MENU
klinika

Nga Reuters

Si e nxitën ndryshimet klimatike valën e të nxehtit në Evropë?

20.07.2022 - 20:58

Evropa është përfshirë nga një valë rekorde e të nxehtit dhe zjarret janë duke shpërthyer në të gjithë Mesdheun.

Valë më të nxehta e më të shpeshta

Ndryshimet klimatike i bëjnë valët e të nxehtit edhe më të rënda, edhe më të shpeshta. Kjo ka ndodhur në shumicën e rajoneve tokësore dhe është konfirmuar nga paneli global i shkencëtarëve të klimës (IPCC) i OKB-së.

Emetimet e gazrave serrë nga aktivitetet njerëzore e kanë ngrohur planetin për rreth 1.2 gradë Celsius qe nga kohërat para-industriale. Kjo do të thotë se, gjatë ngjarjeve ekstreme të nxehtësisë, mund të shënohen temperatura më të larta.

“Çdo valë e të nxehtit që po përjetojmë sot, është bërë më e nxehtë dhe më e shpeshtë për shkak të ndryshimeve klimatike”, thotë Friederike Otto, shkencëtare për klimën në Kolegjin Imperial në Londër.

Por, në valët e të nxehtit ndikojnë edhe kushte të tjera. Në Evropë, për shembull, qarkullimi atmosferik është një faktor i rëndësishëm.

Një studim i publikuar në revistën Nature këtë muaj ka zbuluar se valët e të nxehtit në Evropë janë rritur për tri-katër herë më shpejt se në pjesë të tjera të hemisferës veriore. Autorët e studimit e kanë lidhur këtë ndodhi me ndryshimet në rrymat e ajrit.

Gjurmët e ndryshimeve klimatike

Për të zbuluar saktësisht se sa ndikojnë ndryshimet klimatike në një valë specifike të të nxehtit, shkencëtarët bëjnë “studime të atributeve”.

Nga viti 2004 janë bërë më shumë se 400 studime të tilla për ngjarje ekstreme të motit – përfshirë: nxehtësinë, përmbytjet dhe thatësirën – dhe është llogaritur se sa rol kanë luajtur ndryshimet e klimës në secilën prej tyre.

Këto kanë përfshirë simulimin e klimës moderne dhe krahasimin e saj me simulimin e një klime pa emetime të gazrave serrë, të shkaktuara nga njerëzit.

Për shembull, shkencëtarët në organizatën “World Weather Attribution” kanë konstatuar se vala rekorde e të nxehtit në Evropën Perëndimore, në qershor të vitit 2019, ka 100 herë më shumë gjasa të ndodhë tani në Francë dhe Holandë, për shkak të ndryshimeve klimatike që kanë shkaktuar njerëzit.

Valët e të nxehtit do të përkeqësohen

Temperatura mesatare globale është rreth 1.2 gradë Celsius më e lartë se në kohërat para-industriale. Kjo është duke shkaktuar tashmë ngjarje ekstreme të të nxehtit.

“Mesatarisht në tokë, ekstremet e nxehtësisë që do të kishin ndodhur një herë në dhjetë vjet pa ndikimin e njeriut në klimë, tani janë tri herë më të shpeshta”, thotë Sonia Seneviratne, shkencëtare për klimën në organizatën ETH në Cyrih.

Temperaturat do të ndalojnë së rrituri vetëm nëse njerëzit ndalojnë së shtuari gazra serrë në atmosferë. Deri atëherë, valët e të nxehtit pritet të përkeqësohen.

Dështimi për t’i trajtuar ndryshimet klimatike, do të bëjë që ekstremet e nxehtësisë të përshkallëzohen dhe të bëhen më të rrezikshme.

Me Marrëveshjen e Parisit të vitit 2015, vendet kanë rënë dakord për t’i zvogëluar emetimet e gazrave serrë, me qëllim që të kufizojnë ngrohjen globale në 2 gradë Celsius apo 1.5. Politikat aktuale nuk duket se do t’i ulin emetimet aq shpejt.

Vala e të nxehtit që ka ndodhur një herë në dekadë në epokën para-industriale, do të ndodhë 4.1 herë në dekadë me ngrohje prej 1.5 gradësh Celsius dhe 5.6 herë në 2 gradë Celsius, vlerëson IPCC.

Nëse ngrohja lejohet të kalojë 1.5 gradë Celsius, atëherë shumica e viteve “do të ndikohen nga ekstremet e nxehta në të ardhmen”, thotë Seneviratne.

Ndryshimet klimatike shkaktojnë zjarre

Ndryshimet klimatike rrisin kushtet e nxehta dhe të thata të motit, që i ndihmojnë zjarret të përhapen më shpejt dhe të digjen më gjatë.

Në Mesdhe, kjo ka bërë që sezoni i zjarreve të fillojë më herët dhe të zgjasë më shumë.

Vitin e kaluar, më shumë se gjysmë milioni hektarë janë djegur në Bashkimin Evropian. Ka qenë ky sezoni i dytë më i keq i zjarreve në BE, pas rekordit të shënuar në vitin 2017.

Moti më i nxehtë, gjithashtu, heq lagështinë nga bimët, duke i kthyer ato në lëndë të thata, që ndihmojnë në përhapjen e zjarreve.

“Kushtet më të nxehta dhe më të thata tani, thjesht e bëjnë [situatën] shumë më të rrezikshme”, thotë Mark Parrington, shkencëtar në “Copernicus”.

Vendet si Portugalia dhe Greqia përjetojnë zjarre shumicën e verës dhe kanë infrastrukturë për t’i menaxhuar ato. Megjithatë, të dyja ato kanë marrë ndihmë urgjente nga BE-ja këtë verë.

Temperaturat më të nxehta janë duke shkaktuar zjarre edhe në rajone që nuk janë mësuar me to dhe janë më pak të përgatitura.

Ndryshimet klimatike s’janë faktori i vetëm i zjarreve

Menaxhimi i pyjeve dhe ndezjet janë, po ashtu, faktorë të rëndësishëm.

Sipas të dhënave të BE-së, në Evropë, më shumë se nëntë nga dhjetë zjarre ndizen nga aktivitetet njerëzore, të tilla si: zjarrvëniet, skara, linjat e energjisë elektrike ose xhamat e ndotur.

Vendet, përfshirë Spanjën, përballen me tkurrje të popullsisë në zona rurale, pasi njerëzit lëvizin në qytete, duke lënë forca më të vogla punëtore për të pastruar bimët dhe “karburantet” që ndezin zjarre në pyje.

Shkencëtarët pajtohen se pa reduktime të mëdha të gazrave serrë që shkaktojnë ndryshime klimatike, valët e të nxehtit, zjarret, përmbytjet dhe thatësira do të përkeqësohen ndjeshëm.

“Kur ta shikojmë sezonin aktual të zjarreve pas një ose dy dekadash, ndoshta do të duket i butë në krahasim [me atë që do të vijë]”, thotë Victor Resco de Dios, profesor i inxhinierisë pyjore në Universitetin Lleida të Spanjës.