MENU
klinika

Mero Baze

Pse Berisha nuk bën dot bashkimin dhe rasti “Topalli”

11.07.2022 - 19:22

Përpjekja e Sali Berishës për të diktuar udhëheqjen e opozitës përmes nxjerrjes së njerëzve në rrugë “nën emrin e tij”, vlen për të bindur ata që ka me vete, por jo ata që duhet të marrë me vete në emër të opozitës.

Fakti që shumë deputetë shkuan në protestën e Berishës, por nuk shkojnë pas partisë së Sali Berishës, e bën dhe më të rëndë problemin e lidershipit të tij pas protestës, se sa para protestës.

Arsyeja është se mbështetësit e Berishës e konsiderojnë protestën një liçensë për ta, për të luftuar armiqtë e brendshëm, vetëm pse ata nuk pranojnë Sali Berishën. Madje dhe ata që kanë shfaqur qoftë dhe një herë mospajtime me të.

Dhe për ta provuar këtë, vlen dhe rasti më ekstrem, “rasti Jozefina Topalli”, e cila pranoi dhe rikthimin, pranoi dhe lavdërimet e Berishës për rikthimin, por nuk arriti të ri-integrohet në partinë që kishte qenë dikur numri 2, si në jetën politike, dhe në pushtet.

Rikthimi i dështuar i Jozefina Topallit, e cila është e vetmja që nuk ka ikur nga ajo parti për shkak të konflikteve me Berishën, por për shkak të ndjesisë që kishte se Berisha e donte më pak se Lulzim Bashën, tregon se ajo nuk arriti të integrohej në partinë e re të Berishës.

Edhe pse shkoi në kuvend, edhe pse qau dhe u përlot, edhe pse Berisha e kishte atë të vetmin lajm pozitiv bindës për ribashkimin e PD, në fakt nuk e integroi dot.

Atë dukshëm e shoqëroi përçmimi dhe izolimi nga një mur i ftohtë i mbështetësve të Berishës, të cilët nuk ja falin faktin që ajo e ka sulmuar Bashën kur e donte Berisha, edhe pse tani që u bashkua me Berishën, ky e shan Bashën më shumë se ajo.

Ajo quhet e padëshiruar vetëm pse e ka sharë pa leje dikur atë që Berisha tani e urren më shumë se kushdo tjetër mbi tokë.

Pra çeta e mbështetësve të Sali Berishës, tani është problem i gënjeshtrave të vet Sali Berishës për bashkimin e opozitës dhe arsyeja pse askush nuk troket më në atë derë.

Çdokush që do të rikthehet tek Berisha, do të gjejë këtë poshtërim, këtë izolim dhe mbi të gjitha, trajtimin si i deklasuar.

Ndaj Berisha nuk ka fuqi ta bashkojë opozitën. Nuk ka fuqi pasi askush që ka dinjitet dhe mendon se ka një të ardhme politike, nuk ka dëshirë të jetë nën udhëheqjen e tij si opozitar.

Por dhe ata që nuk kanë më asnjë ambicie dhe që kthehen aty vetëm pse kanë pushuar arsyet, përse kanë ikur nga PD, siç është rasti i zonjës Topalli, nuk i pranon më partia, pasi i shikon si njerëz që qoftë dhe një herë kanë menduar me kokën e tyre, ndryshe nga Berisha. Ky gjest vazhdon të jetë krimi më i rëndë në PD.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Mijëra familje pa energji elektrike

Kaos në Britani nga stuhia ‘Bert’!

Vangjeli: Sky ECC u përdor nga politikanë, ministra e gjyqtarë…

“Prokuroria ka në dorë ‘ditarin’ e botës së errët të krimit”

“Bllokim total i Tiranës! Qytetarët do të vuajnë, por…“

“Mosbindja civile” protestë më 26 nëntor, Paloka zbardh skenarin