MENU
klinika

“Mjekët kanë nevojë të lëvizin”

Latifi në Vjenë kërkon liberalizim të vizave

16.07.2022 - 08:28

Ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Rifat Latifi, gjatë qëndrimit në Vjenë ka takuar dy eurodeputetët austriakë, Lukas Mandl e Andreas Schieder, si dhe përfaqësuesit e Shoqatës së Miqësisë Austri-Kosovë.

Në këtë takim, ministria njoftoi se u bisedua për mundësinë e zhvillimit të sistemit shëndetësor të Kosovës, e po ashtu edhe për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Për këto çështje, thuhet se Latifi kërkoi nga eurodeputrtët lobim më të madh në institucionet e Bashkimit Evropian, në mënyrë që të bëhet lëvizja më e lehtë e mjekëve dhe e qytetarëve të Kosovës në përgjithësi në shtetet e Bashkimit Evropian.

“Ministri Latifi, theksoi se mosliberalizimi i vizave po na shkakton shumë probleme në shkëmbimin e përvojave dhe trajnimin e stafit të mjekëve, infemierëve dhe teknikëve, në vendet e Bashkimit Evropian”, thuhet në komunikatën për media.

Kurse, me përfaqësuesit e Shoqatës së Miqësisë Austri-Kosovë, Latifi kërkoi nga të pranishmit bashkëpunim, angazhim dhe mbështetje në transformimin e sistemit shëndetësor të Kosovës

“Ndërkaq, eurodeputetët austriak, Lukas Mandl dhe Andreas Schieder, premtuan angazhim më të madh për çështjen e liberalizimit të vizave, edhe pse Austria mbështet një gjë të tillë, e po ashtu edhe në përmirësimin e sistemit shëndetësor të Kosovës”.

“Kurse, përfaqësuesit e Shoqatës së Miqësisë Austri-Kosovë, thanë se ata çdo herë do të jenë në mbështetje të ministrit Latifi, për të gjitha kërkesat që kanë të bëjnë me përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për pacientët.”