MENU
klinika

Veto-ja bullgare

Protesta në Shkup kundër propozimit francez

05.07.2022 - 12:58

Në Maqedoninë e Veriut qytetarët protestojnë për të tretën ditë radhazi kundër propozimit francez për zgjidhjen e ngërçit midis RMV-së dhe Bullgarisë, në mënyrë që RMV-së dhe Shqipërisë t’u hapet rruga për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian.

Protestuesit në Shkup kundërshtojnë propozimin e Macronit për heqjen e vetos bullgare, pasi pretendojnë se propozimi francez lejon “bullgarizimin” e Maqedonisë së Veriut dhe nuk njeh as gjuhën e as historinë maqedonase, dhe kërkojnë që ai të refuzohet nga ekzekutivi, ndërkohë që kryeministri Dimitar Kovaçevski, e ka përshkruar si “bazë të fortë për ndërtimin e një qëndrimi për mundësi të hapjes së shtetit tonë”.

Gjatë protestave nuk munguan këngët patriotike me thirrjen Ultimatum- Jo, faleminderit.

Të martën në Shkup pritet të mbërrijë presidenti i këshillit Europian, Charles Michel, për një vizitë zyrtare në kuadër të bisedimeve mbi propozimin francez për kornizën kushtetuese.

Shkupi zyrtar është nën ethet e propozimit francez, ndarë në mbështëtës e refuzues të hapur të projektit të presidentit Emanuel Macron, deri në protesta qytetare para godinës së qeverisë.

Nëse Maqedonia e Veriut e pranon, do të hiqet bllokada më shumë se 2-vjeçare nga Bullgaria për të nisur bisedimet e anëtarësimit me Bashkimin Evropian pas 17 viteve pritje, e bashkë me të edhe për Shqipërinë që ecën në të njëjtën rrugë.

Propozimi francez mbërriti në Maqedoninë e Veriut të enjten pas së cilës kryeministri Kovaçevski paralajmëroi proces të gjerë konsultativ me koalicionin qeveritar, presidentin e shtetit, Kuvendin, opozitën, si dhe me sektorin civil, ekspert dhe opinionin e gjerë në vend.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN