MENU
klinika

Si e kujtoj Ferid Vokopolën?

“As optimist, as pesimist, jam vetëm mundësisht”

18.08.2022 - 14:59

Kam qenë i vogël, vetëm 6-7 vjeç dhe kujtoj shumë mirë një burrë të gjatë, me trup të rregullt, veshur bukur e që gjithmonë mbante kapele republike. E kujtoj tek ngjiste shkallët me ngadalë e gjithmonë më përkëdhelte kokën, kur shkëmbeheshim. Banonte një kat sipër meje, në pallatin ku familja ime banon edhe sot.

Gjyshja ime e njihte atë burrë prej kohësh, pasi ai kishte një histori të veçantë. Kishte qenë për disa vite ministër i Bujqësisë e per shume vite, deputet në kohën e Mbretërisë. Ishte Ferit Bej Vokopola.

Zotni Feriti kishte katër fëmije, të katërt rreth të pesëdhjetave e në atë kohë, ishin të pamartuar; zonjushë Hysnien, e cila ishte mësuese filloreje, zonjushë Xhalin, zotni Fadilin dhe zotni Omirin, i cili kishte luajtur disa vite volejboll me Lokomotivën. Banonin në një apartament dy dhoma e një kuzhine, në kat të pestë.

Zotni Feriti, çdo mëngjes, dilte për të blerë qumështin e megjithëse kishte kaluar të tetëdhjetat, nuk përtonte ti ngjiste shkallët deri në katin e fundit. Në një nga mëngjeset, sapo vjen me shishet e qumështit në dorë, zemra e lodhur i pushon dhe ai largohet me qetësi nga kjo botë. E kujtoj shumë mirë atë mëngjes, pasi dy gocat filluan të qanin me zhurmë dhe gjithë shkalla kuptoi se diçka e rëndë kishte ndodhur. Ashtu iku zotni Feriti, ashtu iku edhe e shoqja.

Kam pas rastin të hyj në shtëpinë e tyre e më bënin përshtypje librat me kopertinë të trashë, të sistemuara bukur në një bibliotekë të vjetër, si dhe mobiljet e tyre, që ishin me punime artistike e të rënda, sa mezi i zinin dhomat e vogla të apartamentit.

E bëra ketë parantezë, pasi dje ishte 28 Nëntori, dita e shpalljes se Pavarësisë, e Ferit Bej Vokopola, ka qenë firmëtari më i ri, vetem 25 vjeç i aktit të shpalljes së saj.

Veprimtaria patriotike e tij filloi në vitin 1912 e vazhdoi me Kongresin e Lushnjes në vitin 1920, ku shkroi edhe himnin e Kongresit.

“Himni i Kongresit të Lushnjës”

Shpresa humbi, Atdheu ty po të thërret

Të shpëtosh nga kjo natë

Bëhu i zoti në do të rrosh në jetë

Armikut jepi datë.

Refreni

Shkrepi drita në Lushnjë, u lind një diell

Shqipëria lidhi besë.

Dëshmoi bota, dëshmuan yjet në qiell

Për ty, o i larti Kongres.

—–

Me sa humbet drejtësia

Aq shuhet shpresa jonë

Nuk pushtohet tokë e Kastriotit

Trimërinë e ka zakon.

—–

Në të varet shpresë e Kombit Shqiptar

Në statutin tënd të shtrenjtë

Çliro tokat e Shqipërisë sa më parë

Bashko Atdheun e shenjtë.

—–

Sikur tym e flakë të dalë nga faqe e dheut

Shkrepëtim të bjerë e flakë

Bëj detyrën që ke kundrejt atdheut,

Mos kurse as shpirt as gjak.

Në vitin 1925, kur po diskutohej për kryeqytetin e Shqipërisë, nëse do të ishte Tirana apo Elbasani, Ferit beu bëri ndërhyrjen: “Unë nga zemra jap votën për Tiranën dhe tue u lutun Zotit që këjo të jetë sa të jetë, kopshti i luleve të fatbardhësis për të dashtunën Shqipni themë: Rroftë Tirana Kryeqytet!”

Zotni Ferit Beu ka qenë deputet i Vlores dhe Beratit nga viti 1925 deri në vitin 1939. Me pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste ai u shkëput nga politika dhe u mor kryesisht me një reviste, “Drita Hyjnore” me përmbajtje sa fetare e sa laike.

Menjëherë me çlirimin e Shqipërisë e fusin në burg e nga burgu ka dalë shprehja filozofike e tij: “Nuk jam as optimist, as pesimist, jam vetëm mundësisht.”

Zotni Feriti bëri disa vjet burg e pasi del nga burgu e nuk sheh liri në punën e tij, mbyllet në vetvete, deri sa vdes në vitin 1969, në Durrës.

Ky ishte fati i filozofit, politikanit, atdhetarit, firmëtarit të Aktit të Pavarësisë, publicistit, përkthyesit, Ferit Bej Vokopola.

Kurdoherë, me rastin e Festës së Pavarësisë, kujtojmë firmëtarët e saj, të cilët, për fatin tonë të keq, pjesa më e madhe e tyre u dënuan me burgime, u pushkatuan, apo u detyruan të lenë Atdheun…

 

©Bamir Bebeziqi

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Dëshmia e rrallë e mikut të ish-kryeministrit

“Mehmet Shehu u nxi në fytyrë, kur i dhashë traktatin e PKSH”!


Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale