Kosova, e përfaqësuar nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, nënshkroi në Kongresin Amerikan marrëveshjen me Shtetet e Bashkuara, të përfaqësuara nga kryeshefja ekzekutive e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit, Alice Albright.
Programi Kompakt i kësaj marrëveshjeje në vlerë 236.7 milionë dollarëshe, është vlerësuar lart nga krerët e shtetit, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.
Zyra e Kryeministrit, përmes një njoftimi për media, ka treguar tri projektet që do t’i përfshijë Programi Kompakt, raporton Gazeta Express.
“Programi Kompakt do të përfshijë tri projekte: Rezerva dhe arbitrazh të energjisë prej 340 MWh, zhvillimin e fuqisë punëtore, me theks të veçantë në përfshirjen e grave në sektor të energjisë, si dhe projektin e Institucionit Amerikan të Katalizatorit për Zhvillim, i cili ka për qëllim të nxisë financimin e sektorit privat nga Korporata Financiare e Zhvillimit Ndërkombëtar (DFC) të Shteteve të Bashkuara në Kosovë”, njofton ZKM.
Zyra e Kurtit thekson se “investimet e Programit Kompakt do të jenë në pronësi të Kosovës”.
Kjo marrëveshje pritet të ratifikohet sot në Kuvendin e Kosovës. /Express