MENU
klinika

Huaja rritet me ritme të shpejta

Hoteleria bëhet sektori i katërt më i kredituar i ekonomisë!

02.08.2022 - 11:34

Hoteleria është bërë sektori i katërt më i kredituar i ekonomisë shqiptare, duke lënë pas edhe energjetikën.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se portofoli i kredisë për sektorin e akomodimit dhe shërbimit ushqimor është rritur me ritme të larta edhe në pjesën e parë të këtij viti, në vijim të një tendence pozitive të periudhës pas pandemisë.

Në fund të muajit maj, portofoli i kredisë për këtë sektor arriti një rekord të ri historik, në 34.2 miliardë Lekë ose rreth 290 milionë Euro. Krahasuar me të njëjtën perudhë të një viti më parë, portofoli i kredisë për hotelerinë është rritur me pothuajse 26%. Kjo normë rritjeje është gati tre herë më e lartë se rritja mesatare e portoflit të kredisë për bizneset private në të njëjtën periudhë.

Tashmë, sektori i hotelerisë renditet i katërti për nga vlera e tepricës së kredisë, pas tregtisë, ndërtimit dhe industrisë përpunuese.

Në një masë të caktuar, rritja e portofolit të kredisë për sektorin e akomodimit mund të jetë ndikuar edhe nga ristrukturimet. Pas shpërthimit të pandemisë, Banka e Shqipërisë krijoi lehtësi rregullatore për të mundësuar ristrukturime sa më të gjata të kredive, lehtësi që ishin në fuqi deri në fund të vitit 2021. Duke qenë se turizmi ishte ndër sektorët më të goditur nga pandemia, sidomos në vitin e parë, besohet se bizneset e këtij sektori kanë qenë ndër përfituesit e këtyre lehtësive. Ristrukturimet e kredive zakonisht lidhen me shtyrjen e pagesave ose shpërndarjen e tyre në afate më të gjata kohore, ndaj ndikojnë në një amortizim më të ngadaltë të portofolit të kredisë. Megjithatë, edhe shifrat e kredisë së re shfaqin një ecuri pozitive.

Sipas Bankës së Shqipërisë, për pesëmujorin 2022 kredia e re për sektorin e hotelerisë arriti në 4.9 miliardë lekë, në rritje me 40% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Rritja e vazhdueshme e turizmit në dekadën e fundit ka nxitur edhe një rritje të investimeve në sektorët e lidhur me të dhe sidomos në struktura të reja akomoduese. Këto investime janë nxitur pjesërisht edhe nga lehtësitë fiskale të aplikuara nga qeveria shqiptare për hotelet me katër dhe pesë yje, që kanë si qëllim shtimin e strukturave të turizmit elitar në vend.

Mbështetur në të dhënat e Instat, vitin e kaluar u miratuan leje për ndërtime të reja të hoteleve për një vlerë totale prej 5.2 miliardë lekësh, në rritje me 78% krahasuar me një vit më parë. Gjithmonë sipas Instat, në fund të vitit të kaluar Shqipëria kishte gjithsej 1256 hotele apo struktura të tjera akomoduese, me gati 36 mijë dhoma adhe mbi 85 mijë shtretër. Megjithatë, në vitet e fundit ka gjithashtu një tendencë në rritje të shfrytëzimit për turizëm edhe të apartamenteve apo strukturave të tjera private.

Shifrat e tregojnë se këtë vit turizmi se po rimëkëmbet me ritme të shpejta pas pandemisë. Për pesëmujorin 2022, numri i vizitorëve në strukturat akomoduese është rritur me 66% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rritja është veçanërisht e lartë në segmentin e vizitorëve jorezidentë në Shqipëri, me 89% më shumë.

Për pesë muajt e parë të vitit, hyrjet e shtetasve të huaj në Shqipëri u rritën me 55% dhe tejkaluan madje edhe shifrat e regjistruara në periudhën e para pandemisë, në vitin 2019. /MONITOR

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Problematikat pas pandemisë

Ringritja e vështirë e turizmit