MENU
klinika

"Precedent i tmerrshëm, ja cilat janë pasojat e vendimit"

Arrestimi i gazetares ruse/ ‘Shqetësohet’ Grenell, kritikon Kosovën

07.08.2022 - 20:43

Ministria e Brendshme e Kosovës njoftoi pasditen e djeshme arrestimin dhe shpalljen non-grata për 5 vite të gazetares ruse Daria Aslamova, të cilën e akuzojnë si spiune ruse që ka për synim destabilizimin e Veriut të vendit.

Por duket se ky vendim i Prishtinës zyrtare nuk e ka kënaqur ish-emisarin e SHBA-së në kohën e Presidentit Donald Trump për çështjen e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, i cili kohët e fundit është parë në një sulm frontal kundër qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti.

Së fundmi në Twitter, Grenell ka kritikuar vendimin e qeverisë për të arrestuar Aslamovën, e cila duhet thënë se ka lidhje të forta ushtarake në FSB, madje është fotografuar edhe në krah të ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

Grenell e ka konsideruar ndalimin e saj në Veri si një precedent të tmerrshëm, i cili sipas tij mund të bëjë që edhe shtete të tjera të ndalojnë zyrtarët kosovarë të hyjnë në vendin e tyre.

“Ndërsa ju keni çdo të drejtë të dëboni individë pro-rusë (ose këdo) që nuk ju pëlqen, po krijoni gjithashtu një precedent për qeveritë e tjera që t’i ndalojnë zyrtarët e Kosovës që nuk i pëlqejnë…. Është një precedent i tmerrshëm”, shkroi Grenell.

“Po kështu është edhe refuzimi i afisheve serbe në targa”, shtoi ai, duke rikonfirmuar qëndrimin e tij kundër çdo lloj mase reciprociteti me Serbinë që Kosova synon ta vendosë.

Më herët, Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla kishte shkruar se arrestimi i Aslamovës, të cilën sot njoftoi se e ka shpallur “non grata” duke ia ndaluar hyrjen në Kosovë për 5 vjet është “ndërhyrje e drejtëprdrejtë e Rusisë në veri të Kosovës”.