MENU
klinika

Analizat e mediave gjermane

“Kriza e Kosovës zhyt Europën në dilemë”

08.08.2022 - 12:44

Në analizat e mediave gjermane të hënën pas shkallëzimit të fundit të situatës në Kosovë bëhet bashkëfajtore edhe BE për gjendjen në veri dhe ngecjen e dialogut Kosovë-Serbi.

Në një analizë së hënës (08.08) të gazetës “Die Welt” mbi zhvillimet në Kosovë, theksohet, se nën hijen e luftës në Ukrainë prej vitesh zien fort një konflikt tjetër në Europë.

Para një jave në veriun e Kosovës pati protesta dhe bllokada rrugësh të serbëve militantë, policia raportoi për të shtëna. ”

‘Vuçiq vetëinskenohet si përfaqësues i interesave serbe’, thotë njohësi i Ballkanit dhe ish-drejtues i zyrës së dpa-së në Beograd, Thomas Brey. Këtë e duan votuesit. Dhe BE e lejon, ‘sepse ai është shpresa e vetme që t’i shitet popullit serb një kompromis me Kosovën.’”

“Die Welt” vazhdon me kritika ndaj BE.

“Vërtet që BE ka bashkëfajësi në shkallëzimin e situatës, thotë eksperti i Ballkanit, Bodo Weber nga Instituti Këshilli Politik për Demokratizimin në Berlin. ‘Dialogu Kosovë-Serbi, që BE i dha shtysë me Marrëveshjen e Prillit 2013 dhe që duhej të çonte në një zgjidhje të konfliktit dhe njohje formale të Kosovës përmes Serbisë ka ngecur në krizë prej gjashtë vitesh…kjo lidhet edhe me atë që Brukseli, nuk bie dakord për një qëndrim të njësuar. ‘Unioni nuk reagon me një qëndrim, sepse interesat e shteteve të BE janë shumë larg njëra-tjetrës”, sipas ekspertit të Ballkanit, Thomas Brey.

Kurse gazeta “Berliner Zeitung” në artikullin “Standarde të dyfishta” shkruan se për pjesë të lidershipit kosovar dhe shumë vëzhgues perëndimorë dhe politikanë, Serbia shihet si sozia e Rusisë.

“Beogradi është i zemëruar për këtë debat edhe për arsye historike. ‘Nëse zhvendosja e kufijve -si në rastin e Ukrainës-nuk pranohet, atëherë për ne është standard i dyfishtë, nëse Serbisë i hiqet kjo e drejtë’”, citon “Berliner Zeitung” ambasadoren e Serbisë në Berlin, Snezana Jankoviç, qe shprehet se dialogu me Kosovën është rruga e duhur.

“Por rruga diplomatike kërcënon të futet në qorrsokak, si në rastin e Ukrainës. Edhe aty u negociua me vite në kuadër të Marrëveshjes së Minskut, pa rezultate dhe pa qëllime të ndershme për të arritur një rezultat, si në çështjen e autonomisë për Donbasin.”

Kurse gazeta “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, FAZ në një analizë për zgjerimin e BE shkruan, se qoftë Ballkani apo Ukraina, BE nuk mund të përballojë aktualisht anëtarë të rinj.

FAZ i referohet paralajmërimeve të presidentit, Macron, se BE që tani nuk funksionon mirë, si do t’ia dalë me më shumë se 30 anëtarë me të drejtë vetoje në tryezë?

Një BE me 36 anëtarë, nënvizon FAZ, e cila do të kërkonte parimin e unanimitetit në çështje kardinale do të ishte e paaftë për të marrë vendime. “Por si qëndron perspektiva e reformimit të parimit të unanimitetit?

Fondacioni Shkenca dhe Politika që këshillon qeverinë gjermane në çështjet e politikës së jashtme, ka përmbledhur në një analizë gjendjen dhe shprehet për zgjerimin e vendimeve mbi bazën e shumicës, ‘edhe duke pasur parasysh perspektivën e një BE-je me 30+ vende anëtare, pasi Ukraina dhe Moldavia morën statusin e kandidatit dhe filluan negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.’

Shtrohet pyetja se ‘si BE në përmasa të tilla dhe me një heterogjenitet të tillë mbetet e aftë të veprojë.’”

Por FAZ e sheh me pesimizëm arritjen e një reforme të tillë, edhe për shkak të rezistencës të shteteve më të vogla anëtare, si Polonia dhe Hungaria. “Për heqjen e parimit të unanimitetit nevojitet unanimitet dhe për këtë nuk aspak unanimitet.”

DW

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Ligjvënësit amerikanë i bëjnë thirrje

“Biden të angazhohet për zgjidhjen e tensioneve”

Kryeministri Rama për televizionin spanjoll

“Ballkani s’mund të jetë zona gri e Europës”