Tirana humb edhe ndeshjen e dytë eliminatore të turit të parë të Champions League dhe eliminohet nga ky kompeticion. Luksemburgasit e Dudelange, pasi fituan 1-0 në shtëpinë e tyre, triumfuan edhe në “Air Albania”, kësaj here 1-2, duke avancuar më tej.
Bardheblutë hynë me besim të madh që mund të përmbysnin dhe në pjesën e parë tentuan shumë, por nuk arritën të shënojnë. Pjesa e dytë nisi keq për të besuarit e Orges Shehit, teksa në minutën e 50-të pësojnë golin e parë. Totre rrëshqet dhe humb topin, Bojiç merr sferën dhe gjuan nga distanca, duke mposhtur portierin Bekaj.
Tirana reagon dhe hidhet e gjitha në sulm për të bërë përmbysjen, por në minutën e 61-të pëson golin e dytë. Pas një aksioni nga e djathta të miqve, topi shkon në anën tjetër te Sinani, i cili kontrollon dhe gjuan duke gjetur cepin e portës.
Bardheblutë nuk dorëzohen dhe në minutën e 78-të arrijnë të ngushtojnë me anë të Xhixhës. Pavarësisht përpjekjeve, Tirana nuk arrin të shënojë më dhe eliminohet nga Champions dhe kalon në turin e dytë të Conference League, ku do të ndeshet me kampionët e Bosnjës, Zrinjski.