MENU
klinika

Çmimet në bursë shënojnë një tjetër rekord

Kriza energjetike/ Fierza në nivele të ulëta

17.08.2022 - 10:46

Çmimet e energjisë në bursë arritën sërish rekord. Këtë të mërkurë, një megavat kushton mesatarisht rreth 554 euro, ndërsa sipas të dhënave të bursës në momentet pik të konsumit, çmimi do të arrijë deri në 747 euro për megavat.

Vlerat e larta kanë ardhur si rezultat i disa faktorëve si: thatësira, mungesa e prodhimit, konsumi i lartë ndërkombëtar si dhe lufta në Ukrainë.

Ky reflektim është parë dhe në Shqipëri. Rritja e çmimeve të energjisë në bursa detyroi Korporatën Elektroenergjetike që të bazonte prodhimin kryesisht në vend edhe pse kjo rritje u bë më e theksuar në korrik.

Hidrocentrali i Fierzës, më i madhi në kaskadën e Drinit ka qëndruar gjatë këtij viti nën mesataren historike sa i takon nivelit të liqenit.

Në qershor niveli i Fierzës ishte 288 metra ndërsa mesatarja historike është 289.53 metra.

Më 15 gusht Korporata Elekteoenergjetike Shqiptare raportoi se po prodhonte 17 mijë Mwh energji nga HEC-et në vend duke tentuar kështu të mbrohet nga çmimet e shtrenjta në bursa, por edhe pamundësia për të siguruar energji nga tregu i lirë në moment të fundit.

Kjo ka bërë që nivelet e HEC-ve të vijojnë të bien ku Fierza shënonte 278.62 metra. Rezerva energjetike ka zbritur në 722.9 Gwh.

Kujtojmë se se Rezervat ujore në Hidrocentralin e Fierzës, furnizuar nga prurjet e dy degëve të Drinit të Bardhë dhe Drinit të Zi ranë ndjeshëm.

Kjo pas thatësirës së madhe që kaploi vendin.

Niveli në liqen në korrik ishte 287 metra mbi nivelin e detit nga 289.7 që ishte në muajin qershor.

Sipas KESH-it, rritja e temperaturave ka shtuar edhe rritjen e konsumit të energjisë elektrike në vend.

Kështu, në bazë të të dhënave të publikuara, konstatohet si shpenzim ditor rreth 19 mijë MwH ose 2-3 mijë MwH më shumë se fundi i qershorit.

Një vit më parë e gjithë rezerva energjetike në kaskadën e Drinit, u përdor për muajt e verës me shpresën se do të nisin reshjet, por sezoni dimëror nuk rezultoi i lagësht, duke vënë në vështirësi dhe rritjen e shpenzimeve nga ana e qeverisë për blerjen e energjisë.

Nga janari deri në muajin maj, KESH ka shpenzuar 145 milionë euro për importe të energjisë elektrike, thuajse 1 milion euro në ditë.

Kësisoj, KESH iu bën thirrje konsumatorëve të përdorin në mënyrë sa më eficente energjinë elektrike.

Ndërkohë, prej disa ditësh, Shqipëria ka pasur një ndryshim të temperaturave duke dalë nga vala e të nxehtit afrikan, ku temperaturat kaluan 40 gradë celsius.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN