MENU
klinika

Kur rinia shqiptare këndonte "Love me do"

Prapaskenat e këngës legjendare: 350 milionë shikues

25.07.2022 - 11:34

          Ka qenë 6 qershor 1962, kur në “Abbey Road Studios”, Lenon-McCarteny do të ekzekutonin notat e para dhe grupi muzikor “Beatles” do të regjistronte këngën e parë të tij: “Love me do”.

Nga ai qershor i largët kanë kaluar 60 vite, por ajo datë mbetet e paharruar, dhe pikërisht në këtë periudhë, është kujtuar me shumë nostalgji në të gjithë botën. Pastaj, 25 qershor 1967, kur për herë të parë, pesë kontinente do të ndjekin emisionin që do të transmetohet për herë të parë në mondovizon, me protagonistë “Beatles” – këtë herë, me “All you needs is love”.

Nga: Uvil Zajmi

“LOVE ME DO”, E PARA HISTORIKE

“Love, love me do / You know I love you”, është një këngë e kompozuar nga P. Pc Carteny e J. Lennon, që bashkë me “P.S. I love you?” janë përfshirë në diskun 45 xhiro debutues të “Beatles”-ave, “Please, Please me” në vitin 1963. “Love me do” fillon me Lenon, që pasohet me strofën e kënduar bashkë MekarteniLenon.

“Love me do” është regjistruar nga “Beatles”, tri herë: E para më 6 qershor 1962 nga EMI në “Abbey Road Studios” në Londër dhe në bateri është Pete Best. Në mesin e gushtit, Best zëvendësohet nga Ringo Star, pasi producenti Xhorxh Martin nuk e pëlqente stilin e tij dhe më 4 shtator do të realizohet një tjetër regjistrim gjithmonë në “Abbey Road Studios” të Londrës, ku “Beatles”-at bashkë me “Love me do”, provojnë dhe “How Do You Du, It?”, një këngë e kompozuar nga M. Murray, që për Xhorxh Martin duhet të ishte e para e “Beatles”-ave. Martin i pëlqente “Beatles”-at jo shumë për kompozimet, por më shumë për personalitetin dhe aftësitë individuale të tyre.

Në një mbrëmje, duke provuar këngët, Martin merr vendimin historik, duke zgjedhur “Love Me Do” si kënga e parë të “Beatles”-ave në albumin e tyre. Ajo që e bindi Martin ishte mbi të gjitha tingulli. Pas një jave, me 11 shtator, “Beatles”-at rikthehen sërish në studio, pasi Martin ishte i pakënaqur nga bateria e Ringo Starit dhe, për këtë, ai vendos një regjistrim të tretë, me bateristin Andy White dhe me Ringo Star në tambur. Para se të dilte si këngë, “Love me do” do të regjistrohej edhe 17 herë, derisa Martin më në fund ishte i kënaqur.

Kur doli në shitje në Angli, më 4 tetor 1962, kënga pati jehonë më shumë në Liverpul, por kjo nuk mjaftonte për të hyrë në paradat e hitit. Disku duhej të transmetohej në radio. Tifozët e “Beatles”-ave filluan t’i shkruajnë letra në mënyrë masive radiostacioneve të Anglisë, dhe ia arritën qëllimit. “Love me do” hyn fillimisht në vendin e 49-të, ngjitet në 27-tin dhe përfundimisht shkon në të 17-tin. Prezantuesit e diskut në radiostacionet e Anglisë nuk dinin si t’i përcaktonin “Beatles”-at.

Disa e krahasonin këngën “Love me do”, si këngë e një grupi roku, të tjerë si e një grupi të ri tuisti, një kërcim që më 1962 u përhap me shpejtësi në të gjithë botën. Pas kësaj, “Beatles”-at dhanë koncertin e parë në televizion, në një stacion rajonal të Anglisë së Veriut, kur Londra vazhdonte t’i injoronte djemtë 20-vjeçarë nga Liverpuli.

“ALL YOU NEEDS IS LOVE”, E PARA NË MONDOVIZION

Our World, në mbrëmjen e 25 qershorit 1967 në programin shtetëror, kur për herë të parë BBC do ta transmetojë në Mondovision dhe 26 shtete janë të lidhura njëkohësisht ndërmjet sateliti, 350 milion njerëz që ndjekin emisionin. Dhe në një event të tillë kaq të rëndësishëm historik, nuk mund të mungonin si të ftuar specialë “Beatles”-at.

Ishte vetë BBC që u kërkoi “Beatles”- ave në fillim që me këtë rast të kompozonin një këngë të thjeshtë dhe të kuptueshme. Në dy javë, Xhon Lenon shkroi “All you need is love”, për të rritur ndjeshmërinë ndërkombëtare, ky ishte qëllimi. Një kompozim ku përfshihet himni francez “La Marseillaise” dhe disa këngë të tjera, si dhe nga muzika e Bah.

Eksperimenti parë në Mondovisione i “Beatles”-ave u bë në studion 1, ku “Beatles”-at u paraqitën të veshur si hippy, një veshje tipke e kohës të ulur në disa stola. Rreth tyre ishin të ulur në tokë artistë të një kalibri botëror, si: Mik Xheker, Erik Klepton, Kith Ricard. Ky është edhe program i parë televiziv i transmetuar në historinë e Mondovizionit, i cili sot kujtohet mbi të gjitha sepse “Beatles”-at këndojnë për herë të parë “All you needs is love”. Ka ndodhur 55 vite më parë.

Pak histori, si u krijuan “Beatles”, cilët ishin katër liverpulasit e famshëm?

“Beatles” ishte një grup muzikor anglez, i themeluar në Liverpul më 1960-ën dhe aktivë deri në 1970-ën. Ai ishte i përbërë nga Xhon Lenon (1940-1980) kitarë, Pol Mekartneri (1942) kitarë bas, Xhorxh Herrison(1943-2001) kitarë, Ringo Star (1940) bateri. Të katër kompozitorë, këngëtarë. Historia e “Beatles”-ave nis në gushtin e 1957, në Liverpul, ku Xhon njihet me Mekartenin, dhe pak më vonë me to afrohet edhe Xhorxh Herrison.

Më 1958-ën, bërthama e parë e “Beatles”-ave të ardhshëm është gati. Fillimisht emri ishte “The Beetles” (brumbull), por nga një kombinim i fjalëve, një pasion ky i Xhon Lenon, me iluzionin për një “Beat Generation”, ai e ndryshon dhe më 1960-ën vendoset emri “Beatles”. Karriera e grupit do të nisë në Hamburg, me netët e gjata të lodhshme në lokalet gjermane, pastaj në “Caver Club” në Liverpul ku shkëlqejnë dhe muzika e tyre rok ishte eksituese, e këngët e tyre u mirëpritën për nga stili origjinal, jo imitues. Në gusht të ‘62-shit, më to bashkohet edhe Richard Starkey, i njohur si Ringo Star.

Disku i parë me të cilin ata dalin është “Love me do”, i Lenon-Mekartnei, më 1962-shin, që u transmetua nga BBC, për të shpërthyer me “Please me”, një vit më vonë. Gjatë një dekade, ata kënduan 214 këngë, nga të cilat 186 me bazë muzikore, nota nga dy liderat e grupit, 73 të kompozuara nga Lenon, 69 nga McCartnei, Harison 12, e Lenon & McCartenie 17 këngë. Lenon si solist ka kënduar 72 këngë, Mekartnei 66, Harrison 28. Ndërsa bashkë, Lenon-Mekarteni, 24 këngë.

Pol kishte rolin kryesor në fillim e në fazën finale të këngëve, por shumë i rëndësishëm ishte edhe Lenon, pa të cilin këngët e tyre do të ishin diçka tjetër. Këngët, muzika, ishte një mënyrë për të mos u ndier të “plakur në shpirt, jo të vetmuar”, ajo zgjonte pasionin e të rinjve, me grumbullime në mjedise argëtuese, me lëvizje, dhe ritmi shoqërohej me britma, një liri e drejtpërdrejtë rreth së cilës bashkoheshin të gjitha shtresat sociale.

Ata kanë shitur mbi një miliard kopje, me numrin më të madh në SHBA. “Beatles”, mbeten kuarteri më i famshëm i të gjithë kohërave dhe me formën e komunikimit “Fenomeni Beatles” shënoi një epokë ndryshe, me përmasa globale. Revolucionarizuan muzikën, veshjet, shoqërinë, filozofinë, mënyrën e sjelljes, edhe të besimeve fetare. Një mënyrë origjinale, që influencoi edhe te muzikantë, kompozitorë të tjerë në stil e formim. Edhe në sport, kur Xhorxh Best, sulmuesi me famë i Mancester United, “Topi i Artë”, që ka ardhur në Tiranë me Irlandën e Veriut më 1965-ën, ka qenë futbollisti i parë në botë që ka imituar “Beatles”-at me flokët e gjata.

