MENU
klinika

Zbardhet dinamika

Si u realizua atentati në Fushë-Krujë

19.07.2022 - 12:57

Hakmarrje dhe larje hesapesh mes bandave kriminale janë pistat ku grupi i hetimit ka përqendruar punën për zbardhjen e atentatit që mbetën të vdekur tre persona: Brilant Martinaj, Besmir Hoxha dhe Diklen Vata.

Hetuesit thonë se kemi të bëjmë me vrasës profesionistë, të cilët jo vetëm që vepruan në mënyrë perfekte në atentat, por edhe në fshehjen e provave. Sipas ekspertëve kriminologë, zbardhja e ngjarjes do të jetë e vështirë pasi janë shumë pak prova që mund të ndihmojnë për të identifikuar autorët.

Mësohet se në këtë ngjarje mund të jenë përfshirë disa persona, pasi një tjetër automjet ka ndjekur makinën, në të cilën udhëtonin Vata, Martinaj e Hoxha, nga Rinasi deri në afërsi të vendit të ngjarjes, ku grupi tjetër kishte zënë pritë. Mendohet që makina që i ndiqte mund të ketë larguar autorët nga vendi ku dogjën makinën në Larushk. Mbi 20 persona ka shoqëruar Policia për t’i marrë në pyetje, por deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme nuk kishte asnjë të dyshuar. Kryesisht mësohet se janë banorë të Krujës, Kurbinit, Milotit dhe Fushë-Kuqes, nga ku ishin edhe viktimat Brilant Martinaj, Dikler Vata dhe Besmir Hoxha.

DINAMIKA

Ekspertët e Policisë janë rikthyer në vendngjarje për të rindërtuar edhe njëherë skenën dhe dinamikën e ngjarjes. “Është ngjarje e rëndë me tre të vdekur dhe mbi të gjitha ngjarje e rëndë në kuptimin e mënyrës së realizuar të atentatit, ishte shumë brutal. I kemi dhënë një rëndësi të madhe, ndaj kemi angazhuar hetuesit dhe ekspertët më të mirë të kriminalistikës. Është ngjarje vështirë shumë për t’u zbardhur pasi ekzekutorët kanë vepruar në mënyrë perfekte. Asnjë provë nuk kanë lënë pa shkatërruar.

Autorët kanë përdorur dy makina, njëra që ndiqte nga Rinasi dhe tjetra që u doli përpara. Mbikalimi ishte vendi perfekt për të vepruar pasi nuk mund të dilte makina e viktimave nga rruga, pra, pritë perfekte. Autorët kanë dalë nga makina dhe kanë qëlluar brutalisht në drejtim të mjetit të viktimave, duke mos u lënë asnjë mundësi shpëtimi atyre. Ndërkohë janë sekuestruar të gjitha kamerat e sigurisë të bizneseve rreth zonës me qëllim identifikimin e lëvizjeve të automjeteve të dyshimta”, thanë burime nga Policia.

Në vendngjarje hetuesit gjetën më shumë se 80 gëzhoja të qëlluara nga dy kallashnikovë dhe një automatik i llojit “MP5”, kalibër i rëndë që përdoret nga Garda dhe Forcat e Armatosura. Si pasojë e të shtënave mjeti tip “Volkswagen Passat”, që po lëviznin tre të rinjtë u përfshi më pas nga flakët.

MOTIVI

Pistat ku po hetohet është ajo e hakmarrjes dhe përplasjes mes grupeve kriminale. Objekt i sulmit mendohet të ketë qenë 23-vjeçari Brilant Martinaj. Ky i fundit është djali i xhaxhait i Ervis Martinajt, i cili është në kërkim pas dëshmisë së dhënë nga Nuredin Dumani, si i përfshirë në disa ngjarje.

Brilant Martinaj ka qenë i dyshuar për vrasjen e ish-efektivit të FNSH, Xhulio Prela, por më pas u la i lirë. Ai mendohet se ka qenë i përfshirë edhe në vrasjen e ish-policit Xhelal Reçi në Laç. Ndërsa viktima tjetër, 30-vjeçari Diklen Vata, në vitin 2017 ishte arrestuar për shpërndarje kokaine në doza të vogla. Tashmë Policia thotë se vrasja e trefishtë mund të hapë një luftë mes grupeve kriminale. Sipas policisë, sulmi me armë mesditën e së dielës, 17 korrik 2022 në mbikalimin e Fushë-Krujës, ku mbetën të vrarë 3 persona, ka pasur si synim jo vetëm eliminim e Brilant Martinajt, por edhe djalit të xhaxhait të tij.

NË ATENTAT U PËRDORËN 90 PLUMBA

Rreth 90 plumba janë qëlluar në drejtim të tre viktimave që udhëtonin me një mjet “Volswagen Passat”, nga një makinë e së njëjtës markë. Në vendin e ngjarjes janë gjetur rreth 54 gëzhoja armësh. Grupi hetimor ka marrë në pyetje persona kryesisht me precedentë të mëparshëm penalë që kanë njohje apo lidhje me tre viktimat, me qëllim për të mësuar më shumë rreth lëvizjeve të tyre të fundit.

Automjeti i viktimave, i cili u përfshi nga flakët, po i nënshtrohet ende mbikëqyrjes, ndërsa tre viktimat dyshohet kanë pasur armë me vete. Përveç 10 personave të shoqëruar nga Policia, ka dhe të tjerë kryesisht me precedentë të mëparshëm penalë që janë njohje apo lidhje me Brilant Martinaj, Diklen Vata dhe Besmir Hoxha. Këta persona janë marrë në pyetje për të zbuluar lëvizjet e fundit të tre viktimave.

Atentati, gjendet edhe një automjet i djegur

Një tjetër automjet është gjetur i djegur pas atentatit të djeshëm në zonën e Fushë-Krujës që dyshohet se është përdorur nga ekzekutorët e Brilant Martinajt dhe dy miqve të tij. Automjeti është konstatuar i djegur në orën 02:00 të mëngjesit të sotëm gjatë krehjes së zonës nga ana e Policisë për të rënë në gjurmët e atentatorëve.

Në lidhje me këtë detaj ka pasur edhe një njoftim zyrtar nga ana e Policisë, e cila tregon dinamikën e parë në lidhje me zbulimin e automjetit të djegur. “Më datë 18.07.2022, në orët e para të mëngjesit, në fshatin Ahmetaq, ka marrë flakë dhe është djegur plotësisht një automjet i parkuar tip ‘Volkswagen’. Punohet për saktësimin e rrethanave të ngjarjes. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Ndërkohë, menjëherë pas ngjarjes së rëndë, në fshatin Laruksh të Krujës, jo shumë larg zonës së atentatit, u gjet i djegur një automjet tip ‘Passat’, e shkrumbuar plotësisht. Mjeti, brenda të cilit u gjetën edhe armë automatike, dyshohet se u përdor në krim dhe më pas autorët u larguan nga vendi i ngjarjes. Për të humbur gjurmët, ata i vunë zjarrin, duke u larguar më pas me një tjetër automjet, të cilën dyshohet se e kanë djegur sërish. Në këtë mënyrë, edhe nëse ekspertët gjurmojnë automjetet nga pamjet e kamerave të sigurisë, identifikimi mbetet sërish i vështirë, edhe për shkakut se zjarri djeg të gjitha provat e mundshme.

3 MILIONË lekë të rinj është shuma që vuri në dispozicion Policia e Shtetit në lidhje me zbardhjen e ngjarjes që la pas tre viktima. Më shumë se 24 orë pas krimit dhe apelit të Policisë, asnjë detaj i ri nuk ka dalë në dritë në lidhje me krimin

54 GËZHOJA u gjetën në vendin ku mbetën të vrarë tre të rinjtë, ndërsa në drejtim të automjetit që udhëtonin tri viktimat, përkatësisht Brilant Martinaj, Besmir Hoxha dhe Diklen Vata janë shkrepur rreth 90 plumba

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Pse autorët zgjodhën t'i ekzekutonin në një mbikalim

(E PLOTË) Si ndodhi masakra e Fushë-Krujës me 3 viktima