MENU
klinika

Scriptorium

“Qeshni sa jeni gjallë”

12.07.2022 - 18:18

Parashikimi i së ardhmes" - Konica.al

Irene Vallejo/

Herët që njerëzit kanë qeshur ose janë tallur me ne janë të skalitura në kujtesën tonë. Akoma i ndjejmë dhe i dëgjojmë të qeshurat e tyre dhe turpin që kemi ndjerë ndërsa ata qeshnin me ne, sidomos gjatë adoleshencës. Janë kujdesur të na e mësojnë shumë mirë frikën nga tallja mbi të gjitha, ndaj dhe mosha adulte na gjen shumë seriozë dhe të ngurtë. Koha kalon dhe ne ende nuk dimë si t´i përballojmë budallallëqet tona, nuk dimë si të sillemi ndaj spektaklit komik që përgatisim për të tjerët.

Të mësojmë të qeshim me fatkeqësitë tona është një mjet elegant për momentet e sikletshme; sipas fjalëve të Boris Vian, ¨mirësjellje gjatë dëshpërimit¨.

Në Greqinë e lashtë qarkullonte epika humoristike e Margites, që i atribuohej pikërisht Homerit, parodia e Iliadës dhe Odisesë. Ne e dimë dhe nga shkrimtarë të tjerë që Margites qe tejet e ngathët, ajo ishte dështake sepse nuk arrinte të kishte sukses në thuajse asgjë. Aristoteli shkruante se komedia është frymëzuar pikërisht nga këto lloj personazhesh.

Përpos rëndësisë së humorit, nuk e gjejmë të përmendet në ndonjë poemë dhe në filozofi fitoi melankolia përballë të qeshurës. Thuhej se Herakliti i urtë mbante gjithmonë një fytyrë të ashpër dhe të vrenjtur, sepse gjendja njerëzore i dukej e trishtë; Nga ana tjetër, Demokritin, i cili kishte një mendim të ngjashëm për shokët e tij, e gjeje gjithmonë duke buzëqeshur. Nga të dy, për Demokritin çfarë nuk është dëgjuar. Puna e tij humbi, me përjashtim të disa fragmenteve, sikur çdo mendim duhej të ishte serioz dhe arsyeja nuk dinte të qeshte.

Që nga flirti e deri tek seksi, është shumë e shëndetshme, t´i marrësh me humor: ngathtësitë, frikën, humbjen e kontrollit, lodhjen rraskapitëse, zhurmat e tmerrshme, shpërthimet e trupit, akrobacitë që dështojnë e kështu me radhë.

Askush nuk është perfekt, e ka thënë shumë qartë Billy Wilder, as klasikët as bashkëkohorët.

Humori është si një mjet i mprehur mirë, por mjet i rrezikshëm gjithashtu, ai zhvesh ligësitë dhe dënon padrejtësitë e shumta në numër. Autori amerikan Kurt Vonnegut shkruan: ¨Kur të gjendesh para një situatë të frikshme apo përballë një fatkeqësie, mund të qash ose të qeshësh. Unë zgjedh të qesh sepse pastaj nuk më duhet të marr shaminë për të fshirë lotët¨.

Në veprën e tij të mirënjohur ¨Matadero cinco¨, ai rrëfën eksperiencën e tij në luftën e dytë botërore – pa shkronja kapitale – , mes ushtarësh që ishin fëmijë me moshë, të burgosurve të Gjermanisë dhe dëshmitarëve okularë të bombardimeve të tmerrshme në Dresde.

Kurt na premtoi që vepra e tij nuk kishte të bënte fare me John Wayne dhe sojin e tij, por ishte një roman në të cilin mbizotëronte horrori dhe e qeshura, butësisht i tmerrshëm, me doza të mëdha satire dhe mungese kuptimi, pa lënë pas jashtëtokësorët që i kishte shtuar si banorë të Tralfamador. Ndaj duke sfumuar si ngjyra të një pikture pafuqinë dhe marrëzinë, arriti të shkruante një nga lutjet më tronditëse e paqësore në letërsi.

Gjatë seksit, ashtu si dhe gjatë luftës, humori mund të jetë aq kritik dhe i thellë sa dhe serioziteti. Nën fjalimet më madhështore qëndrojnë zgjebja, morrat dhe era e piskut në llogore.

Komeditë e autorëve Charlie Chaplin, Lubitsch apo Benigni, portretizojnë protagonistë të ngathët që me gjestet e tyre nxjerrin në pah absurditetin e dhunës. Vonnegut theksonte: ¨Sa budalla do të isha po të kisha lejuar që respekti për veten të ndërhynte me lumturinë time¨. E qeshura është një nga format e mohimit të barbarisë dhe na shërben si mbrojtje ndaj vaniteteve tona. Ndoshta asgjë nuk është më qesharake sesa t´a marrësh jetën me më shumë seriozitet se duhet.

Irene Vallejo, shkrimtare e mirënjohur spanjolle, në vitin 2020 fitoi çmimin Premio Nacional de Ensayo për librin e saj ¨El infinito de un junco¨, e pesta grua që ka fituar këtë çmim dhe e para filozofe që fitoi çmimin ¨Celia Amorós¨ në vitin 2006.

Artikulli u përkthye në shqip nga Albana Murra.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Scriptorium

“Dashuria”

Blogu i Albana Murrës/ Scriptorium

“Vjeshta jote ndriçon”

Scriptorium

“Poret”