Ndërkohë, edhe pas kaq vitesh, suksesi artistik i tyre, me të ashtuquajturën “Beatlemania”, është objekt studimi nga universitete, psikologë e për to kanë shkruar, muzikologë, historian, sociologë, filozofë, njerëz të fesë; janë botuar libra, realizuar filma etj., duke vijuar të kenë ende një ndikim të madh social në të gjithë botën, si inspirues për shumë grupe të muzikës pop, e jo vetëm.

Pastaj ndarja. Ka qenë prill i vitit 1970, kur Pol Mekartnei do të deklaronte se largohet nga “Beatles”, që shënon edhe fundin zyrtar të tyre, ndonëse në maj do të publikohej disku i fundit, me këngën “Let it Be”. Nga ajo kohë, ka kaluar një gjysmë shekulli, kur një botë e muzikës, miliona njerëz, të çmendur pas tyre, do të ndaheshin me to, ndonëse beatlemiania do të vijonte në vite. Nuk jetojnë Xhon Lenon, i vrarë më 8 dhjetor 1980, në New York nga maniaku David Champan, dhe Xhorxh Herrison, i ndarë nga jeta në nëntor të 2001-shit.

Dy të tjerët janë aktivë, madje pas ndarjes Pol, konsiderohet ish-bitëllsi më i suksesshëm. “Beatles”-at janë nderuar nga Mbretëresha Elisabet II me “Medaljen e Anëtarit të Perandorisë Britanike”. E famshme është studioja muze e regjistrimit “Abbey Road” dhe “Cavern Club”, ku “Beatles”-at kënduan për herë të parë live në Liverpul.

Po në Shqipëri?

Si e kanë përjetuar brezat e viteve ‘60-‘70 “Fenomenin Beatles”, dëshirën e madhe për të kënduar e vallëzuar me “She loves you, Lady Madona e Let it be”? Mbrëmjet me orkestrat në lokalet e frekuentuara të Tiranës, në pistat, restorantet në plazh, te “Vollga” apo “Adrikatiku” i të huajve. Nga “Matura ’72 – Bitëllsat e parë shqiptarë”, “Pranverë 72”, “The Motives”, grupi “Rock & Roll” i arkitektit Dasmen Musaraj dhe ai ILA i Osman Mulës, të gjithë në ndjekje dhe imitim të katër liverpulasve.

Si e rikthejnë kohën kur me veshin te radio, dëgjonin muzikën e “Beatles”-ave, shkruanin tekstet, fantazonin, krijonin. Kompozitori i njohur Gazmend Mullahi thotë: “Ëndërronim të ishim pakës Beatles, brezi im ishte moshatarë me ta”. Ndërsa Sherif Merdani, këngëtari simbol i muzikës së lehtë, në një bisedë pak kohë para se të ndahej nga jeta, duke kujtuar ato vite, do të më tregonte: “Fat për ne që kemi jetuar kohën e Kadaresë e të ‘Beatles’-ave”.

INTERVISTA ME GAZMENT MULLAHIN

Me Gazmend Mullahin është kënaqësi të bisedosh jo vetëm për muzikën, artin. Me të ruaj një miqësi të veçantë, kur për disa vite kemi punuar bashkë: një artist në jetë, në sjellje, në komunikim, stil e formim. Kompozitori i ëmbël i këngëve simbol i dashurisë, jetës, rinisë, “Ti mbetesh pranverë”, “Dashuria”, “Ca fjalë qiellit”, “Jetës fali zemrën”, “Le të duhemi”, e ndërsa prej vitesh bashkë me familjen, jeton në San Diego-Kaliforni, për “Panoramën” kujton: “Ishte koha kur kudo vallëzohej edhe me meloditë e këngëve të tyre”.

Z Mullhai, 60 vite nga kënga e parë “Love”, nga “Beatles”, si do t’i riktheheshit atij momenti?

