MENU
klinika

Hekurudha Prishtinë-Durrës

Në çfarë faze është projekti?

03.07.2022 - 14:47

Me gjithë premtimet se Kosova do të ketë hekurudha moderne në vitin 2022, trenat e saj vazhdojnë të qarkullojnë në vetëm dy relacione: Prishtinë – Hani i Elezit dhe Prishtinë – Pejë.

Hekurudhat në shumë pjesë mbeten të vjetra dhe, vende-vende, të shkatërruara.

Nga Qeveria e Kosovës thonë se janë duke punuar në rrjetin që lidh Kosovën me shtetet e rajonit dhe më gjerë, por se kur do të përfundojnë të gjitha punimet, nuk dihet.

“E rëndësishme është që është duke u punuar që të gjitha hekurudhat e Kosovës, brenda territorit të Kosovës dhe këto që lidhen me korridoret ndërkombëtare, të përfundojnë në afatin sa më të shpejtë të mundshëm, por varet edhe nga fondet që mund të sigurohen”, thotë për Radion Evropa e Lirë zëvendësministri i Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi.

Sipas tij, rrjeti hekurudhor që lidh Kosovën me Maqedoninë e Veriut pritet të përfundojë në fund të vitit, punimet në rrjetin hekurudhor që lidhet me Serbinë janë afër nisjes, ndërsa rrjeti që lidhet me Shqipërinë është në fazën e fizibilitetit, apo vlerësimit të planit.

Durmishi thotë se rehabilitimi i rrjetit hekurudhor Fushë Kosovë – Hani i Elezit, në drejtim të Maqedonisë së Veriut, dhe Fushë Kosovë – Mitrovicë, për të vazhduar deri në Leshak, në kufi me Serbinë, kap vlerën e afro 100 milionë eurove.

Kostoja për hekurudhat tjera, që janë në fazën e studimit të fizibilitetit, nuk dihet.

Durmishi thotë se mjetet synohet të sigurohen përmes kredive nga mekanizmat financiarë ndërkombëtarë.

Ai nuk jep ndonjë afat kohor se kur mund të përfundojnë këto linja hekurudhore.

“Nuk bëhet fjalë brenda këtij viti”, thekson ai.

Në vitin 2018, kur kryeministër i Kosovës ka qenë Ramush Haradinaj, Qeveria është zotuar se deri në vitin 2022, Kosova do ta ketë të përfunduar rrjetin hekurudhor Fushë Kosovë – Hani i Elezit dhe Fushë Kosovë – Leshak.

Zyrtarë të Qeverisë kanë thënë atëbotë se mjetet financiare janë siguruar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), ndërsa një shumë do ta ndajë edhe Qeveria e Kosovës.

“Infrakos”: Vëllimi i punëve nuk është i kënaqshëm

Me gjithë përpjekjet, Radio Evropa e Lirë nuk ka arritur të bjerë në kontakt me kompaninë Infrakos, e cila operon me rrjetin hekurudhor të Kosovës, për të mësuar arsyet e vonesave në realizimin e punimeve.

Por, në një raport të publikuar nga “Infrakos”, lidhur me punën e këtij institucioni gjatë periudhës janar – mars 2022, thuhet se punimet kanë vazhduar, por jo me intensitetin e pritur.

“Gjatë këtij tremujori ka vazhduar puna në realizimin e projektit për rehabilitimin e linjës së 10-të hekurudhore Fushë Kosovë – Hani i Elezit, por vëllimi i punëve të kryera nuk ka qenë i kënaqshëm”, thuhet në raportin e “Infrakos”-it.

Arsyet e vonesave nuk jepen. Raporti thekson se “një punë relativisht e mirë” është bërë edhe në hartimin e “projekt-dizajnit teknik” për fazën e tretë të rehabilitimit të hekurudhës Mitrovicë – Leshak dhe se projekti pritet të përfundojë deri kah muaji qershor i vitit 2023.

Avdiu: Rehabilitimi i hekurudhave më i lirë se ndërtimi i autostradave

Sadullah Avdiu, profesor i lëndës Projektimi i Hekurudhave në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës në Prishtinë, thotë për Radion Evropa e Lirë se hekurudhat do të duhej të ishin prioritet i qeverive.

“Investimi në infrastrukturën hekurudhore nuk është i shtrenjtë, për shkak të terrenit të rrafshët që ka Kosova. Ndërkaq, vagonët, lokomotiva… varësisht se sa moderne janë, mund të kushtojnë më shumë. Por, me këto lokomotiva ekzistuese nuk mund të kyçemi në rrjetin ndërkombëtar”, thotë Avdiu.

Sipas tij, rehabilitimi i hekurudhave do t’i kushtonte Kosovës disa herë më pak sesa ndërtimi i autostradave.

Kosova ka shpenzuar 1.4 miliard euro nga buxheti i saj për autostradat që e lidhin me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut.

Infrastruktura hekurudhore, ndërkaq, mbetet me binarë, lokomotiva e vagonë të vjetruar. Shumë stacione trenash janë, po ashtu, në gjendje të rëndë.

Në shumë vende nuk ka as laura në pikat ku hekurudhat kryqëzohen me rrugë të qarkullueshme. Për shkak të kushteve teknike në linjat aktuale hekurudhore, trenat mund të lëvizin me shpejtësi deri në 50 kilometra në orë. Me renovimin e hekurudhave, shpejtësia do të mund të rritet deri në 150 kilometra në orë.

Hekurudhat e Kosovës nuk janë mirëmbajtur siç duhet që nga fillimi i viteve ‘90, kur edhe kanë filluar luftërat në territorin e ish-Jugosllavisë, dhe degradimi i tyre ka vazhduar pastaj vit pas viti.

Në fokus edhe linja hekurudhore me Shqipërinë

Zëvendësministri i Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, thotë se fokusi është kthyer tani edhe kah një projekt i ri hekurudhor, Prishtinë – Durrës, për të cilin Kosova dhe Shqipëria kanë nënshkruar marrëveshje.

Përmes kësaj linje do të lidheshin një port i thatë në Prishtinë dhe një port i ri në Durrës, për të cilët po ashtu ekziston projekti.

Zëvendësministri Durmishi thotë se grupet punuese janë vënë në veprim dhe se studimi i fizibilitetit për të dyja projektet pritet të përfundojë deri në fund të këtij viti.

Sipas tij, mjetet për të dyja projektet është menduar të sigurohen nga fondet e Bashkimit Evropian, por edhe nga buxhetet e dy shteteve.

Historiku i hekurudhës së Kosovës

Ndërtimi i hekurudhës së Kosovë ka filluar në vitin 1874.

Vija e parë hekurudhore ka qenë në relacionin Hani i Elezit – Fushë Kosovë – Mitrovicë, për të vazhduar më pas edhe në drejtime të tjera.

Hekurudha e Kosovës ka një gjatësi prej rreth 333 kilometrash.

Trenat e Kosovës, që dikur kanë qarkulluar edhe në linja ndërkombëtare, sot shfrytëzohen nga një numër relativisht i vogël i njerëzve.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës për tremujorin e parë të vitit 2022, numri i pasagjerëve që kanë shfrytëzuar trenin si mjet udhëtimi ka qenë rreth 13,000. Në krahasim me tremujorin e parë të vitit 2021, numri i pasagjerëve ka rënë për 25 për qind.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Ministri i Infrastrukturës: Po bëhet realitet

Si po ecën plani i hekurudhës Prishtinë-Durrës?