MENU
klinika

Nga Ben Andoni

Pse fitojnë gjithnjë “të fortët” në shtetet e dobëta?!

12.07.2022 - 18:26

Më 7 Korrik, 2022, Berisha sërish mblodhi publikun shqiptar në një manifestim, që megjithë pritshmëritë e ndryshmit dhe ngjalljes së frikës për Ramën tek militantët e PD-së (kuptohet nuk u realizuan), e treguan hapur se njeriu i fortë Berisha është ende faktor në demokracinë shqiptare. Dhe, çfarë faktori! Njerëzit nuk duan t’ia dinë për “Non Gratën” amerikane, aleancën e shenjtë me SHBA, por thjesht ndryshimin…qoftë edhe nëpërmjet tij. Karburanti i vetëm dhe i plotë, në fakt, i protestës ishte Edi Rama me retorikën e tij cinike, skandalet dhe problematikat e mëdha të administratës së tij, që po përshfaqen për çdo ditë.

A mos është Shqipëria rasti i asaj fryme liberale, që po përcjell në një udhë populizmi të lodhshëm? Për këtë na duhet arsyetimi i figurave të njohura të teorisë së sotme të politikës. Qysh në vitin 2007, Ivan Krastev mëtonte se politika e BE-së dhe mënyra sesi po e shihte Evropën Qendrore dhe Lindore në aspektin e të ashtuquajturit ‘konsensusi liberal’ po i hapte udhë direkt një populizmi joliberal dhe në fund të fundit deri beninj. Shqipëria, tashmë, me këtë ligjërim politik në vend, me ringritjen (në fakt, ai ishte aty dhe riardhja e frymës së tij, njohur si Berishizëm tregoi se asgjë nuk ndryshon aq lehtë por mund të transformohet në forma më sfiduese) e Berishës tregon se sa më e madhe po bëhet fryma populiste dhe jo liberale në vend. Në fakt, në rastin e Berishës mund “të justifikohet” deri diku, pasi po përpiqet ta përcjellë partinë në një frymë të mëtuar konservatore. Sfida dhe qesëndia që bëri Hungaria pas-anëtarësimit në BE-ja dhe Orban, lideri i saj, tashmë krejtësisht autokratik, e tregon edhe më hapur këtë sfidë.

I kthehemi edhe njëherë pyetjes se pse po kthehen “të fortët”? Disa nga argumentet pse ata po rikthehen në pushtet ose më saktë po e synojnë mund t’i hulumtosh nga disa figura bizarre që janë jashtë kësaj skeme dhe disi më larg arealit tonë. “Shumë liderë ‘populistë autoritarë’ jashtë Perëndimit – nga Rodrigo Duterte në Filipine te Vladimir Putin në Rusi dhe deri te Narendra Modi në Indi – e marrin legjitimitetin e tyre as nga premtimet ekonomike dhe as nga konservatorizmi social, por nga një angazhim i tretë: rivendosjen e rendit publik dhe autoritetit shtetëror. Nëse duam të kuptojmë pse kjo platformë ka qenë dhe vazhdon të jetë tërheqëse për votuesit, duhet të shqyrtojmë mënyrat në të cilat kapaciteti shtetëror është gërryer në shumë demokraci në zhvillim, duke rezultuar në ngjitjen e një krize të thellë besimi demokratik dhe një gatishmëri për të përqafuar alternativat populiste”, citohet Roberto Stefan Foa, te “Why Strongmen Win in Weak States” (“Pse ‘Të fortët’ Fitojnë në Shtetet e Dobëta”). Pikërisht, nga ky autor kemi huazuar dhe titullin e artikullit të tij, botuar tek “Journal of Democracy”.

Në fund të shekullit XX dhe sidomos në nisje të shekullit XXI kemi parë sesi liderët e ashtuquajtur të fortë drejtojnë ose shihen ende si ndryshim në Ballkan. Është e pamundur të sfidosh në Serbi, presidentin aktual Aleksandër Vuçiq, paçka se ka një frymë krejt kundër tij në popull dhe figura e tij shihet deri si groteske. Rasti i Presidentit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, ardhur qysh nga ish-Federata Jugosllave dhe dikur bashkëqeverisës me Millosheviq është edhe më interesante (!). Ka qëndruar jo vetëm me një pushtet të gjatë dhe të pandërprerë, por edhe i akuzuar me shumë dëshmi për korrupsion por edhe fuqi për të drejtuar përmes makinacioneve. Apo, Edi Rama në një rrëshqitje të përditshme në autokraci dhe me një narrativë tejet cinike jo pak herë edhe anti-BE me elementë nacionalistë dhe sfida të vazhdueshme për Kultin janë peizazhi i sotëm përfaqësues i Ballkanit. Nga të tre, megjithë karburantin që japin me skandalet për opozitën, shoqëruar edhe me autokracinë respektive, kupton se trajektorja e demokracisë në Ballkan, ashtu si në Evropën Qendrore dhe Lindore ka kahe krejt të ndryshme.

Janë pikërisht këta personazhe që i kanë dhënë dimensione krejt të reja shtet-ndërtimit nën mandatin e tyre, por edhe formë ndryshe demokratizimit të vendeve respektive. Përballë tyre, politikëbërësit e Brukselit kanë sajuar lloj-lloj procedurash burokratike për t’ua bërë jetën më të vështirë dhe për të inkurajuar zgjedhjet shumëpartiake me nivele besimi për publikun. Në fund, një raport i thatë për zgjedhjet i ka dhënë fund të gjithës me vlerësime plot ekuivokë për ta!!