Kënga “Love me do” u dëgjua në Shqipëri pak më vonë, pasi ata u bënë të njohur. E kujtoj shumë mirë, këngë e veçantë, por më shumë si të parën e “Beatles”-ave. Ishin mesvitet ‘60, në aspektin artistik, ka tendenca për muzikë moderne, kjo e ndikuar edhe nga shpërthimi i fenomenit “Beatles”.

Ndikimi i tyre edhe në Shqipëri?

Ishte e pamundur që djemtë simpatikë të Liverpulit të mos depërtonin edhe në Shqipërinë e atyre viteve. Aktiviteti i tyre, tingujt muzikorë, interpretimi virtuoz, tematikat që ato përcillnin dhe së fundi performaca që sollën, paraqitja e jashtme e pazakonte e atyre djemve në moshë te re, me flokët e gjatë “i cappeli lunghi”, u bënë ushqimi kryesor në kulturën muzikore të rinisë, kryesisht në qytetet e mëdha, sidomos në Tiranë.

Viti 1965 është edhe bumi i madh social, shoqëror, një Europë që ndryshon?

Ajo periudhe duke nisur që nga vitet ‘60 e në vazhdim, situatat ishin si “fizarmonika” që herë hapeshin dhe herë mbylleshin, gjithmonë nën një kontroll e vëmendje të kujdesshme shtetërore. Kjo atmosferë jo vetëm për rinjtë, por dhe në qendrat e punës, shkolla, universitete. Vihej re një farë “liberalizimi” që mendoj për të “maskuar” gjendjen e vërtetë të situatës sociale, ekonomike në vend. Viti 1965, bashkë me kulmin e tyre, shoqërohet me një transformim epokal në jetën sociale, veshje, modë, muzikë, dashuri, të paktën në Europë. U shfaqën minifundet, dhe ai vit konsiderohet edhe kulmi i suksesit të tyre. E kemi përjetuar edhe në Shqipëri.

Z. Mullhai, një botë që rend pas beatlemani-së?

Muzika e tyre, tematika, u bë si ajri dhe flladi që na mbushte. Atëherë unë çdo vit shkoja në Kampin e Rinisë, e kujtoj se qendrat e zërit transmetonin muzikë të huaj, shpesh edhe të “Beatles”-ave. Madje edhe Radio Tirana me “dorë të lirë”, sipas rekomandimeve nga lart për një “lëshim të lehtë se rinia ka nevojë të dëfrehet”, transmetonte edhe këngët e tyre, që spikerja nganjëherë e prezantonte duke thënë: “Dhe tani kënga ‘Let it bee’ (me ‘e’ të shqipes)”.

Me muzikën tyre vallëzohet, kërcehet në lokale, pista, në plazh, kudo?

Spikaste “Taverna e Dajtit”, “Bar Sahati”, “Vollga” apo darkave me orkestrat në lokalet e frekuentuara të Tiranës, ku kishte edhe pista vallëzimi e dëfrehej familjarisht ose në çift. Apo në lulishtet në fundjavë, lokale të njohura me flukse frekuentuesish, por më shumë në restorantet, pistat në plazh, te “Vollga”, “Adriatiku”, aty ku kishte turistë e të huaj. Vallëzimet shoqëroheshin me melodi, ku shpesh zinte vend muzika e huaj dhe sigurisht me këngët e “Beatles”-ave.

Vite të arta, për rininë e asaj periudhë?

Unë bëja pjesë te 15-16-vjetarët dhe mund të them se ka qenë një nga periudhat e bukura të jetës sime. Pa ditur shumë se si ishte situata ekonomike, mahniteshim te ndiqnim San Remon, kryesisht në Radio, sepse TV ishin tepër të rralla. Organizatave të Rinisë në shkolla iu dha si direktivë që “Rinia të argëtohet”. U lejuan pothuajse çdo javë që të organizoheshin “Mbrëmje vallëzimi”, pas ca kohësh “Mbrëmje argëtimi” dhe pak më vonë “Mbrëmje tematiko-dëfrimi”, edhe me muzikë të huaj, me këngët e “Beatles”-ave kryesisht. U stimuluan atmosfera artificiale gëzimesh, festash, dëfrimesh etj. Kujtoj se në shkolla u vendosën gjuhët e huaja perëndimore, si frëngjisht, anglisht, italisht dhe jo vetëm ajo ruse.

Nga e merrnit informacionin asokohe, për “Beatles”, si i dëgjonit këngët e tyre?

