Ballkani është një hap larg mrekullisë. Kampionët e Kosovës përmbysën në Shkup 1-2 ndaj skuadrës vendase shqiptare dhe tashmë janë vetëm një hap larg pjesëmarrjes në grupet e Conference League.
Shkupi zhbllokoi sfidën me anë të Adetunjit në 19’. Goditja e katërt radhazi nga këndi për skuadrën nga Çairi, Alvarez hedh një krosim perfekt në zonë, aty ku Adetunji e devijoi mjaftueshëm për ta dërguar në rrjetë. 1-0 për Shkupin.
Reagoi shumë shpejt Ballkani, që pas një sulmi nga krahu i djathtë, gjen golin e barazimit me anë të Albion Rrahmanit në minutën e 23-të. Ndizet atmosfera në stadium me dy gola të shpejtë. Pjesa e parë përfundoi në barazim 1-1.
Ballkani gjeti golin e avantazhit në 67’ me anë të Meriton Korenicës, që lëshoi një goditje spektakolare nga distanca dhe dërgoi topin në rrjetë. Asgjë për të bërë për portierin Naumovski, ndërsa Ballkani përmbys disavantazhin 1-2. Me këtë rezultat përfundoi ndeshja e parë, teksa kthimi do të luhet pas një jave në Prishtinë.
Interesant fakti se të dyja skuadrat e nisën aventurën e tyre për herë të parë në eliminatoret e Champions League. Ballkani, nën drejtimin e trajnerit Ilir Daja është më afër grupeve të Conference League. Vërtet një histori e denjë përralle verore.