Sot në orën 14:00, në Gjykatën e Apelit në Tiranë pritet të zhvillohet seanca gjyqësore ndaj deputetit të PD-së Ervin Salianji dhe gazetarit Jetmir Olldashi në lidhje me skandalin “Babale”, ku në qendër ishte vëllai i ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.
Vetë deputeti i PD-së Ervin Salianji ka bërë të ditur se do të jetë në seancën gjyqësore të së hënës në Gjykatën e Apelit të Tiranës, ashtu si në çdo rast tjetër.
Gjatë një takimi me strukturat e selisë blu në Korçë, ku ka bërë të qarta direktivat për protestën që do të zhvillohet para Kryeministrisë më 7 korrik, Salianji ka thënë se do jetë në gjyq, por vëmendja duhet të jetë tek organizimi i protestës. Deputeti demokrat shprehet se drejtësia në këtë vend është e penguar, e vonuar ndërsa shtoi se për çështjet nuk hetohen, s’ka përballje, por ka akuza ndaj gazetarëve dhe njerëzve që denoncojnë.
“Nesër unë do jem aty, do jem i pranishëm në seancë ashtu siç kam bërë çdo herë tjetër. Drejtësia në këtë vend është e penguar, e vonuar, nuk hetohen, s’ka përballje por ka akuza ndaj gazetarëve dhe njerëzve që denoncojnë. Unë nesër do jem aty, por tani fokusi është te protesta, organizimi i qytetarëve. Shumica e grupit parlamentar ka shprehur qëndrimin se do jetë pjesë e protestës. Alibeaj dhe Bardhi kanë qëndrimet e veta, varet se ku e vendos objektivin dhe fokusin, secili ka arsye për të protestuar kundër Ramës. Qëndrimet e mia janë publike”, ka thënë Salianji përpara demokratëve në Korçë.
Ndonëse Geron alias Agron Xhafaj e ka përfunduar dënimin për trafik droge në Itali dhe sot shijon lirinë, pasi u dorëzua nga vëllai i tij ministër në kulmin e skandalit dhe akuzave të forta për përfshirje në trafik droge, nga ana tjetër, deputeti demokrat, Ervin Salianji, do të përballet në Gjykatë. Çështja që trazoi politikën 5 vite më parë dhe dëshmoi edhe për inkriminim të policisë është nxjerrë nga arkivat në një kohë që në gjykatë shqyrtohen ende çështje të 2017-ës.
Sipas “News 24”, gjyqtarja Edlira Petri, në mënyrë të paprecedentë, kur duhej të priste rishortimin e çështjeve, për shkak se në Apel janë emëruar gjyqtarë të rinj, ka vendosur të nxjerrë nga arkivat dosjen ndaj deputetit dhe gazetarit Jetmir Olldashi, në një kohë që në gjykatë shqyrtohen ende çështje të 2017-ës. Edlira Petri, gruaja e nënkryetarit të Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, ky i fundit një prej njohjeve më të afërta të Fatmir Xhafajt, nuk ndalet, por vepron me gjasë me urdhër politik, për të “qëmtuar” çështjen në fjalë.
Dosja që në publik njihet si “Babalja”, nisi në vitin 2018, ku deputeti i PD-së, Ervin Salianji denoncoi nga selia blu vëllain e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, Geron alias Agron Xhafaj Agron Xhafaj për trafik droge dhe shmangie të dënimit të Itali. Pas hetimeve që zgjatën disa muaj, të shoqëruara me përplasje dhe akuza e kundër akuza, Ervin Salianji është dënuar në dhjetor të 2019 nga Gjykata e Tiranës me 1 vit burg për kallëzim të rremë. Këtë dënim ai dhe Kryesia e Partisë Demokratike e konsideron politik.
Gjykata gjithashtu shpalli fajtor edhe të pandehurit e tjerë Albert Veliu (Babalja) u dënua me 3 vjet 5 muaj burg, Fredi Alizoti me 2 vjet burg ndërsa gazetari Jetmir Olldashi dënohet me 6 muaj burg, dënim që konvertohet 100 orë pune në publik. Në 9 vite opozitë Salianji është proceduar më shumë se 600 herë për protestat dhe reagimet e tij të forta në denoncime ndaj qeverisë.