MENU
klinika

Çekia bën thirrje për samitin e BE-së

Çmimet e energjisë vazhdojnë të rriten në të gjithë Europën

28.08.2022 - 19:02

Çmimet e energjisë po rriten në të gjithë Europën dhe me përfundimin e verës ekziston frika se situata mund të dalë jashtë kontrollit këtë dimër.

Qeveritë europiane po përpiqen për zgjidhje. BE ka zbatuar tashmë direktivat e konsumit të gazit, megjithëse nuk është e qartë nëse kjo do të mjaftojë për të shmangur racionimin dhe ndërprerjet e energjisë elektrike.

Republika Çeke, e cila mban presidencën e radhës të BE-së, ka bërë thirrje për një samit të BE-së për të trajtuar situatën sa më shpejt të jetë e mundur.

Në një postim në Twitter, ministri çek i industrisë Jozef Sikela tha: “Ne jemi në një luftë energjetike me Rusinë dhe ajo po dëmton të gjithë BE-në. Në marrëveshje me Komisionin Europian dhe kryeministrin [çek] … do të propozoj të mblidhet një takimi i jashtëzakonshëm i Këshillit të Energjisë të BE-së në datën më të hershme të mundshme”. Ekonomitë më të mëdha të Europës po vuajnë më së shumti.

Në Francë, një vend shumë i varur nga energjia bërthamore, mbyllja e reaktorëve të shumtë për mirëmbajtje e çoi koston për megavat-orë në 900 euro në tregun e të ardhmes dhjetë herë më e lartë se një vit më parë.

Gjermania ndërkohë kishte një nga marrëdhëniet më të ngushta energjetike me Rusinë para luftës. Shkurtimet e vazhdueshme të furnizimit nga Gazprom dhe mbyllja e planifikuar e gazsjellësit Nordstream në fund të gushtit kanë bërë që çmimet e energjisë të arrijnë nivele rekord.

Për t’i bërë gjërat edhe më keq, energjitë e rinovueshme kanë vuajtur pasojat e një prej verave më të nxehta dhe më të thata në kujtesën e gjallë. Lumenjtë janë duke u pakësuar, pa energji për të lëvizur hidrocentralet me kapacitet të plotë ose për të transportuar lëndë djegëse fosile.