Botërori i Katarit është thuajse dy muaj larg dhe “Adidas” ka prezantuar uniformat e reja të kombëtareve që sponsorizon. Gjermania vjen me një risi, ku në qendër të ngjyrës klasike të bardhë, vjen një ndarje me ngjyrë të zezë.
Në të ndodhen logo e kombëtares dhe ajo e “Adidas”. Ndërsa e dyta është një kombinim i ngjyrës së kuqe dhe të zezë, ndërkohë që vijat klasike të “Adidas” vijnë me ngjyrë floriri.
Një risi të veçantë ka bërë dhe Argjentina. Fanella e dytë e kombëtares e udhëhequr nga Lionel Messi vjen në një ngjyrë vjollcë, me disa ndarje të veçanta në fund të saj.
Spanja vjen me të kuqen e saj klasike si fanellë të parë, ndërsa e dyta, është në ngjyrë të kaltër, me disa dallgëzime, ku ashtu si fanella e parë e Gjermanisë, logo e kombëtares dhe ajo e “Adidas” ndodhen në qendër të saj.
E kuqe është dhe fanella e Belgjikës, në të cilën ato që bien në sy janë mëngët që duken sikur kanë marrë flakë. Gjithsesi, uniformat që u dukën më të pëlqyera nga publiku ishin ato të Japonisë dhe Meksikës.
Kombëtarja aziatike vjen me ngjyrën klasike blu, por ndarjet brenda saj bëjnë diferencën. Për sa i përket fanellës së dytë të meksikanëve, e cila është e bardhë dhe brenda saj me të kuqe ndodhen pikturat e lashta të fiseve azteke.