MENU
klinika

Historia e gjurmimit të biznesmenit të dënuar për drogë

SPAK “kyç” dinastinë pasurore të Pashk Rrapit!

29.07.2022 - 09:59

SPAK vendos të godasë pasurinë e një prej emrave më të njohur të biznesit në vendin tonë.

Ndonëse ai njihet si Anton Gjinaj apo Pashuk Gjinaj në dokumentacionet identifikuese, në fakt bëhet fjalë për Pashk Rrapin, pronarin e firmës “Alesio-2014”, firmë që e ka bërë të njohur aktivitetin dhe emrin e pukjanit Rrapi.

Emri i tij është lakuar prej kohësh si i përfshirë në trafiqe, por në fakt u desh më tepër se një dekadë që emri i tij tu përcillej autoriteteve policore të vendeve me të cilat Spanja kishte edhe marrëveshjet e ekstradimit, marrëveshje që ka munguar me vendin tonë. Për pasojë biznesmeni Rrapi mundi të vepronte dhe të rriste biznesin e tij dhe pasuritë e tjera në Shqipëri, sidomos pas 2014- s, ndërsa autoritetet spanjolle kërkonin që ai të arrestohej për llogari të tyre.

Në vendin tonë, deri ditën e djeshme, Rrapi ishte një biznesmen që garonte në tenderime me anë të shoqërive të veta, ku sipas të dhënave, tenderin e fundit e ka fituar pikërisht në shkurtin e një viti më parë në Durrës, ndonëse emri i tij gjendej nëpër kartelat e Interpolit.

Ai u arrestua në Malin e Zi për llogari të spanjollëve të Antidrogës dhe më pas u dërgua në vendin Iberik për t’u përballur me masën e vuajtjes së dënimit që ishte lëshuar për të. Por, Pashk Rrapi mundi të realizonte transferimin për të ardhur në Shqipëri dhe për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit.

Emri i tij u lakua edhe disa ditë më parë për bashkëpunim me vëllain e një ishprokurori, ndërkohë që SPAK-u kishte nisur kalimin në sitë të pasurisë së tij, kalim që çoi edhe në vënien në sekuestro të një morie shoqërish, biznesesh dhe pasurish. Të dhënat për këtë aksion të SPAK-ut u bënë publike nga vetë kjo prokurori.

OPERACIONI

Dje u bë me dije se 23 pasuri mes tyre, 6 biznese, truall toke, apartamente dhe makina janë sekuestruar nga SPAK-u. Këto pasuri bëhet me dije se i përkasin biznesmenit me 2 emra, Anton Gjinaj (Pashuk Gjinaj), lindur në Pukë dhe banues në Tiranë, i cili rezulton i dënuar në Spanjë në vitin 2010, me 8.9 vite burg, për trafikimin e 50 kg heroine. Anton Gjinaj u arrestua në prill të vitit 2021 në Malin e Zi nga Interpol, ndërsa rezulton të jetë pronar i kompanisë së ndërtimit “Alesio-2014”, e cila tashmë është sekuestruar nga SPAK-.

Në aktivitetin e kësaj kompanie janë një numër i konsiderueshëm biznesesh që operojnë jo vetëm në Tiranë, por edhe në Durrës, Kavajë e më gjerë. Anton Gjinaj (Pashuk Gjinaj) aktualisht po vuan dënimin në burgun e Reçit në Shkodër, pasi është sjellë nga Spanja vetëm dy muaj më parë.

Biznesmeni u tha se është ndjekur nga DEA amerikane për drogën në Spanjë. Sipas SPAK-ut, nga analiza e fakteve dhe e dokumentacionit të administruar për sa i përket pasurive të shtetasit Anton (Pashuk) Gjinaj (Gjini) dhe familjarëve të tij, rezulton se kanë një nivel të pajustifikuar ekonomik dhe dyshohet se këto pasuri të paluajtshme apo të luajtshme, t’i kenë fituar si rezultat i veprimtarisë së tij kriminale që ai ka zhvilluar në Shqipëri dhe Spanjë.

TENDERI I FUNDIT FITOHET NË DURRËS

Kompania “Alesio-2014” rezulton të ketë fituar 10 tenderë. I fundit është ai i datës 24 shkurt 2021, për blerje asfalti për rrugë urbane dhe rurale, nga ndërmarrja e rrugëve në Durrës. Në këtë tender bie në sy shuma shumë e afërt e fondit limit me atë që ka vënë në dispozicion kompania fituese. “Alesio-2014” është shpallur fituese me 34,981,280 lekë të reja, përkundrejt 34,999,000 fondit limit. Po ashtu, kjo kompani rezulton të ketë fituar tenderë asfaltimi në Fushë-Krujë, Krujë, Thumanë e më gjerë.

Ai u arrestua në prill të vitit të kaluar në Mal të Zi për llogari të autoriteteve spanjolle. Më herët, ka qenë Interpoli i Madridit, i cili ka ngritur alarmin e kuq për këtë shtetas. Ai pritej të ekstradohej në drejtim të Spanjës, për të vuajtur dënimin e dhënë nga shteti Iberik. Sipas Ministrisë së Brendshme të Malit të Zi, Anton Gjini është anëtar i një organizate kriminale, e cila në vitin 2006 organizoi dhe koordinoi importimin, magazinimin dhe shitjen e mëtejshme të 50 kilogramëve heroinë në territorin e Spanjës, në zonat përreth qyteteve të Murcia dhe Alicante.