MENU
klinika

Çmimi i lartë i energjisë po ‘djeg’ buxhetin e shtetit!

1 ditë furnizimi me drita në Shqipëri kushton mbi 3.1 mln euro

07.08.2022 - 10:43

Çmimet në rritje të energjisë elektrike kanë rritur kostot për evropianët. Kështu shprehen ekspertët e Fondit Monetar Ndërkombëtar, teksa analizojnë luhatjet e forta të tregjeve ndërkombëtare. Sipas tyre nga fillimi i luftës në Ukrainë është dyfishuar çmimi i naftës, katërfishuar i qymyrit, kurse  çmimi i gazit natyror ka shkuar 7 fish. Me një çmim të energjisë në bursë mbi 500 euro për megavat, FMN thotë se qeveritë duhet të mendojnë për familjet e varfra.

“Çmimet në rritje të energjisë kanë rritur ndjeshëm kostot e jetesës për evropianët. Që nga fillimi i vitit të kaluar, çmimet globale të naftës u dyfishuan, çmimet e qymyrit gati u katërfishuan dhe çmimet evropiane të gazit natyror u rritën pothuajse shtatëfish. Politikat duhet të zhvendosen nga mbështetja me bazë të gjerë duke përfshirë kontrollet e çmimeve në lehtësimet e synuara siç janë transferimet në familjet më të varfra që vuajnë më shumë nga faturat më të larta të energjisë”, thotë FMN.

Ndërkohë në Shqipëri kur çmimet e larta po mbushin arkën e shtetit, pasi po paguhen më shumë taksa, energjia është ajo që po e boshatis atë. Vetëm për javën e parë të muajit gusht KESH ka importuar mbi 45 mijë megavat energji me një kosto prej 22.1 milionë euro, duke bërë që 1 ditë drita të kushtojë mbi 3.1 milionë euro.Ndërsa në tenderin e parë të bërë për furnizimin me energji për datat 8-14 gusht, janë blerë mbi 50 mijë megavat, me çmim mesatar 482 euro/MWH, dhe janë shpenzuar në total 24.4 milionë euro. Pra 46.6 milionë euro për 2 javë energji.

Jo vetëm mungesa e reshjeve, por edhe faturat e kripura të importit të energjisë po e djegin buxhetin e vendit. Sipas të dhënave nga KESH, nga janari deri më tani është importuar energji nga jashtë në vlerën e 250 milionë euro, ndërkohë që importet do të vijojnë si pasojë edhe e mungesës së prodhimit vendas, pasi nuk ka reshje. Përballë kësaj situate, nuk ka asnjë sinjal pozitiv. Për këtë arsye qeveria ka paralajmëruar planin e kursimit që me shumë gjasa do nisë në shtator, ku familjet që konsumojnë mbi 800 kilovat në muaj do të paguajnë më shumë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


KLSH: S’ka përmirësime

Energjia, rrezik i madh për buxhetin

Adrian Civici/ Përballja Macron – Le Pen

Ekonomia në një debat platformash dhe idesh