MENU
klinika

Në pranga dhëndri i kryebashkiakut

Si u zbulua fabrika e kanabisit në Maqedoninë e Veriut!

15.07.2022 - 10:17

Një bazë e madhe ku kultivoheshin bimë narkotike kanabis sativa është zbuluar nga Policia e Maqedonisë së Veriut në zonën e Ohrit, ndërsa aksioni i kontrollit dhe më pas arrestimet është kryer me vendim gjykate.

Plantacionet e kanabisit janë zbuluar në fshatin Orovnik, komuna e Debrcës. Gjatë kontrollit u konstatua se video survejimi në të gjithë objektin nuk funksionon dhe u gjetën 2388 bimë kanabis të kultivuara në kushte të jashtme, në kundërshtim me kushtet e përcaktuara me ligj pasi në Maqedoninë Veriore është i lejuar kanabisi për qëllime mjekësore. Gjithashtu, janë zbuluar 1066 fidanë kanabis, kundrejt numrit të raportuar. Brenda saj janë gjetur 616 bimë të mbjella dhe 820 bimë kanabis, ndonëse sipas njoftimeve të mëparshme të dërguara Komisionit, personi juridik nuk ka prodhim, për shkak të rinovimit të hapësirës.

Gjithashtu, në një nga lokalet janë gjetur degë bimësh kanabisi në fazë tharjeje dhe boçe të thara, të cilat nuk janë denoncuar në Komision, ndërsa në dhomën e sigurt janë gjetur 343 kg boçe kanabisi të thara. Sasia e kapur është 269 kg bashkë me gjethet e marijuanës. Njëkohësisht, gjatë kontrollit në papafingo u gjetën kontejnerë që përdoreshin për prodhimin e vajit të kanabisit, ndonëse personi juridik në fjalë nuk ka licencë për prodhimin e një vaji të tillë.

Gjatë kontrollit në objekt është gjetur një person i cili sipas evidencës së AVRSM-së është i papunë dhe 5 shtetas shqiptarë, të punësuar në personin juridik, por të pa regjistruar, për të cilët janë njoftuar autoritetet përkatëse. Sipas asaj që u konstatua gjatë kontrollit, subjekti juridik kultivon kanabis për qëllime mjekësore në kundërshtim me rregulloret në disa segmente, si dhe në lidhje me procesin e kultivimit të kanabisit për qëllime mjekësore, në përputhje me Ligjin për Kontrollin e Narkotikëve.

I PËRFSHIRË DHËNDRI I KRYEBASHKIAKUT?

Pas zbulimit të rreth 3.000 rrënjë ilegale të marijuanës, 100 litra vaj kanabisi, si dhe qindra kilogramë kanabis të tharë, mediat shqiptare në Maqedoninë e Veriut shkruajnë se mes të arrestuarve është edhe dhëndri i kryetarit të Pogradecit, për të cilin thuhet se ka qenë pronar i fshehur i kësaj “fabrike”. Vlerësimet e para të Policisë maqedonase flasin se vlera e drogës së konfiskuar është shumë e madhe.

Fabrika ka qenë e regjistruar si filial e kompanisë “Greenego 2018” nga fshati Drsllajcë i Strugës, por nuk ka pasur licencë për prodhim të kanabisit. Ilir Xhakolli, kryebashkiaku i Pogradecit, ka reaguar pas lajmeve të publikuara në mediat maqedonase se dhëndri i tij është arrestuar në Ohër pas zbulimit të një fabrike për prodhimin e kanabisit.

Xhakolli ka deklaruar se dhëndri i tij nuk ka lidhje me këtë ngjarje, se ai ndodhet me pushime aktualisht. “Nuk e di si kanë dalë këto lajme, emri i dhëndrit nuk është i përfshirë. Ai momentalisht është me pushime në Turqi”, është shprehur Xhakolli.