Shqipëria mbylli një tjetër edicion në kompeticionet europiane të basketbollit të moshave që organizohen çdo verë nga FIBA. Edhe këtë vit kuqezinjtë e sportit të koshit u përfaqësuan me të gjitha grupmoshat (U-20, U-18 dhe U-16), pra plot gjashtë kombëtare, tri për vajza e po kaq për djem.
Rezultatin më të lartë e shënoi përfaqësuesja U-18 e djemve, e cila u shpall kampione në Divizionin C. Në zonën e medaljeve u futën gjithashtu edhe ekipi U-18 i vajzave dhe ai U-16 i djemve.
SKUADRAT U-18 – Përfaqësueset kuqezi të këtyre grupmoshave, si për djem ashtu edhe për vajza, morën pjesë në një kategori më inferiore, pasi konkurruan në Divizionin C. Shqipëria U-18 shkëlqeu duke u ngjitur në podium me djemtë dhe vajzat.
Rezultatin më të lartë e shënoi kombëtarja e djemve, e drejtuar nga trajneri Besim Dervishaj, duke fituar titullin kampion në Divizionin C të Europianit që u mbajt në San Marino.
Kuqezinjtë bënë paraqitje mjaft të mira, teksa morën 5 fitore në 6 ndeshje, duke e mbyllur me festë kompeticionin. Aleksis Nika ishte lojtari më mesataren të lartë të ribaundeve për ndeshje (15.0) në këtë divizion.
Ndërsa Kelt Qilimi ishte asistuesi me mesataren më të lartë në turne (7.5 për ndeshje). Për t’u veçuar ishte edhe ndeshja e jashtëzakonshme në finale nga Enzo Zotaj, protagonist me 41 pikë.
Me medalje doli edhe ekipi vajzave, i drejtuar nga trajnerja Elona Hasanaj. Shqipëria e kësaj grupmoshe u rendit në vend të tretë mes gjashtë shteteve. Në paraqitjet individuale në radhët e vajzave kuqezi, spikatën Brikena Muçenji, Anisa Bokrina dhe Sajda Danaj. Divizioni C i vajzave që u mbajt në Andorra, u fitua nga Gjeorgjia.
SKUADRAT U-16 – Edhe përfaqësueset U-16 morën pjesë në Divizionin më të ulët të Kampionatit Europian, në atë C, kompeticion që u zhvillua në Prizren. Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Bruno Hoxha fituan 3 takime, duke siguruar një vend në zonën e medaljeve, teksa u renditën të tretët mes tetë skuadrave konkurruese.
Lojtarët me rendimentin më të lartë në kombëtaren tonë ishin Hida dhe Keri. Fituese e divizionit u shpall Andorra. Edhe këtë verë Shqipëria ishte vend organizator për eventet e FIBAs, teksa në Korçë u luajtën takimet e Divizionit C.