Sot në mëngjes Edi Rama shpërndau në Facebook një video nga Rally Albania, duke u uruar si çdo ditë shqiptarëve një ditë të mbarë (https://www.gazetatema.net/sociale/video-rama-shperndan-pamjet-nga-rally-albania-330-garues-pershkuan-1900–i346635) .
Dikush më tha që kjo video argëton ata që paguajnë 30 euro për shezlong në rezortet luksoze të bregdetit të Jonit, e jo pensionistët qëmezi paguajnë 3 euro për gjysëm litri vaj lule dielli…
I nxitur nga kjo thënie, iu ktheva dy sondazheve rigoroze që kam zhvilluar në terren vjet në shtator e sivjet në mars. Nga ato më rezultoi se gjysma e të anketuarve (18 vjeç e sipër) kanë të ardhura personale mujore nga 0 deri në 9 euro në muaj (0 deri 325 mijë lekë të vjetra). Por për çudi, përqindja e të varfërve (me të ardhura personale poshtë 325 mijë lekëtë vjetra në muaj), që kishin votuar vjet për PS-në, ishte e barabartë me përqindjen e të pasurve (me të ardhura personale mbi 325 mijë lekë të vjetra në muaj), që kishin votuar për PS-në.
Si çdo sondazh, edhe sondazhet e mija bazohen në vetdeklarim. Prandaj, për të qenë brenda, iu referova shifrave zyrtare të INSTAT-it dhe KQZ-së.
Rreth 660 mijë banorë tërritur tëShqipërisë janë pensionistë ose invalidë. Dhe shumica dërrmuese e tyre e kanë pensionin ndjeshëm më të vogël se 325 mijë lekë të vjetra në muaj.
Rreth 90 mijë banorë të rritur të Shqipërisë janë të regjistruar zyrtarisht si të papunë (përveç atyre që s’janë të regjistruar). Dhe të gjithë ata i kanë të ardhurat personale shumë më pak se 325 mijë lekë të vjetra në muaj.
Rreth 450mijë banorë të rritur të Shqipërisë punojnë në bujqësi. Dhe shumica dërrmuese e tyre i kanë të ardhurat personale ndjeshëm më pak se 325 mijë lekë të vjetra në muaj.
Po t’i mbledhim shifrat e mësipërme, rezulton se pothuaj 1.2 milionë banorë të rritur të Shqipërisë kanë të ardhura personale mujore më pak se 325 mijë lekë të vjetra në muaj (më pak se 9 euro në ditë). Nga ana tjetër, duke përdorur koeficientët e INSTAT-it mbi vdekshmërinë dhe emigracionin rezulton se vetëm 2.1 milionë banorë të rritur kanë mbetur aktualisht në Shqipëri. Pra, më shumë se gjysma e banorëve të rritur kanë të ardhura personale nga 0 deri në 325 mijë lekë të vjetra në muaj…
Tani të kthehemi te KQZ-ja. Kjo e fundit nuk ka të dhëna sesi votojnë të varfërit e si të pasurit, por ato tregojnë një trend shumë të qendrueshëm të votave të koalicioneve të Ramës në zgjedhjet parlamentare qysh nga 2009-ta deri më 2021.Rreth 800 mijë e votuan koalicionin e Ramës më 2009 (disave u doli vota e pavlefshme, për shkak të fletëvotimeve të gjata si çarçaf). Rreth 1 milion e votuan koalicionin e Ramës më 2013 (por 180 mijëprej tyre votuan LSI-në). Rreth 800 mijëvotuan për PS-nëdhe aleaten e saj PSD më 2017. Përsëri,mbi800 mijë votuan për PS-në dhe aleaten e saj PSD më 2021(disave u doli vota e pavlefshme, për shkak të fletëvotimeve të fjalëkryq).
Me pak fjalë, sado i varfër ky popull e sado video si ajo e përmendur më sipër të publikojë Edi Rama, deri më sot, muri i tij elektroal nuk ka rënë poshtë 800-mijëshit. Të shohim nëse ky mur do t’i rezistojë krizës së madhe ekonomike që pritet në dimrat e ardhshëm…