MENU
klinika

Asllani: Sa s’më ra të fikët nga Zanetti

“Nëna punonte në fabrikë, unë flija me topin”

15.07.2022 - 21:47

Kristjan Asllani është bërë pjesë e faqes së njohur italiane “Cronache di spogliatoio” (Kronika të dhomave të zhveshjeve), ku futbollistët vetë tregojnë eksperiencat e tyre të para emocionuese dhe histori interesante.

Mesfushori shqiptar ka bërë një rrëfim mjaft interesant për fillimin e karrierës së tij, jetën jashtë fushe e padyshim edhe kalimin te Interi, duke treguar që kur ishte bërë një interist i zjarrtë.

RRËFIMI I ASLLANIT – “Sagra dello stringozzo” është një ngjarje e paharrueshme në zonën time. Në Buti mbërrita kur isha dy vjeç, duke u larguar me familjen time nga Shqipëria. Nëna ime punonte në një fabrikë makaronash, babai im për ujësjellësin e rajonit të Toskanës. Jam rritur në Buti dhe nuk do ta ndryshoja për asgjë në botë. Pesë mijë shpirtra në provincën e Pizës, pak ‘c’ dhe jeta klasike e fshatit.

Në parkun Danielli, në verë, djemtë në vend të këpucëve të futbollit dhe fanellave, vishen me bluzat më të çuditshme që kanë në dollapin e tyre dhe vendosin përparësen e bardhë, duke fluturuar mes tavolinave për të përgatitur dhe shërbyer cinta senese (pjatë tradicionale e zonës me proshutë).

Dy vjet më parë, para Covid-it, isha edhe unë atje për të disatën herë. Më pëlqejnë festivalet dhe të bëj kamerierin. Vraponi i djersitur duke shmangur karriget dhe mushkonjat për t’u dërguar ushqim bashkëfshatarëve, turistëve dhe njerëzve që dynden nga zonat e afërta.

Dy vjet më vonë, m’u desh të anashkaloja festivalin sepse përmbusha ëndrrën time për t’u bërë një lojtar i Interit. Çfarë emocioni kur mora atë mesazh nga Havier Zaneti: “Mirë se erdhe te Inter, Kristjan”. Thuajse më ra të fikët. Ndërsa miqtë e mi më të mirë po shërbenin në tavolina, unë u gjenda në të njëjtën dhomë me Romelu Lukaku për të bërë testet gjatë kontrolleve mjekësore.

Unë kisha një fanellë të Interit sepse Interi sapo më kishte blerë. Nuk kuptova shumë gjëra në ato ditë, jam i sinqertë: pjesërisht sepse projektorët nuk janë për mua, dhe ndoshta Parco Danielli dhe Piazza Garibaldi janë të vetmet vende ku ndihem si në shtëpinë time.

Pjesërisht edhe sepse në vitin 2010 isha 8 vjeç dhe në majë të gishtave në lokal, mes të moshuarve më të gjatë se unë, po përpiqesha të shihja një copë ekran me finalen e Ligës së Kampioneve kundër Bajern Mynihut. Atë natë kuptova se e doja këtë ekip. Mund të dëgjoheshin karriget që dridheshin mbi pllaka kur Milito iu drejtua Van Bujten, më pas nuk kuptuam më asgjë. Kujtoj që ndonjë gotë fluturoi në tokë, ndërsa unë hidhesha dhe hidhesha.

Nuk ishte sekret, të gjithë e dinin. Unë isha tifoz i Interit. Kur fillova të luaja futboll, në moshën 4 vjeç e gjysmë, në Butese, fusha ishte 100 metra larg shtëpisë ime. Shumë bar në anët, më pak në qendër të fushës, ku isha unë. Trajneri im quhej Kristiano Filppi dhe është mik i familjes.

Tani e tutje do ta quaj Uotson, sepse askush nuk e quan Kristiano. Jemi pesë mijë dhe ndoshta as gjysma nuk ia dinë emrin. Ai është Uotson, në nder të mikut dhe bashkëpunëtorit të pandarë të detektivit Sherlok Holms. Në fund të çdo ushtrimi, ai na përsëriste: «E kuptuat djem? Elementare Uotson”.

Në ndeshjen e parë më vendosi si mesfushor sulmues, kisha fanellën që më rrinte dy herë më e madhe sepse isha i vogël dhe i imët në krahasim me gjithë të tjerët. Nuk e mbaj mend mirë, por ai më betohet gjithmonë që kam shënuar menjëherë eurogol.

Megjithatë, kishte një problem.

Uotson ka një abonim vjetor në “San Siro” prej gati 50 vitesh. I pandashëm nga karta e tij kuqezi. Unë e doja Interin dhe më pëlqente të luaja futboll. Pikërisht për këtë arsye kisha frikë të përfundoja në stol. Ndaj u kërkova prindërve të mi që të vendosnin në çantë një fanellë të Milanit, atë të Kaka për stërvitje.

“Kristjan, po a nuk bëje tifo për Interin?”, m’u kthyen me mosbesim pa e ditur pse. Kështu shkova në fushën e Butese për stërvitje, Uotson më shikoi i çuditur duke thënë: “Por … Kris?!”.

“Kam sjellë fanellën e Milanit sepse kisha frikë se nuk do të më linit të luaja. Dua që të më pëlqeni”.

Edhe pse e kam bërë realitet ëndrrën e jetës sime, të vesh me fanellën e Interit, më mungojnë shumë festivalet në vendin tim. Ashtu si kur në fushën e vogël ishte ndeshja e ndeshjeve: Buti kundër Bientinës, një qytet fqinj me tonin, por më i madh. Një derbi i vërtetë. Nuk mund të humbnim.

E nisëm me tingujt e këmbanës së kishës dhe vazhdonte pafundësisht, deri në 10. Jetojmë me futbollin dhe flasim kryesisht për këtë. Unë jam dikush që e jetoj qytetin, që e gjen gjithmonë duke folur me të gjithë. Unë nuk bëj një jetë mondane, më pëlqen e imja. Të shtunën në mbrëmje jam në Piazza Garibaldi për një bisedë.

Përpara nisjes për në Milano, pronari i restorantit ku shkoj gjithmonë më tha një fjali të thjeshtë e të papërgatitur që e mbaj me vete në këto ditë të para: “Ke një mundësi të madhe, mos harro se fitorja jote do të jetë të mos dalësh nga natyra dhe të qëndrosh personi që je tani”. Djali me përparëse, në mes të fushës së “San Siros”.

Largohem nga Buti ashtu siç largohet Uliksi nga Itaka: mes njëmijë peripecish, do të kthehem përsëri aty. Nuk ka asnjë dyshim për këtë. Unë largohem me trup, jo me zemër. Jam kureshtar të zbuloj se si do të jetë jeta ime në Milano. Pas Butese, pas Tau, pas 13 viteve të mrekullueshme në Empoli, ja ku jam.

Pas Uotson, trajnerit Pratali, muri i kishës. Pas fotove të para, kur njerëzit që ishin në radhë në festival më thanë “Po je ti Asllani, ai i Empolit?”, dhe dy miqtë e mi më të ngushtë më tallnin: “Ja ku është, ka ardhur ai i famshmi!”. Ato situata më kanë vënë gjithmonë në siklet, është e mrekullueshme të njihesh nga njerëzit që vijnë në fshatin tim.

Brenda një viti fitova kampionatin Primavera, duke eliminuar Interin në gjysmëfinale me një gol nga gjuajtja e lirë; unë shënova golin tim të parë në Serie A kundër Interit në San Siro. Dhe në fund u bëra zikaltër, edhe pse kam qenë gjithmonë.

Kam fjetur me topin nën krah, duke e mbrojtur me batanije siç bën kur je fëmijë për t’u mbrojtur nga përbindëshat e natës. Kam ëndërruar që tifozët të thërritnin emrin tim te momenti i firmës. Disa ditë më parë zbulova se nuk ishte ëndërr.

Babai im më çoi në Milano për herë të parë për të parë një derbi shumë vite më parë, ne fituam 2-1. Ai u kthye aty kur shënova golin tim të parë në Serie A, disa muaj më parë. Duhet të ishte fati, e pres në debutimin tim: të shohim çfarë do të bëj.

Në çdo rast, ai e di që vera e ardhshme, sido që të shkojë, do të më gjejë në vendin tim. Parco Danielli, përparëse në qafë, për t’i shërbyer popullit tim. Në vendin tim në botë. Nuk ka dyshim: elementare, Uotson”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Sulmuesi shqiptar mbetet në merkato

Fat i keq për Brojën, dëmtohet në seancën e parë

Portieri i Kombëtares në Premier League

Klubi anglez zyrtarizon Thomas Strakoshën


Futbollisti jep lajmin e ëmbël pas shënimit të supergolit

Granit Xhaka do të bëhet baba për herë të tretë

Flik: Pyesni lojtarët!

Barça nuk fiton dot pa Jamal!

Erjon Bogdani karikon mesfushorin e Kombëtares

“Inter besoji Asllanit, nuk të zhgënjen! Broja për Milanin”

I ka bindur të gjithë përveç… Silvinjos

Milani bën gati ofertën për Kristian Shpendin