Ndiqja me një interesim të veçantë emisionet muzikore nga radiot italiane. Ishin disa për rininë si “Për voi Giovanni”, “Hit Parade”, “Radio Mantecarlo”, apo “Radio Luxembourg”, që niste në mesnate deri në mëngjes. Vetëm me muzikë, me këngëtarët e kohës, anglezë, amerikanë, nga Bob Dilan, Elvis Presli, Xho Koker, Klif Ricard, Tom Xhons, grupet, Cridens, Rolingstones, midis tyre edhe “Beatles”. Por edhe në Radion tonë jepej muzikë moderne, ku mund të dëgjoje Ob-la-di, Ob-la-da, Lady Madona, “Please mi” kryesisht nga altoparlantët te hekurudha në plazh.

Më 1965, “Beatles” erdhën në Itali, shumë afër Shqipërisë?

Po më kujtohet shumë mirë, qershor ka qenë. Nga radioja dëgjonim se ata dhanë koncerte, në disa qytete. Por italianët ende nuk ishin adaptuar me revolucionin muzikor të “Beatles” që ata kishin përcjellë në botë dhe pritja i zhgënjeu, atmosferë e ftohtë, ata u ndoqën nga pak publik. Më tepër i trajtonin, për nga veshja, kostumet se sa si muzikantë. Vetëm këngëtari Pepino di Kapri i shoqëronte. Viti 1965 është edhe bumi i madh social, shoqëror, një Europë që ndryshon, me një transformim në jetën sociale, ekonomi, muzikë, dashuri, liri. Në modë pa dyshim, kur u shfaqen minifundet. Ai vit konsiderohet edhe kulmi i suksesit të “Beatles”-ave.

Nga Sherif Merdani, kam dëgjuar se ju pëlqente “Ebony and Ivory”. Pse, cili është motivi?

Kujtoj në bisedat miq, kolegë, drejtues orkestre, dirigjentë, muzikantë, këngëtarët etj., lidhur me meloditë, tekste të këngëve tona, sigurisht që diskutonim edhe muzikën, këngët, ato italiane, franceze e të “Beatles”-ave. Ishte e pamundur ta evitoje. Mua më pëlqente kënga “Ebony and Ivory” që Makarteni e këndoi me Stivi Wonder. Teksti në veçanti, ku flitet që njerëzit, duhet të jetojnë në harmoni duke i krahasuar me tastierat bardhezi të pianos. Edhe si kompozitor, me pianon, tastierën e pandarë.

Realisht, çfarë ishte e përfaqësonte muzika e “Beatles”?

Këngët e tyre ishin befasuese, spontane e të thjeshta, harmonike, bazuar edhe tek ajo klasike, si kënga “Roll Bethoven”, te folklori, kauntri, rok, bluz, ajo melodioze etj. Me tekste jetësore, tema dashurie e jo dhunë, për të qenë më të pavarur, jo këngë politike, përjashto “Revolution” të Lenon. Edhe te ne në atë periudhë i këndohej dashurisë, jetës, rinisë, detit etj. Pol kompozonte këngë më të qeta, ndërsa Xhon më të ashpra, duke anuar nga roku. Një repertor me këngë të bukura, por “She loves you”, disku i parë i artë i tyre, apo “Michelle”, “My sweet lord”, “Yesterday”, “Hej Jude” me mbylljen fantastike dhe padyshim e fundit e tyre, “Let it be”, mbeten të veçanta. Kombinimi i zërave Lenon-McKarteni ishte fantastik. Këngët e “Beatles”-ave dëgjohen, se kanë edhe nostalgjinë, anën emocionale brenda kur sheh koncertet e Mekartenit me Klepton, çfarë efekti kanë sot me aplikimin e teknologjisë moderne.

Nga “Beatles” tek Albano, jeni ndër të parët që keni takuar, shoqëruar këngëtarin italian?

