Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, njëherazi dhe zëvendës kryeministrja Belinda Balluku, u është përgjigjur gazetarëve lidhur me çmimin e lartë të karburantit në vendin tonë në krahasim me rajonin.
Ajo tha se diferenca qëndron në faktin se Mali i Zi dhe Maqedonia e taksën e karbonit e paguajnë në mënyrë të veçantë, ndërsa Shqipëria e ka të përfshirë në karburant, e kjo është arsyeja e diferencës së çmimit.
Pyetjes se nëse është koha që Bordi i Transparencës të shkrihet, ajo tha se Bordi nuk rrit e as ul çmimet, por kontrollon dhe bën transparencë publike.
“Bordi nuk ndikon në çmimin e naftës, është për të kontrolluar dhe për të bërë transparencë publike, as nuk e rrisim dhe as nuk e ulim çmimin e naftës. Flitet që çmimi ka rënë në bursa, por është i rremë, çmimi që i referohen zotërinjtë ka të bëjë më çmimin bruto, ndërsa ne i referohemi çmimit të produktit.
E kemi thënë disa herë, kjo është diferenca, taksa e karbonit dhe qarkullimit Mali i Zi dhe Maqedonia e paguajnë në mënyrë të veçantë, në Shqipëri është i përfshirë në karburant”, tha Balluku.
Ndërkohë zv.kryeministrja Balluku informoi sot për vendimin e marrë në mbledhjen e qeverisë për paketën e kompensimit për shoqëritë e linjave të transportit qytetas, rrethqytetas dhe ndërqytetas e cila do të vijojë dhe për 3 muaj të tjerë.
“Sot ka qenë mbledhja e parë e qeverisë pas pushimeve verore dhe kemi pasur në rendin e ditës 5 pika që kanë të bëjnë me aktet e shpronësimit. Një nga aktet më të rëndësishëm është vendimi për përcaktimin e procedurave të dokumentacionit dhe të masës së kompensimit për shoqëritë e linjave të transportit qytetas, rrethqytetas dhe ndërqytetas, pjesë e paketës antikrizë.
Ne kemi përcaktuar një masë kompensimi për të gjitha shoqëritë e transportit që ofrojnë transport publik, e cila ka qenë në fuqi deri në fillim të muajit gusht.
Paketa e muajit prill është konsumuar dhe tërhequr nga kompanitë rreth 60% e fondit. Me aktin e sotëm është marrë vendimi që kjo paketë të vazhdojë dhe të qëndrojë në fuqi për muajin gusht, shtator dhe tetor”, tha Balluku.