Sezoni veror ka shtuar ndjeshëm fluksin në pikat kufitare në hyrje të Shqipërisë, ndërkohë që vetëm nga porti detar i Durrësit 24 orët e fundit kanë hyrë afërsisht 4300 persona.
Për të përballuar këtë shtim të numrit në hyrje të turistëve dhe shtetasve shqiptarë që janë rezident në vende të ndryshme të Bashkimit Europian janë marrë masa për një përpunim sa më të shpejtë.
Arsyeja kryesore e atyre që hyjnë në vend përmes trageteve që lidhin Italinë me Shqipërinë në linjat Bari-Durrës dhe Ankona-Durrës është turizmi, po ka dhe persona të tjerë që vijnë në Shqipëri për arsye pune ose të tjera.
Të dielën mbërritën tre tragete nga Bari dhe Ankona, ndërsa paraditen e sotme mbërritën dy tragetet e Barit.
Në total gjatë dy ditëve të fundit hynë në pikën kufitare të portit më të madh të vendit rreth 4300 persona dhe 846 mjete.
Fluksi pritet të shtohet ndjeshëm fundjavat e ardhshme të korrikut për të arritur pikun e fluksit në fillim të muajit gusht, që njihet dhe zyrtarisht si muaji i pushimeve.