MENU
klinika

Një kolos i keqkuptuar!

Në 100-vjetorin e lindjes së aktorit tragjik të komedisë…

04.07.2022 - 11:59

         Po. Ai ishte komik në skenë dhe tragjik në jetë! Që pa edhe lavdinë nga e qeshura, prej artit të tij virtuoz, po edhe zgripin e hidhur të vdekjes. Kishte lindur pikërisht 100 vite më parë,- nëse duhet t’i besojmë “Wikipedias”,- më 4 korrik të vitit 1922 në Tepelenë dhe largohet nga jeta në Romë, 15 vite të shkuara, thuajse i harruar e i mallkuar, sepse dashuroi një vazë të re, që përgjëroheshin për njëri-tjetrin e bëri po atë gjest që kanë bërë edhe shumë të tjerë njerëz të kësaj bote, duke përfshirë edhe kryeministra e perandorë shtetesh të ndryshme: e mori për grua!..

   Nga: Miho Gjini

Virtuoziteti artistik
Aktori Viktor Gjoka, në skenën e Teatrit Popullor ka qenë një nga figurat më interesante të komedisë, tepër i veçantë, me një fizionomi individuale gati të papërsëritshme. Erdhi në këtë teatër nga grupet amatore, konkuroi dhe fitoi menjëherë të drejtën e ngjitjes në skenë. Qysh në rolet e tij të para u shqua për gjallëri dhe siguri skenike, si edhe për sensin humoristik e satirik të interpretimit. Regjisori veteran Sokrat Mio, i sapokthyer nga Franca, duke vënë në skenë komedinë “Revizori” të Gogolit (premiera e së cilës u dha më 25 janar 1947), i dha Viktorit rolin e policit Zvistunov, që qëndronte gjithmonë pranë prefektit (Mihal Popit). Ky debutim, gati episodik, i shërbeu atij si një shkollë e vërtetë aktrimi. Të interpretoje atëherë përkrah Mihal Popit, për çdo aktor ishte një përfitim i madh, jo vetëm se ai kishte 30 vjet përvojë skenike, por se zotëronte, mbi të gjitha, një talent e komicitet të jashtëzakonshëm, për të cilin shkruanin me veneracion edhe gazetat italiane…

“Isha fare i ri, – më rrëfente Viktor Gjoka, gjatë kohës që unë shkruaja monografinë për Mihal Popin, – dhe, në njerën nga shfaqjet (si ordinancë që isha) bëra dy gabime. Që të dyja gabimet m’i fshehu me shumë sukses Mihali, i cili e zotëronte skenën me forcë sugjestionuese, duke korrigjuar shpesh edhe ndonjë “fiasko” që bënim ne”. Fillimisht Viktor Gjoka luante në skenë vetveten, ashtu siç ishte në jetë, i zhdërvjellët dhe hokatar. “Frika skenike” nuk ekzistonte për të. Duke punuar me regjisorin rus Kriçko, në dramën e Sofronovit “Karakter i Moskovit”, Viktori nisi të kërkojë për personazhin detaje të veçanta, sado “të vogëla” që të ishin. Kjo shfaqje, që u dha në dhjetor të vitit 1949, si edhe “Nderi i familjes”, që u realizua në vitin 1953, patën për të një vlerë të madhe, ngaqë kishte si partnerë aktorë kalibri, siç qenë Naim Frashëri, Kadri Roshi, Pjetër Gjoka e Drita Pelingu.
U krijua tanimë bindja e padiskutueshme që Viktor Gjoka ishte një talent i lindur në fushën e komedisë, që mund të përballej me sukses edhe me figura të mëdha. Kështu, në rivënien në skenë të komedisë “Revizori” të Gogolit prej regjisorit Andrea Malo, atij iu besua roli i Hlestakovit. Viktor Gjoka hyri në lëkurën e këtij batakçiu të përsosur, që i pillte guverna e kalbur ruse, i cili ka kurajon të përpiqet të triumfojë mbi këdo, bile edhe kundër një kryebatakçiu, si Prefekti Gorodniç. Me një lojë brilante, plot vitalitet skenik, ai u gjend këtu çuditërisht i barabartë me Mihal Popin, korifeun e skenës shqiptare, i cili, siç pohon vetë më poshtë, kishte një forcë të madhe gravitacioni. “Kur më kanosej prefekti i Mihalit, – rrëfen Viktori, – unë bëhesha sa një grusht. Vërtetësia e tij, forca interpretuese, bënte që të shtangesha e të shndërrohesha befas në një Hlestakov të vërtetë…”. Talenti i këtij aktori të komedisë, që se përmbante dot skena për vitalitetin që kishte, po edhe për komicitetin e natyrshëm, i bëri përshtypje edhe regjisorit -pedagog Kujtim Spahivogli, i cili e angazhon menjëherë në vënien në skenë të komedisë së Shekspirit “Gratë gazmore të Uindstorit” për të interpretuar rrishtazi përbri Mihal Popit. Të njëjtën gjë do të bënte Spahivogli edhe kur vuri në skenë komedinë e Karaxhales “Një letër e humbur”, ku Viktori “i qante” edhe “rolet e vogëla”, me nje interpretim brilant e tipizues.

Pas këtij suksesi të padiskutueshëm, Viktor Gjokës iu dha e drejta për të studiuar në një shkollë teatrale të ish Bashkimit Sovjetik. Studioi në kryeqytetin Baku të Azerbaxhanit, nga ku do të kthehej pas dy vjetësh, si pasojë e prishjes së marrëdhënieve me vendin e sovjetëve. Që së bashku me Petro Kostën nga Gjirokastra, të cilin e sollën në kursin tonë, në vitin e tretë të aktrimit, duke na “shkrirë së qeshuri!” edhe me disë fjalë turçe që kishin mësuar aty. Por, ndërsa Petroja do të vazhdonte studimet e larta të aktrimit me ne, Viktor Gjoka e kishte vendin e tij “vakant” në Teatrin Popullor, ku e priste një repertor akoma edhe më i suksesshëm: “Karnavalet e Korçës” në vitin 1964 dhe “Fytyra e dytë” më 1968. Këto dy shfaqje e lartësojnë emrin e Viktor Gjokës në pozicionin e të barabartëve… Se, Nikollaq Jorganxhiu, te “Karnavalet e Korçës”(e shkruar nga Spiro Çomora dhe e vën në skenë nga Pandi Stillu), tregoi që Gjoka ishte një aktor karakteresh, i aftë të “pikturojë” portrete të përsosura artistike. Tregtari cingun i Viktor Gjokës, i veshur aq bukur me koloritin korçar, me atë sjelljen provinciale e me atë gojëtari prej mburraveci, do të rrëfejë së fundi cakun degradues të parasë, si qëllim në vetvete dhe atë tatëpjetë të borgjezisë së vogël të provincës, të rrethuar nga injoranca e asaj kohe. Mjaftonte ai “detaj i parasë” që ai i rrëfente Olimbisë me gishtrinjtë e mbledhur, sesa vlente në atë tipizim figure aq organike, si e marrë direkte nga dyqanet korçare të atyre viteve…

Në një plan tjetër e interpreton Viktor Gjoka personazhin simpatik të Dritëro Agollit, xha Halilin, tek drama -satirë “Fytyra e dytë”, duke na dhënë si në pëllëmbë të dorës fshatarin e zgjuar e babaxhan, që “s’ia ha qeni shkopin”. Ai është në skenë “tëpkë” (siç shprehen korçarët) njeriu i mirë i fshatit, qejfliu i trapezit, dollibashi i palodhur i “betejës me gotat e rakisë”, shpotitës e inatçi njëherësh, tërë vrulle kur e do puna dhe fare i qetë kur e “peshon muhabetin”. Ky Halil i Viktor Gjokës mbeti si një “perlë” në gjerdanin e interpretimeve virtuoze të aktorëve shqiptarë.Po ashtu, edhe si një DEVOLLI (këmbë e krrye) prej atyre brigjeve, që Dritëroi e ka futur edhe në poemën e tij, me një “trastë leshi nënë gunë, për t’ia sjellë Lidhjes së Shkrimtarëve!”…

Çdo aktor në bote ka kryerolin e tij, me të cilin mundet dhe të mburet, ashtu sikundër e ka këtë të drejtë legjitime kushdo shkrimtar, kompozitor, piktor, skulptor e arkitekt, ndërsa Viktor Gjoka, la pas vetes tre “margaritarë”: Hlestakovin, Jorganxhiun dhe xha Halilin. Me këtë pasuri, çdokush do të largohej i lumtur nga skena dhe nga jeta!..Se qenë si shembëlltyra studimi për artistët e rinjë që bënin shkollë e nuk e kishin këtë fat, lartësim modelesh interpretuese,-krejtë të pangjara me njëra-tjetrën dhe si “qëndisje”mjeshtërore të figurave artistike skenike, me “vis comika”,-nga ku e qeshura vinte si një burim katarakti malor, prej një aktori të pashkollë, që kishte si shkollë vetvehten…Një fenomen i papërsëritshëm!Triumf i vet-vehtes në gjininë më të vështirë të ateve.”Qeshja është kënga e triumfit,-thotë Marsel Panjoll,-Ajo e shprehë zbulimin e befasishëm të supermacionit momental të qeshësit ndaj personit me të cilin qeshet”. A thua se kishte tipizuar kështu dy epoka të shoqërisë shqiptare, të së kaluarës , si edhe njerën prej epokave të rusisë cariste, po aq të denja sa ti vendosje në Luvër, si skulptura universale e të papërsëritëshme…Por, të mos harrojmë që, ky artist gjenial, jetonte e krijonte në një realitet absurd.Dhe,të dy ata “Azerbaxhanasit” që u kthyen prej andeja me ca “copëra fjalësh turqisht e rusisht” do të kishin në jetë një “FAT TRAGJIK”që të dy: Petroja do të zhdukej nga Gjirokastra , pa “nam e nishan”, ndërsa Viktori do të merrte rrokullimën ndaj honeve të asgjësë…

Në “Greminën e Dashurisë”
Isha dy herë njëfarë “dëshmitari okular” i këtij “romani të verdhë”: Fillimisht si lexues, me faqet e një “letërsie të ndaluar”, që u shkrua edhe në dokumentat e mia “të zeza”, që do më trëmbte edhe kur e gjeta autorin e këtij romani, Mustafa Greblleshin, pasi dola nga “dyert e burgut”, kur u ndodha edhe përballë tij, në Komunalen e Tiranës, si një person”po aq i rezikshëm” , sa edhe atëhere kur ra nëpër “kampet” e diktaturës, po edhe , përsëdyti, kur ra në të njëjtën “Greminë Dashurie” edhe Viktor Gjoka! I akuzuar në Teatrin e vet , ku shkëlqeu si një “meteor i vetmuar” dhe i ndritshëm, si një “Prishës i moralit komunist” , kur shumëkush prej tyre e bënin këtë fshehtazi e pa u “hyrë gjë në këmbë”.Ndërsa Viktor Gjoka, në rrethanat e veta familjare, gjeti dashurinë reciproke, tek një vajzë e re me emrin Elena , rreth së cilës u “krijua, një thashemnajë” shumë e madhe, e Partia në teatër gjeti “terren” për ta “qërruar prishësin e moralit”, si të qe mpleksur me “Elenën e Trojës”, që, për koincidencë atëhere shfaqej në kinematë e Kryeqytetit. Duke e përplasur artistin e madh të komedisë së asaj kohe, në fshatin e Bërzhitës, në një ndëshkim, pa afat e pa ndonjë letër shoqëruese, sikundër qe vepruar ndërkohë dhe me Kujtim Spahivoglin e më ndonjë tjetër, si puna ime! Për të nisur kështu, edhe Viktor Gjoka, si “personazh i kohës”aktin e parë të një tragjedie pa akte,si një kalvar që kishte nevojë edhe për “viktima” nga skena e artit, sikur qe vepruar edhe me ata të ushtrisë, të ekonomisë, të naftës, pa nguruar edhe me ata që kishte përreth tij “Udhëheqësi i Ndritur”!

Qenë vitet 80 të shekullit të kaluar, kur akoma “kërrcisnin dhëmbët” e diktarurës më të egër që ka parë bota. Viktor Gjokës i kthyen krahët të gjithë miqtë që kishte e, sa herë që shkelte fshehtazi në Tiranë me Elenën e tij për dore, nëpër muzg e shi, vinin të hidhnin nga një sy nga ai “oborr i lumtur” i rinisë së tij artistike,-të artë,- kur ëndëronte edhe të mbronte diplomëm e regjizorit me dramën e Shilerit “Luiza Miler”, që shtjellonte temën universale të dashurisë dhe urrejtjes! Dhe aty, nën dëgët e dëndura të një pishe, askush nuk ia shihte lotët, përveç Elenës së tij, që nuk e la kurrë ta krryente vetëm ndëshkimin absurd, që në atë teater kërcënonte edhe artistë të tjerë, nga ata që mbanin mbi supet e tyre edhe “trarët Teatrit”, sikundër ishin edhe Naim Frashëri, Kadri Roshi, Sandër Prosi e Ilia Shyti. Kjo vajzë kurajoze, doli mbi thashemnajën, për hirë të dashurisë, edhe pse qe e kërcënuar edhe ajo nga krahu tjetër, si e bija e emigrantit Bullgar, sportistit Mihal Cere, i persekutuar edhe ai nga diktatura e E. Hoxhës, duke e sfiduar me guxim atë kohë të errët. E pashembëllt ndër shoqet e veta, në mbrojtje edhe të bashkëshortit të saj artist, tek e nëpërkëmbnin ca injorantë në Bërzhitë e ca të tjerë që venin aty për të parë sesi “kishte reflektuar” Viktor Gjoka që, sipas tyre: “bënte komedi me shtetin”! Mandejë , një personi të tillë, Viktori kishte marrë edhe guximin ta quante “qen bir qeni” nga që e provokonte pa rreshtur! Apo kur e kthyen në Tiranë, e aparatçiku e qërtoi artistin , me prishje buzësh se “e kishte bërë si lopa që e derdhi me shkelm kovën me qumështin e vet”, për të marrë pej tij, jo më me pak ironi, përgjigjen se: “grua desha e grua morra, një të vetme, e jo si Babë Myslimi që në shtëpinë e vetë mba 3-4 të tilla, sipas tradtës së vjetër, po që i mba edhe tani…” Zyrtari përball tij kishte shtangur i tërri, pa e marrë akoma edhe atë “shtojcë”që deshi të shtonte “i pandehuri i komedisë” se “nuk mund të delte pazarit e as në mbledhjen e kolektivit të teatrit e të thoshte se “nuk ke ç’bënë tjetër , kur nuk egziston më ajo dashuri e mirëkuptim që e “mba në këmbë familjen!”” Aq kohë duhej, që aparatçiku të bëlbëzonte e pasaj t’i kthehej e t’i thonte artistit nëpër dhëmb:”Si merr guximin!?Përse, si Baba je ti , ore!??”, duke e lënë artistin “kryengritës” rrugëve të Tiranës pa punë fare, edhe pa bukën e gojës, duke i ulur dinjitetin njerëzor gjer në atë shkallë, sa ai të kërkonte një korre buke të hedhur nëpër kazanet e plehrave të rrugës..O ZOT I MADH! Aq sa, dikush e kishte vën re këtë mjerim të tmerrshëm të aktit të dytë të tragjedisë së Gjokajve dhe e kishin emëruar Elenën,-më në fund,-si shitëse buke në një dyqan të periferisë, pa rrën shumë në sy të njerëzisë…

Gjer në katrahurën e 97-ës, kur i “vunë flakën”krejt Shqipërisë dhe çifti Gjoka, ikën në drejtim të Italisë, për ta filluar jetën nga e para, në aktin e tretë të kësaj tragjedie, kur në jetën e tyre do të shfaqet edhe një personazh tjetër: Kontesha Romane, me fisnikërin e racës së vet aristokrate, duke i siguruar dyshes shqiptare, që asaj i përgjasonte me Romeo e Zhuljetën e Veronës, si punë, edhe shtëpi, për të pasur edhe ata një “fund lumturie”, jo si në tragjedinë e Shekspirit, kur helmi i “përgjumjes”, nuk do të vepronte më mbi vdekjen e tyre!.. Gjithsesi, Viktori do të jetonte edhe disa vite të lumtura pranë Zhuljetës së tij, do të krijonte edhe Shoqatën Teatrore “Dea”, do të realizonte dhe filmin “Tirana në Europë”, duke interpretuar edhe në disa filma artistikb “të radhës”, por do të ishte tërësisht “i vrarë” në ëndrrat e tij. E Artisti i Madh i komedisë Shqiptare do të mbaronte në Romë, ku do të kishte pranë vetes, gjer në frrymën e fundit, po atë Elenë që Ai e deshi me gjithë shpirt, duke e ditur se do të humbiste edhe Artin e tij të mrekullueshm, që i dha edhe “kurorën me dafina”… Po ja që, Dashuria doli mbi gjithçka të shenjtë, që e udhëheq njeriun edhe më përpara dhimbjeve, tragji-komedive e greminave që kurdis jeta… Po vallë, a do ketë, ditën e nesërme, ndonjë ndijesi faji a dashurie, për këtë ARTIST TË MADH, makari edhe ndonjë kurorë, prej atyre që e deshën atë, njerin prej viktimave të këtij teatri,- rrafshuar e mbetur gërmadhë, ca më përpara se të iknin, njëri pas tjetrit edhe korifejtë e tij, tek papritur na kanë rrëshqitur nëpër këmbë edhe 100 vite, qysh kur Ai errdhi në këtë “jetë filmash”?!

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Çun Lajçi-Veliajt: Fillo me themelin e teatrit

‘Mbramë shtroi darkë ai djaloshi që e don Tironën’


Një dhuratë e kinemasë tonë nostalgjike për të gjithë brezat

Restaurohet filmi “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen