MENU
klinika

"Mea culpa"

Mitrush Kuteli dhe Akademia e Shkencave

10.07.2022 - 11:01

        Shkrimtar, përkthyes dhe studiues. Së bashku me Koliqin, përfaqësojnë bashkëthemeluesit e prozës moderne shqipe dhe njihen ndër nismëtarët e kritikës letrare.

Mitrush Kutelit iu rihapën dyert e Akademisë së Shkencave, në 115-vjetorin e lindjes.

Dorëshkrimi i veprës së tij “E madhe është gjëma e mëkatit” ishte dhurata nga familja për akademinë, ndërsa pinjollët e tij morën në shkëmbim si dhuratë, dorëshkrimin e sapozbuluar “Ditari i Bankës Kombëtare”.

Takimi gjatë fundjavës, do të niste me një “mea culpa” nga kreu i Akademisë, Skënder Gjinushi, i cili, pranoi se shoqëria dhe akademia, nuk kanë bërë asgjë për të. Ndërsa emri i tij i gdhendur në gojëdhëna dhe balada shqiptare, një emër i nëpërkëmbur sa dhe i mohuar nga regjimi komunist, bëhet pjesë aty ku përkon… pas vitesh ndalimi.

“Kuteli ishte i ndaluar në të tria rastet që ishte mundësia e rikthimit të tij në historinë e letërsisë. Më 1958-1959, edhe më keq në 1967-1968, kur u hartua një vëllim i tretë i historisë së letërsisë shqipe 1912-1939. Mbetën tre të tjerë jashtë, mes të cilëve edhe Mitrush Kuteli. Vazhdonte të mbizotëronte opinioni, se ai ishte kolaboracionist. Edhe më 1983, pasi ishte bërë gati teksti, u vendos të përjashtohej”, – tha akademiku Shaban Sinani.

Për babanë përtej intelektualit, për prindin përtej figurës së mohuar, për atin që jetonte dy jetë, i biri Pandeli Pasko, kujton shembujt që mori prej tij.

Ai vëren se babai “ishte njeriu i qetë që dinte të imponohej, njeriu punëtor dhe i drejtë”.

“Nuk arrij të kuptoj sesi ai, në atë ngushticë që jetonim ne, arriti të punonte e të nxirrte ato kryevepra, si shkrimtar e përkthyes.

Atëherë ai ishte për ne, babai i shumëdashur që gjente kohë edhe të na nxirrte shëtitje. Në ato kushte ishin krijuar dy botë, një e jashtme e frikshme dhe një e brendshme, me familjen. Porosia e tij për ne ishte haptazi, ‘kujdes, nuk duhet t’ju shtrembërohet shpirti’.

Ai vetë e dha këtë shembull e nuk u përkul. Mund të kishte bërë edhe ai, ndonjë poezi për pushtetin, por nuk ai nuk u dha”, – thotë Pandeli Pasko, i biri i Mitrush Kutelit.

Teksa u nderua me titullin “Nderi i Akademisë së Shkencave”, për dekada Kuteli mbeti jashtë dyerve.

Puna e tij në bankën e Shqipërisë në vitet e luftës, do t’i kthehej në lak, në vitet pas saj. Një ndër themeluesit e prozës moderne shqipe, do të përjetonte burgun dhe do të shuhej para kohe.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Një amanet që ka hyrë në historinë shqiptare

“Amaneti i Mitrush Kutelit” – Letra, drejtuar së shoqes…

Një përrallë e re...

Dhoma me flori e Mitrush Kutelit

Kuteli i gjuhës shqipe...

“E madhe është gjëma e mëkatit”


U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit