MENU
klinika

Lufta kulturore... e erës sonë!

Përse “Përplasja e civilizimeve” e Samuel Huntingtonit, nuk vlen sot?!

19.07.2022 - 17:04

         (Melsen Kafilaj- Studiues, Oxford Diplomatic Society Fellow)

Në vitin 1993, bota akademike nisi të  “gëlojë ” dhe të zgjohet nga “gjumi intelektual”, kur profesori dhe mentari i shquar i Universitetit të Harvardit, Samuel Huntington, botoi në  revistën prestigjioze “Foreign Affairs”, artikullin me titull  provokues “Përplasja e civilizimeve”. Një  artikull grishës, që prodhoi debate dhe një klimë polemizuese, ndoshta më tepër se gjithçka tjetër e botuar qysh nga koha e Luftës së Dytë Botërore. E shndërruar më vonë, në  një vepër politike “ex cathedra”, kjo tezë  do të  “lulëzonte” sërish dhe do të  rimerrej në  konsideratë, fill pas ngjarjeve të kobshme të 11 Shtatorit në SHBA; ndikim i cili, nuk është  zbehur intelektualisht, madje as edhe në ditët e sotme.

Por, ku konsiston në thelb, kjo tezë “kaq shumë e përfolur” dhe “e kontestuar”, lind pyetja?!

Ndikuar fuqimisht nga veprat e historianit të Universitetit të Oxfordit, kolosit britanik Arnold Toynbee dhe hulumtimet e tij historike, Huntington argumenton se burimet fondamentale të konflikteve në botën bashkohore, nuk do të  kenë më karakter ekonomik dhe ideologjik, por mosmarrëveshjet e mëdha që do ta mbështjellin erën tonë, do të kenë natyrë kulturore. Ja sesi e jep ai shprehimisht, këtë qëndrim të mbajtur në një pasazh te “Përplasja e civilizimeve”:

“Pas Traktatit të Vestfalisë, konfliktet kanë venë ballë për ballë princërit, mbretërit dhe perandorët. Pas Revolucionit Francez ato kanë ndodhur mes kombeve. Në shek.XX-të, ato që u përplasën mes tyre qenë ideologjitë. Ndërsa në shek.XXI, ato do të bëhen sipas civilizimeve”.

Nën influencën ideore të veprës “Studimi i Historisë ” të Toynbee-t dhe “analizës jetësore të disa njësive të  caktuara të llojit njerëzor që  ai i quan “Shoqëri” dhe të  cilat i klasifikon; Krishtërimi Lindor, Krishtërimi Perëndimor  dhe Shoqëria Islamike së bashku me reliktet e shoqërive të  fosilizuara (Judaizmi, Manikeizmi Persian, Jainizmi dhe disa variacione të  Budizmit) Huntington, duke përdorur dallimin ekumenik të shoqërive mbi bazën e elementit fetar që bën Toynbee, e zgjeron më  tej atë duke e klasifikuar botën në tetë  “qytetërime” të mëdha; në  Qytetërimin Perëndimor, Amerikano-Latin, Afrikan, Islamik, Kinez, Hinduist, Ortodoks, Budist dhe Japonez. Ai parashikonte se ingranazhet e krizave dhe gjakderdhjeve në të  ardhmen do të  zhvillohen përgjatë  vijave ndarëse ndërmjet qytetërimeve.

Parë  në plan të parë, teza duket e mirideuar, e strukturuar në mënyrë solide dhe e mirargumentuar shkencërisht, por siç do ta shqyrtojmë  më  poshtë e ka edhe ajo “thembrën e Akilit”, duke na paraqitur disa probleme si në aspektin e formulimit, ashtu edhe në  aspekte të tjera. Duke tentuar që të  shërbejë si një manual i përgjithshëm global për konfliktet dhe e ngritur mbi bazën e një shtrati historicist, kjo tezë  synon që të jetë  “parashikuese” e kursit të  ngjarjeve njerëzore dhe duke huazuar elementin “përplasje” të  feve historike, t’i bjerë gongut apokaliptik dhe eskatologjik, duke e transformuar “manikeizmin fetar”“darvinizëm kulturor”. Ajo na paraqet probleme, së paku në tre drejtime kryesore:

Së pari, teza në fjalë nuk jep një definicion të  qartë  dhe shkencor për  Civilizimin dhe Kulturën. Ndërsa “civilizimi” derivon nga fjala latine “civilta” dhe ka kuptimin “qytetari”, termi “kulturë” ka lidhje me mënyrat dhe stilet e ndryshme të sjelljes së personave në shoqëri të  ndryshme. Ndërsa civilizimi ka të bëjë me rritjen, progresin, vetëdijen dhe ka një aspekt të dukshëm shkencor dhe teknologjik, kultura karakterizohet më tepër nga aspekti mendor dhe shpirtëror.

Megjithëse, kultura është një aspekt thelbësor për të dalluar një shoqëri nga një tjetër dhe lidhet me qytetërimin (ngadonjëherë, duke u këmbyer edhe në mënyrë sinonimike) ajo nuk është domosdoshmërisht e pandashme nga ai. – Nga ana tjetër, kulturat nuk janë as homogjene dhe as konstante, por të mbivendosura dhe fluide. Përgjatë historisë së njerëzimit, në çdo periudhë të tij, shoqëritë kanë kontribuar dhe kanë dhënë një ndihmesë të  paçmueshme për  progresin njerëzor dhe ky progres, nuk ka qenë  “fryti i dijes” vetëm i një kulture dhe shoqërie të caktuar, siç etiketohet dhe trumbetohet në përgjithësi, ajo perëndimore.

Së  dyti, profesor Huntington i jep një rëndësi të tepruar faktorit fetar, si faktor ndarjeje. Është e vërtetë që faktori fetar është një  substancë  përbërëse e një kulture të caktuar (ngadonjëherë edhe burim identiteti, përbashkësie dhe legjitimiteti), por nuk është  faktori fetar, ai faktor thelbësor për divergjencat dhe ndasitë kulturore ndërmjet civilizimeve. (Territori, klima, kushtet historike dhe rrethana të tjera, kanë ndikuar gjithashtu, në  këtë aspekt.) Ky “huazim” nga Toynbee e bën Huntingtonin, të hamendësojë që feja, duke qenë element qenësor i një kulture partikulare është  rrjedhimisht edhe “gur themeli” për  një  qytetërim të caktuar.- Dhe duke qenë në  një pozitë të tillë, ajo konstrukton gjithë arkitektonikën kulturore dhe politike të një civilizimi specifik. Ky “politizim i fesë” dhe “teologjizim i politikës” na çon në pikëpamjen fundore dhe përplasjes së qytetërimeve.

Së fundmi, teza e profesor Huntingtonit, ka karakter holist dhe determinist. Ajo pandeh se, qytetërimet do të përplasen patjetër mes tyre dhe kjo përplasje do të  jetë medoemos e pafund.- Por, ajo që po vërejmë në aktualitetin e ditëve të sotme është se, civilizimet nuk po përplasen me njëri-tjetrin. Siç thekson dhe profesori i Harvardit, Joseph Nye “më tepër konflikte kanë ndodhur brenda “qytetërimeve” të mëdha në hartën e botës së Huntingtonit (psh, brenda Afrikës, apo Botës Islame) sesa midis tyre.”Sigurisht, terrorizmi është një faktor shqetësues dhe me karakter destabilizues, por këto janë fraksione fetare fundamentale, të cilat synojnë të krijojnë çekuilibër në raporte dhe marrëdhënie me shtete të caktuara. Një mysliman, një i krishterë dhe një hebre i moderuar, mund të bashkëjetojnë fare mirë, me njëri-tjetrin, në çdo anë të botës (qoftë atë orientale, po ashtu edhe në atë oksidentale.)

Problemi, nuk është edhe aq religjioni në vetvete dhe kultura qytetërimore sesa “instrumentalizimi i fesë” nga organizata transnacionale si ato terroriste, të cilat dëshirojnë ta kthejnë botën në një  kaos “krijues”. Në këtë mjedis global të karakterizuar nga dinamizmi, ndërvarësia komplekse dhe oguri i një të ardhmeje të përbashkët, dialogu qytetërimor është një “conditio sine qua non” për arritjen e një paqeje të  përhershme, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe progresin njerëzor. Në një Botë të Re, e lodhur më parë nga tingujt e plumbave dhe aroma e athët e barutit, “Oda e gëzimit” duhet të jetë ajo që të dëgjohet triumfalisht, në Koncert dhe jo “Marshi zjarrndezës i luftës”.