Brilant Martinaj, Besmir Hoxha dhe Diklen Vata kanë nuhatur që po ndiqeshin prej disa kilometrash nga një automjet. Pak çaste para momentit fatal, Diklen Vata ka lajmëruar në telefon nënën dhe motrën e tij, duke u thënë se ishte duke udhëtuar me dy shokë dhe po ndiqeshin nga një makinë.
Këto deklarime, nëna dhe motra e të ndjerit i kanë bërë në Polici. “Dikleni na mori në telefon vetëm pak minuta para se të ndodhte ngjarja, duke na thënë se po udhëtonte me dy shokët dhe po i ndiqte një makinë. Pastaj e mbylli telefonin. U alarmuam, por pak çaste. Më pas, dëgjuam për një ngjarje në Fushë-Krujë dhe pavarësisht se mediat nuk po përmendnin emra neve e kuptuam direkt se ishin Dikleni dhe shokët e tij, të cilët ishin vrarë”, mësohet të jenë shprehur ndër të tjera familjarët e Diklen Vatës. Kjo dëshmi pritet të merret nga hetuesit si një provë për të verifikuar kohën në të cilën është kryer telefonata nga ana e Diklen Vatës, i cili dyshohet se ishte edhe truproja e objektivit kryesor të atentatit, Brilant Martinaj.
“SERVISI”
Sipas dëshmive të familjarëve të viktimave, Brilant Martinaj kishte në servis automjetin me të cilin udhëtonte dhe pas takimit në Rinas edhe me Besmir Hoxhën, do të shkonte me automjetin e këtij të fundit për ta marrë mjetin e tij. Ky është momenti që besohet se viktimat janë tradhtuar dhe për pasojë atentatorët u kanë ngritur pritë në mbikalimin e Fushë-Krujës, duke i ekzekutuar dhe duke i vënë më pas zjarrin automjetit. Bashkë me ta ishte edhe Diklen Vata, shok i përbashkët i tyre dhe që shërbente edhe si truprojë për djalin e vetëm të familjes Martinaj. Më pas, ata kanë shkuar te servisi në zonën e Tapizës, ku kanë pyetur për automjetin. Ka qenë punëtori servisit që u ka deklaruar të rinjve se mjeti donte edhe pak kohë për të mbaruar puna me mjetin. “Kanë ardhur dhe janë interesuar për makinën. Unë ju kërkova më shumë kohë dhe ata u larguan”, ka deklaruar punëtori i servisit.
“RRUGËTIMI FATAL”
Më pas, tre të rinjtë morën rrugën për t’u kthyer në FushëKuqe për në zonën ku banonin, kur në mbikalimin e FushëKrujës ranë pritë e atentatit. Martinaj lëvizte me makinë të blinduar dhe fakti që po udhëtonte me makinën e Besmirit ka bërë që Policia të dyshojë se është tradhtuar nga ndonjë banor i zonës që ka lajmëruar kundërshtarët. Autorët e kanë shfrytëzuar këtë mundësi dhe vepruan rrufeshëm, duke lënë të vdekur jo vetëm Martinajn, por edhe dy shokët e tij.
Policia po vazhdon punën për zbardhjen e kësaj ngjarje, ndërsa, sipas saj, hakmarrja dhe larja e hesapeve mes bandave kriminale janë pistat ku grupi hetimit ka përqendruar punën. Sipas hetuesve, objekt i sulmit mendohet të ketë qenë 23-vjeçari Brilant Martinaj. Brilant Martinaj ka qenë i dyshuar për vrasjen e ish-efektivit të FNSH-së, Xhulio Prela, por më pas u la i lirë. Ai mendohet se ka qenë i përfshirë edhe në vrasjen e ish-policit Xhelal Reçi në Laç. Ndërsa viktima tjetër 30-vjeçari Diklen Vata, në vitin 2017 ishte arrestuar për shpërndarje kokaine në doza të vogla. Tashmë policia thotë se vrasja trefishtë mund të hapë një luftë mes grupeve kriminale. Sipas policisë, sulmi me armë mesditën e së dielës, 17 korrik 2022 në mbikalimin e FushëKrujës, ku mbetën të vrarë 3 persona, ka pasur si synim vrasjen jo vetëm të Briland Martinajt.
NGJARJA
Atentati i trefishtë në mbikalimin e Fushë-Krujës me gjasë do të mbetet pa autorë. Atentatorët zgjodhën një zonë që nuk mbulohet nga kamerat e sigurisë për të kryer goditjen e tyre, duke shkaktuar një masakër të vërtetë me tre të vrarë. Organet e hetimit kanë sekuestruar pamjet e kamerave të shumta të sigurisë në zonën përreth, por fakti që dy automjete janë djegur pas breshërisë së plumbave dhe vënies së zjarrit të makinës me dy të vrarët brenda, ka bërë që atentatorët të zhdukin nga gjurmët që mund të çonin në zbulimin dhe identifikimin e tyre.
Ende nuk dihet nëse automjeti i dytë i gjetur i djegur në fshatin Ahmetaq të Fushë Krujës, është përdorur nga atentatorët apo shërben për të shpërqendruar hetimet nga objektivi kryesor. Më shumë se dy ditë pas ngjarjes, Policia e Shtetit nuk ka asnjë autorë të dyshuar dhe sigurisht as arsyet për eliminimin e të tre të rinjve. Ndërkohë, menjëherë pas ngjarjes së rëndë, në fshatin Laruksh të Krujës, jo shumë larg zonës së atentatit, u gjet i djegur një automjet tip “Passat”, e shkrumbuar plotësisht. Mjeti, brenda të cilit u gjetën edhe armë automatike, dyshohet se u përdor në krim dhe më pas autorët u larguan nga vendi i ngjarjes.