Sipas një njoftimi të OKB-së, marrëveshja e nëshkruar të premten në Stamboll do të lejojë që sasi të konsiderueshme ushqimesh dhe plehu kimik të eksportohen nga tre porte kryesore të Detit të Zi –Odessa, Chernomorsk dhe Yuzhny.
Një analist politik turk thotë se marrëveshja përfaqëson një arritje të rëndësishme politike, në veçanti për Rusinë.
Analistët e shohin nënshkrimin e marrëveshjes së shumëpritur për rifillimin e eksportit të drithit përmes Detit të Zi nga portet ukrainase drejt tregut ndërkombëtar një arritje e rëndësishme politike, në veçanti për Rusinë.
Rusia dhe Ukraina nënshkruan të premten në Stamboll marrëveshjen për të eksportuar drithin, produktet ushqimore dhe plehun kimik drejt tregjeve ndërkombëtare, nën mbikëqyrjen e OKB-së.
Iniciativa për drithin në Detin e Zi, e nënshkruar me Turqinë nën kujdesin e OKB-së, do të lejojë që sasi të konsiderueshme ushqimesh dhe plehu kimik të eksportohen nga tre porte kryesore të Detit të Zi –Odessa, Chernomorsk dhe Yuzhny, thuhej në një deklaratë të OKB-së.
“Ky është një fillim i mirë. Pikë së pari jep shpresë për të ardhmen pasi kjo luftë krijoi shumë probleme me mungesat që shkaktoi. E kuptuan se vepruan gabim jo vetëm për drithin, por edhe për çmimet e energjisë dhe burimet energjitike. Mungesat në gazin natyror krijuan probleme serioze ekonomike për Perëndimin. Rezultati i drejtpërdrejtë u ndje me nivelin e lartë të inflacionit. Pra nga tani e tutje mendoj se ky do të jetë një fillim i mirë për palën ruse dhe ukrainase”, thotë analisti turk i politikës së jashtme, Aydin Sezer.
Ai thotë se marrëveshja do të lejojë eksportin e drithit rus përmes Detit të Zi, dhe se Rusia ka tashmë rreth 40 milionë tonë drithë të gatshëm për eksport, një sasi kjo më e madhe se rezervat e Ukrainës dhe që do të kishte një rol domethënës për të lehtësuar krizën globale të ushqimit.
Zoti Sezer thotë se marrëveshja ka edhe rëndësi politike për Rusinë.
“Kjo është politikisht shumë e rëndësishme dhe tregon se Shtetet e Bashkuara, Perëndimi, Kombet e Bashkuara dhe Ukraina të paktën njohën Rusinë në njëfarë mënyre. Rëndësia e marrëveshjes për palën ruse është më e madhe se për palën ukrainase”, thotë analisti politik turk.
Marrëveshja u nënshkrua të premten në Stamboll me ndërmjetësimin e OKB-së dhe Turqisë. Departamenti amerikan i Shtetit e mirëpriti nënshkrimin e saj, por i kujtoi Moskës se do të mbajë përgjegjësi nëse marrëveshja nuk zbatohet.
Shtetet e Bashkuara kërkuan gjithashtu që Kina të ndalë grumbullimin e grurit dhe të ofrojë më shumë për të përmbushur nevojat globale për ndihmë humanitare. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se Kievi pritet të eksportojë rreth 20 milionë tonë drithë, ndërsa bëri të ditur se vendi i tij ka aktualisht një sasi drithi në vlerën e rreth 10 miliardë dollarëve.