Kreu i shtetit Stevo Pendarovski tha në një intervistë televizive se përfaqësuesve evropianë u vjen turp që Maqedonia e ndryshoi emrin e vendit për një kompromis, ndërsa Bashkimi Evropian nuk e vlerëson këtë
“Atyre u vjen turp që vendi që ndërroi emrin, i vetmi në botë, ende nuk mund të fillojë e aq më pak të përfundojë negociatat. Ata kanë turp, jo se presim 17 vjet, por që presim me arsye të turbullta, të paqarta, jemi jashtë me arsye të mjegullt që nuk ka bazë. Kishim një pyetje referendumi në të cilën BE-ja u përmend në mënyrë të barabartë dhe krahas anëtarësimit në NATO”, thotë Pendarovski.
Ai theksoi se NATO-ja ka mbajtur premtimet, ndërsa BE-ja jo.
“Të mos gënjehemi, bllokada bullgare pasoi pasi tashmë kishte një bllokadë të paparalajmëruar franceze që kërkonte një metodologji të re zgjerimi, të cilën e sollën atje, për të mos thënë vrazhdë, na penalizuan! Për gjashtë muaj dhe sot 3 vjet nga 2019, as Serbia, as Mali i Zi praktikisht nuk kanë filluar ende negociatat”, shton Pendarovski.
Ai për Tv21 sqaroi ndryshimet midis propozimit të parë dhe të dytë francez.
“Propozimi i parë francez nuk përmbante hapjen e negociatave. Pra, u tha se po mbahej konferenca e parë politike, por nuk u fol se po fillonte faza e parë. Ai tha kur të ndryshoni Kushtetutën, atëherë do të hapim negociatat. Propozimi aktual i modifikuar thotë se ju tani po i hapni negociatat dhe do të vazhdoni negociatat deri kur të hapni Kushtetutën”, tha presidenti Stevo Pendarovski.