MENU
klinika

Rita Ora rikthehet në Shqipëri

Zbulohet data e koncertit që artistja do mbajë në Tiranë

19.07.2022 - 16:26

Të gjithë u entuziazmuam që këtë vit ‘Sunny Hill’ i Dua Lipës do mbahet edhe në Tiranë. Po sikur t’ju themi se pak ditë pas festivalit në kryeqyet do performojë edhe Rita Ora?

Siç ishte raportuar, një nga këngëtaret më të famshme ndërkombëtarisht do mbajë një koncert në Shqipëri në 6 shtator. Drejtoresha e Përgjithshme e Promovimit të qytetit në bashkinë e Tiranës, Mirela Koçollari, ka postuar në rrjetet sociale lajmin se në datë 6 shtator, në Tiranë, do të mbahet koncerti i Rita Orës.

Koncerti i këngëtares së famshme shqiptare, është parashikuar të mbahet në sheshin “Skënderbej”, në kuadër të ‘Tirana European Youth Capital 2022’.

Herën e fundit që Rita ka performuar në kryeqytet ka qenë në 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë që përkon me vitin 2012. Këngëtarja bukuroshe sapo kishte publikuar hitin e saj R.I.P që i dha famë ndërkombëtare dhe pak më vonë e performoi këtë këngë edhe në Tiranë duke emocionuar publikun. Ndërkohë hera e fundit që ajo ka qenë në Kosovë ishte në 2018 kur mbajti një koncert në Ditën e Pavarësisë.

Rita e ka dëshmuar shpeshherë se është krenare për originën e saj. Jo vetëm përmes promovimit që i bën në rrjetet sociale por edhe duke ndihmuar njerëzit në nevojë në Kosovë e Shqipëri. Ajo është shumë e lidhur me vendin e saj, kulturën dhe artin.

Kujtojmë se në vitin 2012 ajo ka xhiruar në Kosovë këngën që Rita publikoi për t’i treguar të gjithë botës origjinën e saj. E po ashtu, në EP e saj të fundit të publikuar në 2021, Rita u shfaq e veshur me veshje me motive kombëtare të stiluara nga Valdrin Sahiti.