Kanë nisur sot punimet për ndërtimin e Parkut Fotovoltaik të Karavastasë. I pranishëm në ceremoninë e nisjes së punimeve ishte kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Energjisë, Belinda Balluku.
Ndër të tjera, kreu i qeverisë falenderoi kompaninë Voltalia që, sipas tij, e vijoi punën edhe pse në një situatë tejet sfiduese me ndryshimin e konjukturave.
“…Jemi këtu sot pas një pune të gjatë përgatitore për të hyrë në fazën përfundimtare, atë të ndërtimit të parkut më të madh me energji diellore në rajonin e Ballkanit. Për rastësi, dje kam qenë së bashku me presidentin e Francës në Madrit, dhe folëm për angazhimin e Voltalias në Shqipëri edhe për vijimin e investimeve me parkun tjetër fotovoltaik që është në fazën përgatitore.
Këtu mbaron edhe i gjithë tensioni i Erion Braçes për realizimin e kësaj vepre. Meriton respekt për këmbënguljen që ka treguar për ta lehtësuar këtë proces. Edhe pse ka bërë detyrë, Belinda meriton një falënderim të posaçëm sepse procesi ka qenë sfidues por edhe një histori e bukur suksesi. Duke nisur që nga çmimi, i paimagjinueshëm në atë moment…bëhet përtej çdo force të imagjinatës sot kur situata është tjetër. E çmojmë gatishmërinë e kompanisë për të vazhduar edhe pse në një situatë kaq sfiduese. Konjuktura, ndërkohë që çmimi i energjisë për Evropën e botën bëhet gjithnjë e më problem, Shqipëria mbetet i vetmi vend që s’e ka prekur dhe s’do ta prekë çmimin e energjisë për familjarët dhe biznesit të vogël. Norma e inflacionit, problemi kryesor i të gjitha qeverive, në Shqipëri më e ulëta në rajon…Dua që askush të mos e harrojë se ka dy të dhëna të rëndësishme për të kuptuar situatën në të cilën ndodhemi. E para energjia…
Po ashtu, Rama tha se qeveria nuk do të heqë dorë nga vizioni për Shqipërinë e vitit 2030 sa i përket energjitikës. Synimi, sipas tij, është që Shqipëria të bëhet tërësisht e pavarur nga pikëpamja e energjisë.
“Ne nuk heqim dorë nga vizioni ynë i Shqipërisë 2030. Për ta bërë këtë vend tërësisht të pavarur nga pikëpamja e energjisë. Na vendos në një pozicion strategjik sa i përket gazit. Mbrëmë firmosëm një marrëveshje me Spanjën, presim finalizimin e testeve për naftën e gazin e zbuluar në zonën e Shpiragut. Një frymëmarrje e jashtëzakonshme për vendin tonë. Do të kemi të reja të tjera të bukura nga ky sektor.” /abcnews.al/