Takimi me Albanon, qëndrimi me të mbeten ndër momentet më të bukura për mua. Ka qenë viti 1989, kur ai erdhi për herë të parë në Shqipëri, qëndroi vetëm pak orë në Tiranë, ishte me prindërit, pati një takim me studentët e ILA dhe u larguar sërish për në Sarandë. Mendoni impaktin, emocionet, një artist, këngët e tij me të cilat ishte e lidhur rinia jonë, krejt papritur të ishe me të. E kujtoj edhe sot me shumë nostalgji. Janë vitet kur Shqipëria është ende e mbyllur, ndonëse shenja drite kanë filluar të duken.

sherif-merdani-konica.al

Sherif Merdani: “Patëm fat që jetuam në kohën e Kadaresë dhe të grupit “Beatles”

Më shumë se askush tjetër ai dhe brezi i këngëtarëve, instrumentistëve, kompozitorëve, rinisë të asaj periudhe, e kanë përjetuar fenomenin “Beatles” edhe në Shqipëri. “Na pëlqente të dëgjonim, këndonim edhe muzikë të huaj, midis tyre edhe këngët e grupit të famshëm, të visheshim si ato. Deri më 1972, Festivali 11, pas të cilat as mund të flitej, këndohej, e të imitoheshin, Gjithçka u ndalua bashkë me “Let it be”, që mbeti e pakënduar pasi diktatura nuk më lejoi. E kam interpretuar vite më vonë në demokraci”, ishte një ndër bisedat e zhvilluara miqësisht me të paharruarin, këngëtarin simbol të muzikës shqiptare, Sherf Merdanin, të cilën më jepet rasti ta sjell për lexuesit e “Panorama”, kur fatkeqësisht ai ka pak kohë që është ndarë nga jeta.

Z. Merdani, jemi në vitet ‘60-‘70, ka një tolerancë për të qenë i lirë?

Ekzistonte një lloj lirie jo vetëm në rrethe artistësh, por edhe mjedise publike. Pastaj në grupe miqësie, shokë, festa, mbrëmje vallëzimi në shkolla, ato studentore, apo përvjetorë ditëlindje. Gjithashtu, në pistat e famshme të plazheve, si te “Iliria”, “Hekurudha”, krahas orkestrës, kërcimet shoqëroheshin edhe me melodi e këngë të huaja, midis tyre edhe të “Beatles”-ave. “Beatles”-at jo vetëm kënduan, por rreth tyre, këngëve të tyre, ata bashkuan gjithë botën.

Po fjalët, notat, linjën muzikore si i merrnit?

Këngët e reja të tyre i prisnim me veshin te radioja. Shfrytëzonim ndonjë magnetofon me shirit apo kasetofon ku regjistronim dhe i dëgjonim me dhjetëra herë për të marrë fjalët, notat, vijën melodike. Mjaftonte një kitarë, disa akorde, një bateri, improvizime, për të kënduar sa më shpejt “Ob-la-di Ob-la-da”, “Oh Darling” etj. Na ndihmonte dhe gjuha angleze që kishim filluar ta praktikonim. Kujtoj në bisedat me këngëtarë, Kastriot Gjinin, për këngë, tekste që vihej re një tendencë e lehtë e stilit “Beatles”. Të tilla diskutime kishte edhe me drejtuesit e orkestrave, dirigjentë, muzikantë, këngëtarët etj.

Edhe në modë, ata imitoheshin, nga artistë, aktorë deri edhe sportistë?

Revolucioni “Beatles”, kështu quhet, pasi ata bënin për vetë rininë në çdo qytet, shtet ku shkonin dhe ethet “Beatles” pushtuan globin. Edhe në modë, me veshje elegante në skenë, një nga aktorë, artistë deri edhe sportistë i imitonin. Ata ishin model i harmonisë, kur dilnin në skenë, kur zbrisnin nga avioni, kishin stilin e tyre. Sigurisht edhe në Shqipëri, me mundësitë që ishin, shfaqeshin tendenca për një stil jete, e veshje “alla bitëlls”. Rrobaqepësit, deri berberët, që na njihnin, na pyesnin, si e doni modelin e kostumeve, apo t’ju qeth si “Beatles”-at? Kapexhiu në Festivalin e 11-të doli në skenë në mënyrë surprizë, me një kostum elegant, tipik si të “Beatles”-ave.

Edhe në Shqipëri shpërthen mania e komplekseve, për të imituar “Beatles”-at?

