Partizani do të zhvillojë sot ndeshjen e parë të edicionit të ri në Kategorinë Superiore, ndaj Egnatias në stadiumin “Elbasan Arena” në orën 19:30.
Presidenti i të kuqve, Gazment Demi, ka bërë një përshëndetje në profilin e Partizanit në rrjetin social “Facebook” ku deklaron se përpara 10 vitesh mori vetëm një stemë dhe një mal me halle dhe tani klubi do të ketë një shtëpi modern. Ai u bën një premtim tifozëve…
FJALA E PRESIDENTIT TË PARTIZANIT
Si presidenti i klubit, doja të uroja në këtë nisje të sezonit, të gjithë ekipet zinxhirë të akademisë Partizani, ekipin e vajzave dhe ekipin e parë për një sezon të mbarë e të suksesshëm…
Ky vit, do të jetë special si për mua, ashtu edhe për familjen e kuqe, sepse ne tashmë kemi një shtëpi, që po merr formë shumë shpejt dhe që do jetë në pritje të të gjithë atyre që duan të kontribuojnë për këtë fanellë…
Fëmijë, të rinj e reja, lojtarë profesionistë, prindër, tifozë, trajnerë dhe gjithë ikonat dhe emblemat e këtij klubi legjendar, së shpejti do të vijnë në shtëpinë e re të Partizanit, aty ku do të luhen të gjitha ndeshjet zyrtare të ekipeve të moshave, ekipit të vajzave apo edhe ekipit të parë dhe ky për mua do të jetë një emocion i jashtëzakonshëm.
Kur kujtoj, që fiks para 10 vjetësh unë mora vetëm një stemë dhe një mal me halle, dhe pasi jemi endur këto vite, fushë më fushë e qytet më qytet, tani ndihem i lehtësuar, sepse do të kemi shtëpinë tonë moderne. Unë personalisht ndihem mirë ashtu siç besoj ndihet çdo dashamirës i këtij klubi dhe prandaj këtë sezon e konsideroj special…
Partizani, si çdo sezon hyn për të fituar gjithçka. Edhe këtë vit nuk ndryshojnë objektivat, jo vetëm për ekipin e parë, por për të gjitha skuadrat e akademisë. Prandaj, në startin e këtij sezoni dua ti jap mbështetjen maksimale të gjithë futbollistëve që mbajnë veshur fanellën e kuqe, stafeve teknike, drejtuesve dhe punëtorëve të këtij klubi.
Në të njëjtën kohë, dua ti kujtoj, që vetëm me punë, me mundin dhe sakrificën e të gjithëve së bashku, objektivat mund të arrihen. Duhet të tregojmë në fushën e lojës, luftë sportive, të derdhim shumë djersë, të mos dorëzohemi deri në minutën e fundit, por njëkohësisht edhe të mbetemi “Fair Play”, të respektojmë rivalin dhe të kemi guximin që ti shtrëngojmë dorën edhe në rastin ku nuk jemi ne, fitimtarët…
Këtë vit, iu garantoj që do të jem më afër skuadrës dhe stafit teknik, tek të cilët kam shumë besim se do të arrijmë gjëra të rëndësishme. Mbështetjen dhe kontributin tim dhe të familjes Demi nuk e kam kursyer kurrë, prandaj shpresoj që të gjithë ata që e duan këtë klub, do ta mbështesin pa kushte. Ne jemi një familje e madhe që e ka emrin PARTIZANI dhe kemi nevojë për të gjithë…”
Doja të uroja gjithashtu edhe gjithë aktorët e tjerë të këtij kampionati në startin e tij. Të gjithë rivalët, tifozeritë e tyre, arbitrat, zyrtarët e Federatës, trajnerët dhe presidentët e Superiores, gazetarët dhe studiot televizive; Një sezon të mbarë për të gjithë! Suksese!!!