Është traditë thuajse në cdo klub elitar që marrin futbollistë të rinj gjatë fazës përgatitore, jo vetëm për të plotësuar numrin, por edhe për të pikasur ndonjë element që të shpërthejë. Dhe nga kjo mund të përfitojë edhe sulmuesi i Kombëtares U-21, Shpresave, Eljo Toçi.
E ardhmja e tij pritet të jetë tepër e ndritur. Vetëm 19-vjeç, shqiptari, shkëlqeu me moshat e Fiorentinës, duke shënuar 15 gola dhe 8 asiste në 34 ndeshje, teksa nga raportimet e fundit që vijnë nga Italia, bëhet me dije, se Toçi do të ketë shansin e artë për të qenë pjesë e skuadrës A të Fiorentinës, gjatë fazës përgatitore që do të zhvillojë.
Talenti shqiptar ka firmosur kontratën e re me ekipin e njohur italian që do ta mbajë pjesë të saj deri në vitin 2025. Trajneri i Fiores, Italiano, ka kërkuar që ta shoh Tocin nga afër gjatë përgatitjes që do të bëjë për sezonin e ri, teksa më pas do të vendoset për të ardhmen e tij.
Lista zyrtare e futbollistëve që do të grumbullohen në këtë fazë përgatitore, pritet të bëhet publike në ditët në vijim. Një mundësi që talenti shqiptar kërkon ta shfrytëzojë më së miri.