MENU
klinika

Pritet nga Pendarovski

Von der Leyen shkon sot në Maqedoninë e Veriut

14.07.2022 - 11:19

Kryetarja e Komisionit Evropian Urusla Von Der Leyen, sot do të qëndrojë për vizitë në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Siç u paralajmërua, Von Der Leyen, do të pritet nga presidenti i shtetit Stevo Pendarovski, si dhe do të zhvillojë takime me kryetarin e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski dhe kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi.

Kryetarja e KE-së, gjatë kohës së vizitës në Shkup, sot do të t’i drejtohet Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, në kuadër të seancës së 80-të plenare, me fillim në orën 13:00. Në seancë janë ftuar edhe përfaqësues të trupit diplomatik, të cilët mund ta ndjekin fjalimin e kryetares së KE-së nga galeria në sallën plenare.

Siç njofton shërbimi i Kuvendit për media, para seancës parlamentare, në sallën “Dllaborez” u caktua takimi i kryetares së KE-së me kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi.

Pas seancës të 80-të plenare u caktua seancë e re e 81-të, me fillim në ora 13:30, në rend dite të së cilës është Informata për përmbajtjen e propozimit-kornizës negociuse për negociatat për anëtarësim të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Këshillin e Bashkimit Evropian më 30 qershor 2022.

Nga Departamenti i Qeverisë për marrëdhënie me opinionin, paralajmëruan që është paraparë takim tet-a-tet e kryetares së KE-së Urusla fon der Lajen me kryetarin e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski, pas çka do të pasojë takimi bilateral.