikata të rregullta dhe ia dha një shtetasi tjetër për ndërtimin e një resorti.

Bashkëshortët Baho denoncuan kryebashkiaken e Dimalit, Juljana Memaj, si dhe 2 punonjës të IMTsë për shpërdorim detyre, shkatërrim të pronës private, mashtrim dhe falsifikim.

Sot, pas një hetimi 2- vjeçar, Gjykata e Beratit ka përfunduar gjykimin e çështjes dhe i ka dhënë të drejtë Bahos, pasi sipas provave, ka rezultuar se Bashkia Dimal ka shkelur ligjin dhe ka favorizuar haptazi për qëllime përfitimi shtetasin tjetër, duke ndërtuar pa leje një resort dhe një klinikë mjekësore në pronën e Bahos dhe në “tokë shtet”.

Në përfundim, Gjykata e Beratit vendosi që bashkia të pushojë cenimin e pronësisë së paditësit Petrit Baho dhe të mos e përsërisë më në të ardhmen, si dhe të prishë me shpenzimet e veta ndërtimet mbi pronën e paditësit.