MENU
klinika

Nga Lorenc Vangjeli

Për ata që ndezin cigaren në mjekrën e Ramës dhe rasti Beqaj

20.07.2022 - 20:55

Edhe ata që e duan, edhe ata që e urrejnë Edi Ramën, edhe miqtë që nuk ngutet t’i shtojë, edhe armiqtë që shpesh i rekruton nga radha e miqve, shpesh bëhen bashkë, të gatshëm që të ndezin cigaren e rradhës në mjekrën e kryeministrit. Sa kohë që qeveris i vetëm dhe suksesi i të majtëve ka gjithmonë e më shumë eskluzivisht portretin e tij, edhe dështimet e mundshme, jo thjesht për simetri, mbajnë firmën e tij. Vetmitar, sic ai ka qejf ta quajë veten jo fort pa të drejtë, nëse një ditë Edi Rama do të shkruante kujtimet e tij për qeverisjen e tij të djeshme, për aq kohë që ajo nuk është e kërcënuar në një të ardhme të afërt, padyshim që shëndetësia do të jetë një nga kapitujt më të gjatë.

Premtimi i bujshëm i nëntë viteve më parë: “Shëndetësia falas!”, ishte një nga motorrët e padiskutueshëm elektoralë që e cuan makinën e tij drejt pushtetit. Cfarë dukej në shikim të parë si një formulë e rreme, në thelb ishte një nga ofertat më të guximshme që i bëheshin qytetarit në kuptimin e solidaritetit të të gjithës për pjesën, pagesës nga një shumicë e shëndetshme për pakicën që do të kishte nevojë për t’u shërruar. Instikti prej politikani dhe politikani i ndjeshëm ndaj sondimit të publikut, i këshilloi atëherë mtonjësit të postit të Doktorit, sfidën ndaj tij pikërisht në fushën e tij.

Jo vetëm si një kapricio e fatit, por edhe si vërtetim ogurzi i faktit se të gënjeshtrat e përsëritura me ngulm, marrin statusin e të vërtetës apo se akuzat e pareshtura shndërrohen për mrekulli të së ligës, në provë të pakundërshtueshme, reformën e premtuar në shëndetësi e ndoqi fati i keq që të provonte pikërisht këtë short ballkanik: ndeshjen me lumin e frikshëm të gënjeshtrave të pafundme dhe vrerin e errët të akuzave pafund.

Hakmarrja e të mundurve mbi armën që i mundi, prekja e interesave të frikshme të shumë aktorëve privatë apo shtetërorë që operonin në atë fushë, Status Qua-ja e dashnorëve të rutinës, apo në rastin më të keq, defektet e mundshme në projektim dhe zbatim, zgjidhje të gabuara, risku i lartë nga korrupsioni, administrata anemike apo edhe fakti që shëndetësia është një fushë ku herët a vonë fiton gjithmonë vdekja dhe epilogu i përket zisë; pra gjithë këta, ishin armiqtë realë dhe grushti i aleatëve që nisën kundërsulmin mbi reformën. Mbi dy bashkautorët e saj, Ramën si kreu i qeverisjes dhe ish-ministrin Ilir Beqaj si ideues dhe zbatues i saj. Beqaj u kërkua të ishte qengji i kurbanit, nga zyrat ku para tij kishin qenë në shumicën e rasteve mjekë të shkëlqyer, por administratorë të këqinj, doktorë që mund të mposhtnin sëmundje, por që bënë shumë pak për të shërruar sëmundjet endemike të sistemit.

Prej vitesh reforma ka qenë në një gjyq publik dhe perceptimi i publikut, të paktën ai që bën zhurmë kur ka problem dhe hesht kur ka sukses, i vizaton spitalet shqiptare si një stacion frike: hallexhiun e pret një infermiere që i vesh këmishën e forcës, e vë forcërisht në gjumë një anestizist që i jep vizën e vdekjes dhe pastaj kirurgu i hyn me sopatë xhepave të pacientit.

Eshtë edhe cështje mentaliteti. Shqiptarët paguajnë si qengja të bindur faturat në spitale private dhe ashtu duhet të jetë, por sokëllijnë si luanë për aspirinën që mund të mungojë në spitalin shtetëror. Por ndryshe nga cfarë është realiteti në terren, natyrisht larg të qenit i përkryer, ndryshe nga cfarë thonë shifrat dhe mbi të gjitha, krejt ndryshe nga cfarë sugjeron krahasimi ulëritës me të shkuarën që nuk ka bërë ende një dekadë largësi nga e sotmja, autosugjestioni ka bërë të vetën. Pavarësisht problemeve të panumërta, pavarësisht sfidave të frikshme që afron e nesërmja, pavarësisht qëndrimit ende larg standarteve normale evropiane, shëndetësia e sotme është një lloj dite e vrenjtur në krahasim me terrin shpesh të thellë të nëntë vjetëve më parë. Pandemia është një nga provat e këtij ndryshimi. Sikur fati ta kishte ndëshkuar Shqipërinë me Covidin, në kohën kur qeveriste Doktori, drama që nuk ka kaluar ende, me siguri matematike do të ishte tragjedi kombëtare.

Të hënën Ilir Beqja theu një rekord qëndrimi në zyrat e SPAK-ut. Për nëntë orë rresht, me vetëm ujë dhe pauza për të teshtirë privatisht, ai u pyet për një nga koncesionet më të bujshme të firmosur në kohën e tij. Ndryshe nga sa mund të mendohet nga adhuruesit e spektaklit dhe atyre që janë gati të japin një sy, me kusht që tjetri të verbohet, ndeshja me akuzën publike është fat i mbarë për Beqen, i cili i jep mundësinë që të provojë se edhe fundi me tmerr është ku e ku më i mbarë se tmerri pafund. Por për të mbërritur deri tek fundi i kësaj sage pështirosjeje, ka disa të vërteta që i duhen përmendur harresës dhe ndoshta edhe vetë prokurorëve.

Në maj dhe në qershor të 2013, dy dokumente dramatikë të ISHP-së që i dërgoheshin ministrit të shëndetësisë së kohës dhe shefit të tij Berisha, nuk hezitonin të kërkonin mbylljen e sallave të operimit në QSUT. Arsyeja ishte e frikshme: sallat e operacioneve ishin të kontaminuara. “Nuk shërrojmë, por vrasim!”, ishte thelbi i këmbanave të institutit. Një central sterilizimi i tenderuar, blerë, paguar dhe ardhur në QSUT në vitin 2009, deri në shtator të 2013-ës nuk ishte vënë në punë.

Mungesa e sterilizimit rrezikonte jetën e pacientëve. Instrumente të vjetër dhe të pasterilizuar, mosdezifektimi i pajisjeve të sallës, veshjet jo sterile të mjekëve dhe infermierëve, e bënin mundin e mjekëve të shndërrohej në sfidë sizifi. Sepse bashkë me ta, në salla lodronte edhe Stafilokoku apo E. Coli. Këtu hyri në lojë koncesioni i shumëpërfolur i sterilizimit. Në fillim studimi dhe pastaj gara. Kontrata lidhet në fund të vitit 2015. Shteti, domethënë shqiptarët, paguajnë fituesin e saj vetëm për shërbimet e kryera. Në fund të saj, të gjitha investimet e privatit bëhen pronë publike. 260 vetë janë punësuar në zbatim të saj.

Se si është bërë apo respektuar procedura, këtu prokuroria duhet të vendosë stetoskopin. Qoftë dhe për të provuar nëse shuma e afruar përligj shërbimin që jepet, nëse me më pak lekë mund të afrohej shërbim më i mirë, nëse ka pasur lëvizje të dyshimta parash e të tjerë e të tjerë. Por përtej përgjigjeve që duhet të bindin vetë organin e akuzës, qytetarët dinë pak më shumë aritmetikë sesa dinte ish-kryetari i ri në moshë i opozitës. Aksioma: “Ndiq paratë!”, sugjeron se llogaria që konfirmon kthimin në dobi të qytetarëve nëpërmjet shërbimit cilësisht më të mirë, shpëtimit të jetëve dhe përmirësimit të cilësisë së jetës, i ka kthyer paratë në mënyrën e duhur tek shqiptarët.

Sa për një shembull: në vitin 2014, një paciant qëndronte në spital pothuaj një javë, 6.5 ditë. Që atëherë, vit mbas viti, duke shmangur infeksionet që merreshin për shkak të mungesës së sterilizimit, kjo kohë ka ardhur duke u ulur. 5.5 ditë në 2015-ën e deri në 3.6 ditë në 2019-ën. Këtu nuk mjafton aritmetika e Bashës që të vërtetohet se koha e qëndrimit në spital është shkurtuar gati përgjysëm. Dhe kjo përkthehet në para. Një shembull tjetër, tek spitali i traumës, në vitin 2019, janë kryer 7,300 ndërhyrje dhe 26 mijë ditë qëndrimi. Në vitin 2014, kjo kohë do të shkonte në 47,500 ditë qëndrimi, të cilat përfshijnë koston financiare për spitalin, për personin e sëmurë dhe kosto sociale për të sëmurin dhe familjen. Dhe për të patur një ide sesa kushton një ditëqëndrimi në spital, mund të përmendet se zyrtarisht, vetëm një ditë shtrim në reanimacionin e kardiokirurgjisë varion nga 34 mijë deri në 74 mijë lekë. Dhe këto janë para të kursyera.

Në vetëm katër vjet, nga 2018-ta në 2021-shin janë kryer rreth 250 mijë ndërhyrje kirurgjikale në QSUT nën regjimin e kontratës së re dhe janë kursyer rreth 450 mijë ditë qëndrimi në spital. Këtë thonë shifrat, por duhet ta kuptojnë më së pari qytetarët dhe më pas, edhe qytetaria e prokurorëve.

Kjo nuk është thjesht një cështje penale. Pavarësisht nëse shkruan apo jo kujtimet e tij Edi Rama, procesi ndaj së paku këtij koncesioni është shumë më komplekes. Nuk ka të bëjë fare me fatin e individit Beqja, një nga njerëzit më të mallkuar në maxhorancën socialiste dhe që për paradoks, është ndoshta ndër specialistët absolutisht më të aftë që ka thirrur ndonjëherë nën armë Edi Rama. Kjo është një ndeshje mes nevojës dëshpëruese për një drejtësi të pavarur dhe nevojës për pavarësinë e saj nga jurisprudenca populiste që sheh kudo një armik që duhet të provojë prangat. Kjo është betejë morali dhe të gjithë duhet të luten që prokurorët të fitojnë bastin duke kuptuar se e vërteta shkon përtej formulave klasike që njohin vetëm bardhezinë klasike të bolshevikëve të djeshëm dhe të pranojnë përfundimisht nuancat që sheh Evropa kur jep drejtësi.