Janë vitet e një rivaliteti muzikor midis Beatles, Rolingstones, Creedens, Bich-Boys etj. Në Itali, dalin grupet Kamaleonti, Dik Dik, Roket, Nomadi. Fundvitet ‘60 patën ndikim edhe në Shqipëri. Në Festivalin e 11-të u shprehën qartë preferencat për liri, muzikë, tekste të bukura për dashurinë etj. U shfaqën komplekset e para si “Matura ‘72″, ai i Liqenit, “Pranvera ‘72″ në Shkodër, ai “Rock&Roll” i arkitektit Dasmen Musarai, i Liceut Artistik i Osman Mulës. Të rinj, këngëtarë, instrumentistë të shkolluar, të talentuar, pasionantë që i kthenin bodrumet në stadio. Kujtoj kantautorin Francesk Radin, kitaristin Genc Dashi, Edison Xhani, etj. Për herë të parë në një festival të këngës, në të 11-tin, këndoi edhe një grup, si ai Alfons Ballicit.

Duke ëndërruar si “Beatles”, vallëzohej nën ritmin e “She loves you”?

Kjo ishte periudha që ata u futën edhe te ne, pa pasur frikë ëndërronim të ishim pakës “Beatles”-a. Pak a shumë, brezi im ishte moshatarë me ta. Ëndërronim të ishim atje ku ata jetonin, të ndjeheshim, të shijonim lirinë, një tendencë kjo që përfshiu si një “pandemi” gjithë rininë e kohës, kryesisht atë shkollore, studentore. Një brez i talentuar, pasion i madh, e që u binin disa veglave. Për të gjithë, “Beatles”-at ishin një pikë referimi më shumë. Sigurisht këngët që ishin më të dëgjuarat, që i jepnin gjallëri mjedisit, vallëzimeve, si: “She loves you”, “Ob la di ob la da”, “Hey Jude”, “Yellou Submarine”, “Love me do”, “Panny Lane”, “Help”, “Ticket to Ride”, “Come together”, “Oh-Darling”, “Lady Madona”, “Get back”, “While my guitar”…, me përmbajtje ritmike, që njiheshin dhe ishin të pëlqyera nga rinia, djem e vajza, gjimnazistë, student, të huaj.

Festivali i 11-të, nga shpresa e madhe te rrënimi fatal?

Deri në janar të ‘73-shit. Dhe post Festivali i 11 është dëshmia më e gjallë e kësaj kohe, me plenumin vrasës, me grupet e Rinisë, që të ndalonin, të ndëshkonin për shfaqet e huaja, modën bashkë me fletërrufetë, një kritikë publike që i bëhej individit. Te kapnin rrugës, të qethnin flokët, të shqyenin pantallonat se kishin modelin e qepjes si të huajt, pavarësisht se ishte dok kombinati. Në muzikë u bë katrahurë. Radio transmetonte këngë me tematika pune, fare pak lirike, por dhe kjo e lidhur me kooperativistin, njohjet, dashuritë në aksion. Tekstet e bukura shqiptare të dashurive, u zëvendësuan me ato me partinë, socializmin etj. E ndërsa muzika e “Beatles”-ave dëgjohej në gjithë botën, këtu as që mund të flitej. Vetëm në rrethe të ngushta, fshehurazi mund të këndohej e t’i bije disa akordeve në kitarë e piano të disa prej këngëve të tyre.

Pas shumë vitesh, ndodheni në Amerikë, këndoni “Girl”?

Në kohën time, nuk kishte këngë nga “Beatles” që nuk e kemi kënduar. Unë personalisht i kam rënë fizarmonikës, me të gjithë repertorin e tyre. Kam një kujtim, kur isha në Amerikë, në një lokal, u ula në piano e nis atë këndoj “Girl”, në do maxhor. Kur mbarova, dëgjoj duartrokitje. Ndjeva një kënaqësi të madhe. Por, mua më e preferuara ka qenë e mbetet, kënga e tyre “Lady Madona”.

Pas një gjysmë shekulli, Merdani shfaqet me “Let it be”- në e tij?

Brezi im, ne patëm fatin që jetuam në kohën e Kadaresë e të “Beatles”-ave. Edhe në burg, letërsia e Kadaresë na jepte shpresë, ishte një underground i madh, bashkë me këngët e “Beatles”-ave që i këndoja në heshtje. Ndërsa “se kënduam ‘Let it be’”, është një këngë e Luan Zhegut, shumë e bukur, një farë mënyre si vetë jeta ime. Një këngë përfaqësuese për brezin, miqtë e mi, dashurinë, njerëzit të ardhmen, jetën, gjithçka. Nuk pata mundësinë ta këndoja atëherë, se ma ndaluan, më dënuan, më hoqën, ma mohuan lirinë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Fab Four"

Epoka BEATLES