Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, para takimit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, më 18 gusht në Bruksel, ka thënë se pret më shumë nga Bashkimin Evropian, i cili kryen edhe rolin e ndërmjetësuesit në këtë proces.
Kreu i qeverisë kosovare ka deklaruar për BBC në serbisht se beson se BE-ja mund të jetë edhe më aktive dhe më e qartë.
“Ne kemi të drejtë të presim më shumë nga BE-ja, veçanërisht të tregohet më shumë qartësi dhe vendosmëri në lidhje me qëndrimet e veta, veçanërisht kur bëhet fjalë për ngjarjet si barrikadat dhe incidentet e fundit në veri të Kosovës. 1 shtatori do të jetë një ditë normale në pikat kufitare – ose do të nxjerrim dokumente hyrje-dalje, ose të dyja palët do t’i anulojnë ato”, tha ai.
Kurti tha se shpreson se do ta diskutojë çështjen e targave me Vuçiçin si pjesë e temave aktuale.
I pyetur nëse kjo është platforma e tij e negociatave për bisedimet e Brukselit, Kurti tha se një propozim të tillë ia ka paraqitur tashmë Vuçiçit, në një takim të organizuar në kuadër të iniciativës së bashkëpunimit të liderëve rajonalë Brdo-Brioni.
“Unë i thashë, njihni dokumentet e Kosovës dhe ai më tha se është e papranueshme sepse kështu do të njihej pavarësia”, ka thënë Kurti.
Kryeministri i Kosovës ka bërë me dije se i ka thënë presidentit të Serbisë se kjo nuk është e vërtetë.
“Edhe pse do të ishte mirë, i thashë se nuk është e vërtetë – Sllovakia, Greqia, Rumania nuk e njohin pavarësinë, por i njohin dokumentet e Kosovës”, tha ai.
Përderisa dokumentet e hyrjes mund të jenë një pengesë e vogël, Kurti nuk ka alternativë për të zëvendësuar targat e lëshuara nga Serbia për qytetet e Kosovës, raporton BBC.
“Ne do të vazhdojmë me fushatën informuese për ndërrimin e targave me përfitime të shumta – pa tatim mbi vlerën e shtuar, akcizë dhe doganë. Zëvendësimi mund të fillojë menjëherë. Afati për përfundimin e procesit nuk do të jetë 1 shtatori, por dy muaj më vonë”, tha ai.
Megjithatë ai tha se targat nuk janë fundi, pasi dy shteteve u nevojitet një marrëveshje e dypalëshe bazuar në njohjen reciproke.
“Por është e qartë për mua se edhe kur të përfundojë procesi, nuk do të jetë fundi – ne kemi nevojë për një marrëveshje me Serbinë sepse gjithçka është e pjesshme derisa të arrijmë një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve, bazuar në njohjen reciproke“, tha ai.
Kurti dhe Vuçiç do të takohen me ndërmjetësimin e të dërguarit të BE-së për dialogun Miroslav Lajçak më 18 gusht.