Dhe, rezultati është i dukshëm në kurriz të publikut: megjithë asistencën, ata duhet të kenë sot parasysh korrupsionin në vendet e tyre. Në rastin e Shqipërisë, po t’i referohemi një periudhe dhjetëvjeçare, e kemi të parë se është ngritur vetëm me dy pikë, që tregon se lufta ndaj korrupsionit ka mbetur po e njëjtë. Ashtu si Serbia është bllokuar me 38 pikë dhe është në nivelin më të ulët prej dhjetë vjetësh. Po pse BE-ja është e pafuqishme t’i kontrollojë vendet e vogla të Ballkanit Perëndimor? Me një mal të tërë institucionesh, BE-ja vërtetë mund t’i ketë kapacitetet por në terren duket se “fondet evropiane nuk harxhohen në mënyrë adekuate në këto vende. Por në këtë kontekst, duhet thënë se janë qeveritë përgjegjëse, dhe sa më pak përgjegjëse që ato tregohen në luftën kundër korrupsionit, aq më pak të gatshme do të jenë vendet e BE-së që t’i pranojnë ato në BE dhe kjo ka të bëjë direkt me përvojën që BE ka pasur më parë me disa vende anëtare”, citohet Lidija Prokiç, koordinatore për Evropën Lindore dhe Juglindore e “Transparency International”, në një intervistë dhënë për DW më 2021.

“Në fillim të shekullit të njëzetë e një, reforma demokratike dhe ndërtimi i kapaciteteve shtetërore shiheshin përgjithësisht si procese plotësuese, me politikëbërësit ndërkombëtarë që mbrojnë zgjedhjet konkurruese shumëpartiake, si një zgjidhje për vendet që përballen me probleme të cilat variojnë nga korrupsioni endemik deri te brishtësia e shtetit të tyre apo edhe me boshllëqet në infrastrukturë ose ofrimin e mirëqenies. Megjithatë, realiteti është se zgjedhjet në vetvete nuk mund të garantojnë përparim në rrugën drejt ndërtimit të një burokracie efektive, shtypjes së krimit të organizuar ose sigurimit të ofrimit efikas dhe të barabartë të shkollave, rrugëve dhe spitaleve”, citohet Roberto Stefan Foa nga i njëjti artikull.

Dhe, realisht vjen një konstatim se një demokraci, paçka atributeve pozitive kur nuk arrin të përmbajë korrupsionin , konfliktin ose kriminalitetin do t’i mbartë këto atribute si të vetat në mendjen e publikut. Ndërkohë, një varg qeverish të zgjedhura që shpejt zhyten në skandale dhe paraliza të politikave jo thjesht po i dëmtojnë perceptimet qytetare të sistemit demokratik por edhe kanë hequr besimin në alternativa. A është ky rasti i vendit tonë? Pothuajse i plotë. Kjo është arsyeja se pse Berisha tashmë shihet si shpëtimtar, madje edhe nga ata që dikur e kanë parë si të papërshtatshëm apo edhe ata që guxojnë e artikulojnë se ai nuk është e ardhmja. Në demokracitë e brishta, si në rastin tonë duket se populistët autoritarë se Berisha mund të jenë në gjendje të arrijnë në pushtet duke kombinuar forma të ndryshme mbështetëse, ku në frontin e kësaj mbështetje gjenden shumë fasha të klasës së mesme urbane, që mbetet e motivuar për taksa të arsyeshme, barazi para ligjit, dëshira për rend publik, llogaridhënie të institucioneve dhe një fund ndaj luftës klientelizmit dhe ryshfetit, parashtrohet si ide nga një analizë e gjatë në Journal of Democracy, duke parë atë masivitet dhe përbërje të protestuesve, që i treguan Shqipërisë se ka nevojë për ndryshim, qoftë edhe me anë të Berishës (!!!) A ka një udhë tjetër? Ka gjithnjë e më shumë zëra te vetë PS-ja, të cilat po i tregojnë kryeministrit aktual sesi po devijon politika e tij, falë përcjelljes jo të mira të strukturave të Ekzekutivit. Ish-zëvendëskryeministri Braçe dhe ish-ministri Petro Koçi e kanë shprehur deri hapur kundërshtimin. Edhe më saktë vinë vërejtjet nga disa mëndje të kthjellëta jashtë partive. “Njerëzit e fortë të politikës” duhet të kuptojnë se mund t’i manipulojnë njerëzit paradoksalisht edhe falë kushteve, që ata vetë i kanë imponuar demokracisë por ata nuk mund të kthejnë kurrë dëshirën për demokraci dhe një lloj dinjiteti. Tek e fundit…“Gjuha politike… është krijuar për t’i bërë gënjeshtrat të tingëllojnë të vërteta dhe vrasjen të respektueshme, dhe për t’i dhënë një pamje të fortë erës së pastër”, shprehej dikur George Orwell. Ndaj, njerëzit duhet të kuptojnë se njerëzit e fortë nuk janë zgjidhje për çdo arsye, vetëm arsyeja e zbukuron dhe i jep frymë demokracisë. Berisha dhe me sa duket edhe Rama pak e nga pak nuk duken më pjesë e këtij ekuacioni. (Homo Albanicus)

Nga ish-gjyqtari tek zyrtari i lartë i Policisë! 18 të arrestuar!

Aksioni blic në Elbasan/ Zbardhen detaje nga operacioni i SPAK!

Operacioni ku u arrestuan dy ish-gjyqtarë

SPAK kontrolle në bizneset e Suel Çelës në Elbasan

Kush është personi që ndihmoi autorin të largohej

Vrasja e Martin Canit/ Dyshime se janë përdorur dy thika