Nga Ivana Stradner “Kyiv Post” /Pas më shumë se një muaj tensione në nivele të larta, Serbia dhe Kosova nënshkruan më 26 gusht një marrëveshje për zgjidhjen e mosmarrëveshjes mbi lëvizjen e qytetarëve përtej kufijve të tyre. Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, shkroi me entuziazëm në Twitter:”Kemi më në fund një marrëveshje!”.
Por është herët për ta cilësuar si fitore këtë marrëveshje. Sepse Kremlini vazhdon ta minojë stabilitetin në rajon, përmes përpjekjeve të tij të njohura të luftës hibride. Ka ardhur koha që fuqitë perëndimore të ndërgjegjësohen si duhet në lidhje me kërcënimin që paraqet Ballkani për sigurinë e tyre.
Një masë parandaluese sot, mund të vlejë shumë më tepër sesa disa masa rehabilituese nesër, në rastin e një konflikti. Në korrik, protestat e serbëve përgjatë kufirit verior të Kosovës u përshkallëzuan ndjeshëm. Tensionet ishin të larta, teksa presidenti serb Aleksandar Vucic deklaroi se Kosova synonte ta sulmonte Serbinë para datës 1 tetor.
Protestat në veri në Kosovës, shpërthyen pas një ligji që u kërkon serbëve që jetojnë në Kosovë të ndërrojnë targat e tyre nga serbe në kosovare. Qeveria e Kosovës deklaroi gjithashtu, se cilido që ka pasaportë apo letërnjoftim zyrtar serb, duhet të pajiset një dokument tjetër nga për të hyrë në këtë vend.
Të dyja ligjet duhej të hynin në fuqi më 1 gusht, por për shkak të protestave, qeveria e Kosovës e shtyu për në 1 shtator. Synimi i Rusisë në Ballkan është të “përshkallëzojë për të de-përshkallëzuar më pas situatat”, duke pozicionuar si ndërmjetësuesja e vetme.
Ky plan realizon dy qëllime:forcimin e pozitës së Moskës në rajon, në një kohë që i jep presidentit rus Vladimir Putin ndikim mbi fuqitë perëndimore, që nuk duan përhapjen e mëtejshme të dhunës. Njëkohësisht, qëllimi i Vucic është thjesht të mbetet në pushtet.
Kaosi në rajon, do t’i jepte atij mundësinë ta cilësonte veten si një burim stabiliteti në Ballkan, duke mos i dhënë Perëndimit asnjë mundësi tjetër, përveçse ta mbështesë atë.
Ai është i njohur për strategjinë e tij balancuese midis Rusisë dhe Perëndimit, gjithnjë në funksion të forcimit të pozitave të tij brenda vendit.
Kur Vucic ra dakord të heqë dorë nga dokumentet e daljes/hyrjes për mbajtësit e ID-ve kosovare fundjavën që kaloi për ta kënaqur Perëndimin, ai ndërmori gjithashtu edhe një hap konkret për të kënaqur edhe Moskën, duke anuluar aktivitetin ndërkombëtar LGBT EuroPride që do të mbahej në shtator.
Ky veprim nxiti mijëra protestues konservatorë dhe fetarë që të dilnin në rrugët e Serbisë, duke kërkuar anulimin e këtij aktiviteti për të mbrojtur “vlerat tradicionale” serbe. Vendimi
i Serbisë për të shfuqizuar kërkesën e dokumenteve të veçanta për ata që hyjnë në vend nga Kosova, është rezultat i drejtpërdrejtë i vendosmërisë së NATO-s në rajon.
Këtë muaj, aleanca i shtoi trupat e saj paqeruajtëse në veri të Kosovës, dhe dërgoi një sinjal
të qartë se do të ishte e gatshme të ndërhynte në rastin e përshkallëzimit të mëtejshëm të tensioneve. Javën e kaluar, dy avionë amerikanë B-52 kryen fluturime në lartësi të ulëta mbi Maqedoninë e Veriut, Shqipëri, Malin e Zi dhe Kroaci.
Vucic nuk është budalla. Ai e di se Serbia është e rrethuar nga anëtarë të NATO-s, forca e kombinuar ushtarake e të cilëve, është shumë më e madhe se ajo e Serbisë. Përpara nënshkrimit të marrëveshjes, Rusia dhe Serbia kishin përdorur disa operacione informative për të krijuar terrenin për përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve në Ballkan.
Mediat ruse e kanë përshkruar shpesh konfliktin midis Serbisë dhe Kosovës, si një përpjekje të Perëndimit për të hapur një front tjetër për luftën në Ukrainë. Të njëjtat media e portretizojnë konfliktin, si një përpjekje tjetër të Perëndimit për të depërtuar në Serbi. Pavarësisht deklaratës së Vucic kundër ndërtimit të baza ushtarake ruse në Serbi, mediat ruse kanë vazhduar të propagandojnë narrativën se baza të tilla janë të realizueshme. Kur qeveria amerikane deklaroi se ka ardhur koha të harrohet narrativa se “Kosova është Serbi”, duke filluar të thotë se “Kosova dhe Serbia janë në fakt Evropë”, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova u përgjigj shkurt “Kurrë!”.
Dhe besojeni këtë qëndrim. Për Kremlinin, Kosova nuk ka të bëjë me ndonjë vëllazëri të romantizuar sllave, apo manastiret serbe të vendosura atje. Por duke e mbajtur Kosovën peng në një konflikt të ngrirë, Putini mund ta përdorë atë për të negociuar me Perëndimin në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara si një “precedent” për Krimenë, por edhe për të kontrolluar grupimet e ekstremit të djathtë në Serbi.
Marrëveshja mbi dokumentet e identifikimit, është një hap në drejtimin e duhur. Por Rusia dhe Serbia mund ta nxehin sërish këtë konflikt të ngrirë, kur u përshtatet interesave të tyre. Për t’iu kundërvënë këtyre përpjekjeve, Perëndimi duhet t’i kundërvihet operacioneve informative ruse, që organizohen nëpërmjet mediave lokale, blogjeve dhe mediave sociale. NATO dërgoi më herët në Malin e Zi një ekip të specializuar kundër luftës hibride, për të penguar sulmet hibride ruse. Aleanca duhet ta dërgojë sërish në rajon atë ekip ekspertësh, për të sabotuar operacionet informative ruse.
Urdhri Ekzekutiv nr.14033, i nënshkruar nga presidenti Joe Biden në qershor 2021, i jep mundësi SHBA-së të autorizojë vendosjen e sanksioneve kundër personave që janë të përfshirë në aktivitete korruptive, apo që minojnë sigurinë ose demokracinë në Ballkanin Perëndimor.
Që të funksionojnë plotësisht sanksionet amerikane, kësaj përpjekjeje duhet t’i bashkohet edhe BE-ja. Për të arritur objektivat e saj, Moska nuk ka nevojë të futet në Kosovë me tanke. Përmes nxitjes së kaosit, përshkallëzimit të ri të mosmarrëveshjeve Serbi-Kosovë, ajo do të vazhdonte ta minonte stabilitetin rajonal.
Dhe kjo do t’i jepte mundësi Putinin ta shpërqendronte Evropën nga lufta e saj në Ukrainë, dhe ta lejojë Serbinë të vazhdojë të luajë lojën e saj midis Moskës, Uashingtonit dhe Brukselit. Por nëse Perëndimi vepron tani, ajo mund ta pengojë vazhdimin e kësaj loje.
Shënim:Dr.Ivana Stradner, këshilltare e Fondacionit për Mbrojtjen e Demokracive.